Për një model më efikas bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë

Autori:Menderes Ibra

menderes Ibra

Debati i strukturuar, analitik dhe mirëfilli i përkushtuar për bashkëpunimin ekonomik në mes Shqipërisë dhe Kosovës duket se është i munguar, kurse pjesë të tij shpeshherë janë të çrregullta, jo përmbajtësore, ndonjëherë madje me dyshime, mosbesime e ankesa të ndërsjella që e kalojnë nivelin e kritikës. Në fakt do të duhej të ishte e kundërta, edhe debati e edhe bashkëpunimi duhej të zhvilloheshin natyrshëm, pa kurrfarë diktati e imponimi dhe as si qëllim në vetëvete, por thjeshtë si nevojë e dyanshme për zhvillim e progres, dhe ku të dy palët do të përfitonin e do kishin interes. Rritja inteligjente e cilësore e bashkëpuniit në mes dy tregjeve, përveç shumë të mirave tjera krijon edhe kushte për tërheqje të investimeve të huaja kualitative.

Mirëpo për të arritur këtë duhet koordinim serioz dhe i përhershëm institucional dhe biznesor, një model i ri dhe më efikas bashkëpunimi, i cili jo vetëm se do të parandalonte dukuritë negative që paraqiten aktualisht, por edhe do krijonte mundësi të reja. Është paksa e habitshme që takimet në mes dikastereve simotra të Kosovës dhe Shqipërisë shpeshtohen vetëm kur paraqiten probleme. Natyrisht se kur ka probleme duhet takuar dhe diskutuar, por, pse këto takim të mos jenë të rregullta, planifikuese e orientuese, që ofrojnë  zgjidhje para se problemet të paraqiten, e jo vetëm në rolin e zjarrëfiksve kur paraqitet ndonjë problem. I tillë ishte takimi i javës së fundit në mes të përfaqësuesve të ministrive te finanancave të të dyja vendeve, ku duket se u fik zjarri i krijuar rreth problemit të referencës për eksportin e patates së Kosovës në Shqipëri.

Pse të mos diskutohen në nivele të tilla ta zëmë  shkaktarët e rënies prej rreth 18% të nivelit të këmbimit tregëtar në mes të dy vendeve vitin e kaluar krahasuar me vitin 2015? Në kohën kur flitet për nevojën e rritjes së bashkpunimit të mëtejmë, ky fakt s’do mend paraqet një shqetësim serioz. Pse të mos diskutohet ta zëmë mosbesimi kronik në produktet e njëri tjetrit dhe në kualitetin e tyre, sikurse që ishte rasti  i prodhesve të Kosovës për vezët nga Shqipëria, dhe ku si fakt kryesor i dyshimit mirrej çmimi i ulët i tyre, (mirëpo nuk ka protesta të tilla p.sh. kur produktet si mishi nga Brazili vijnë në tregun e Kosovës me çmime poashtu të ulëta!). Pse të mos eliminohen procedurat burokratike e administrative në të dy anët, qofshin këto nga neglizhenca, interesat oligarkike apo të natyrave tjera? Ose edhe rasti me perimet nga Shqipëria të kultivuara me stimulantë e materje tjera të dëmshme që kishin destinacion tregun e Kosovës. Duke trajtuar këto probleme institucionalisht, duke debatuar hapur për to, patjetër që do të largohen paragjykimet, do të mënjanohen dyshimet dhe do të vihet deri te e vërteta. Thjeshtë duke komunikuar rregullisht dhe institucionalisht. Pse të mos ketë një trup të përhershëm dypalësh që komunikon me transparencë e rregullisht edhe në mes veti, por edhe me opinionin në të dy vendet, duke komunikuar e informuar me kohë për çdo gjë.

Përmes analizave e studimeve të ndryshme është koha e vlerësimit të komplementaritetit të të dy tregjeve bazuar në përparësitë krahasuese dhe kostos së prodhimit të njërit apo tjetrit, dhe orientimin për prodhim aty ku është më e leverdishme. Shembulli i  linjës së transmisionit të energjisë për të kombinuar atë hidro dhe termo, ishte ide e shkëlqyeshme, që edhe përkundër investimeve të mëdha është ende jofunksionale për shkak të obstruksioneve të Serbisë. Ky fakt megjithatë nuk ka penguar që Serbia përveç tregut të Kosovës ta rritë ndjeshëm edhe këmbimin tregëtar me Shqipërinë viteve të fundit, nivel ky që tashmë e kalon atë në mes të Shqipërisë dhe Kosovës.

Një rast tjetër ku do të duhej menduar e planifikuar dyanshëm është bujqësia, dhe ku do të duhej kuptuar se nuk munden që të dyja vendet në sektorë të njejtë e për produkte të njëjta të kenë kosto të njejtë dhe rrjedhimisht pra edhe t’i konkurrojnë njëra tjetrës, sepse dallimet e ndryshme në terren megjithatë krijojnë ndryshime. Ashtu sikurse tregojnë analizat që kultivimi i patates në Kosovë mund të jetë më rentabil e profitabil, po ashtu kultivimi i perimeve në serra në Shqipëri është më rentabil dhe rrjedhimisht me kosto më të ultë të prodhimit. Ose rasti i zgjerimit të kultivimit të mjedrrës dhe frutave tjera të imta në Kosovë viteve të fundit, duhet parë si  mundësi  investimevesh të përbashkëta në trgetimin dhe përpunimin e tyre etj. Kjo do të paraqiste një lloj specializimi për produkte të caktuara të njërit apo tjetrit vend, jo sipas ndonjë urdhëri, por mbështetur në logjikën ekonomike. Tregjet e vogla sikurse këto tonat do të rrisin efektivitetin e tyre duke zbatuar parimin e komplementaritetit, dhe jo duke tentuar që me kokëfortësi të bëjnë konkurrencë njëri tjetrit në produktet e njëjta. Nëse diçka mund të prodhohet në të dy vendet njejtë, mirëpo në njërin më mirë dhe më lirë, atëherë le të përdorim atë.

Ose p.sh. turizmi i kosovarëve në Shqipëri dhe zhurmën e hallakamën e pakuptueshme që krijohet në të dy anët madje edhe për probleme triviale, për të cilat pastaj zëra të shumta nga të dyja palët hakërrehen, duke iu vërsulur njëri tjetrit sikur armiq, të  ndarë në dy taborre që ofendojnë njëri tjetrin duke klithur “mos ejani më te ne”, e tjerët duke ua mbajtur ison, “kurrë më tek ju, sepse ju jeni kështu” etj etj. Zallamahi të tilla mund të rrjedhin nga njerëz  të kompleksuar, mbase edhe të ushqyer e të porositur kush e di nga kush dhe çfarë interesash, por pak gjasa ka që të jenë të rastësishme.

A nuk ishte e panevojshme, që të bëhet aq zhurmë për një vendim legjitim të bashkisë së Durrësit rreth përcaktimit të vendit se ku do jenë stacionet e autobusëve të turistëve kosovarë etj? Krijohet përshtypja se me çdo kusht dëshirohet të gjendet qoftë edhe një problem miniaturial për ta rritur atë pastaj deri në pafundësi. Shpenzimi i kohës në këso gjërash shterron energjinë kot e nuk dërgon askund, dhe largon nga vëmendja problemet më madhore.

Fundja, edhe për këtë është tregu ai mekanizëm që do të do të zgjedhë çdo gjë, prandaj duhet lënë atij. Para  më shumë se 200 vitesh  A. Smithi thoshte se nuk është mëshira dhe bujaria e bukëpjekësit ajo që e shtyn të na gatuajë, por është interesi e tij që e detyron ta bëjë atë. E njëjta analogji mund të përdoret edhe këtu: As turistët e as mikpritësit e tyre nuk do të udhëhiqen nga sentimentet e bujarisë apo mëshirës, por do të jetë përputhja e interesit të secilës palë dhe levërdia e ndërsjellë që vendosë dhe përcakton zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e raporteve.

Në fund të fundit tregu dhe çmimi këta mekanizma ndër më të sofistkuarit që ka krijuar mendja e njeriut do t’i rregullojë vetë këto disparitete e diskrepanca, mirëpo shtrohet pyetja pas sa kohe dhe me çfarë kostoje. Shi për këtë politikat ekonomike e tregtare  të dy vendeve, në vend të logjikës reaktive (kur ndodhë një problem), ose edhe pasivitetit, do të duhej që t’u paraprinin proceseve me veprime proaktive e konkrete duke lehtësuar, mbikqyrur dhe orientuar punën e tregjeve.

Bashkëpunimi ekonomik në mes të dyja vendeve aktualisht është nën nivelin e mundësive dhe nevojave, andaj edhe me pasoja negative zhvillimore. Nuk do të duhej t’i bënim qejf vetit duke krahasuar  volumin e këmbimit tregtar i cili është rritur disa herë krahasuar ta zëmë me 10 vite më parë, (kur niveli i bashkëpunimit ishte shumë i ulët), por me mundësitë, nevojat dhe synimet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/per-nje-model-me-efikas-bashkepunimi-shqiperi-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala