PDK: Shumë parregullësi në arsimin e Ferizajt

Autori:Gazeta Fjala

hajrie nebihu

Dega e PDK-së në Ferizaj të shtunën ka ripërsëritur edhe njëherë se kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, e ka shndërruar Drejtorinë e Arsimit, në drejtori të punësimit dhe reahabilitimit.

Zyrtarja e PDK-së nga Departamenti i Arsimit, Hajrie Nebihu, gjatë konferencës për media, ka përmendur një mori shkeljesh në fushën e arsimittë cilat po bëhen me miratimin e të parit të komunës.

”Kjo drejtori, duke injoruar tërësisht kuadrot nga Ferizaj, ka punësuar si mësimdhënës të gjuhës shqipe në Shkollën Mesme Ekonomike ‘Faik Konica’, personin nga një komunë tjetër jashtë Ferizajt. Ne nuk kemi asgjë me personin në fjalë, por me mënyrën se si ka ardhur, kur dihet se në komunën tonë ka me dhjetëra gjuhëtarë që bredhin rrugëve si të papunë”, ka shpjeguar Nebihu.

Në vargun e shkeljeve, zyrtarja e PDK-së ka përmendur edhe një rast kur DKA-ja shpërfill edhe vendimet e MASHT-it.

“Kjo drejtori dhe ky kryetar në mënyrë të vazhdueshme po shpërfillin vendimet e MASHT-it, duke mos i kthyer në vendet e punës ata që i ka larguar për shkak të përkatësisë partiake, siç është rasti me drejtoreshën Shqipe Zeqiri, në shkollën ‘Muharrem Shemesedini’ në Fshatin e Vjetër”, ka thënë Hajrie Nebihu.

Për më tepër, Departamenti i Arsimit të PDK-së ka numëruar edhe shkeljet tjera, si: numrin e madh të nxënësve nëpër paralele, lejimin për të shkuar jashtë shteti mësimdhënësve pa përfunduar gjysmëvjetori si dhe rastet e punësimit të kuadrit jo profesional nëpër shkolla, vetëm sa për plotësim norme.

Zyrtarja Nebihu, ka thënë se DKA-ja udhëhiqet nga njeriu hipokrit, i cili për t’i mbuluar dështimet, arsyetohet me atë se kështu e ka gjetur gjendjen në këtë drejtori.

“Kjo drejtori, udhëhiqet nga drejtori i saj shpifës që të gjitha i kanë gjetur kështu dhe këtë e thotë pas 2 viteve të qeverisjes së tij. Por, për të argumentuar se si ka qenë në këtë rast numri I nxënësve nëpër klasa mund të kontrollohen ditarët”, ka thënë në fund Hajrie Nebihu.

Ndryshe, PDK-ja po konsideron se kjo qeverisje, përveç që ka ndaluar vrullin e zhvillimit që Ferizaj kishte, po shkakton edhe dëme të pariparueshme që duan kohë për t’i rregulluar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/pdk-shume-parregullesi-ne-arsimin-e-ferizajt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala