PDK po bëhet gati për zgjedhje

Autori:Gazeta Fjala

PDK

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot takimin e vet të rregullt, ku është diskutuar rreth përgatitjeve dhe organizimit për zgjedhjet lokale që do mbahen më 22 tetor të këtij viti.

Në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit Drejtues, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka theksuar se secili anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës “duhet të jetë krenar me punën dhe sukseset e shtetit të Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së”.

“PDK është themeli i shtetësisë sonë, forca e ndryshimit të kombit shqiptar, me rezultate të pamatshme larg nga çdo parti tjetër ekzistuese, garancë sovraniteti, stabiliteti, partneriteti, tolerance dhe zhvillimi të këtij vendi”, ka thënë kryetari Veseli.
Ai tha se Partia Demokratike është e përgatitur dhe po vazhdon përgatitjen për zgjedhjet lokale.

“PDK do të vazhdojë takimet me çdo qytetar të Republikës së Kosovës, në çdo rrugicë, hyrje banese, lagje, fshat, qytet të Kosovës, për të bashkëbiseduar dhe ndërtuar së bashku programin qeverisës në komunat e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e partës.

Në këtë takim, gjatë diskutimeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, u theksua përkushtimi i secilit anëtar të PDK-së, për angazhimin maksimal për ruajtjen dhe fuqizimin e vlerave shtetërore dhe demokratike.

Anëtarët e Këshillit Drejtues ritheksuan bindjen e tyre të plotë për fitore në zgjedhjet lokale, duke ofruar programin në pajtim me nevojat e qytetarëve, kandidatët më të mirë për Kuvende Komunale dhe kandidatët më përfaqësues të PDK-së dhe vizionit të saj për udhëheqjen komunale. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/pdk-po-behet-gati-per-zgjedhjet-lokale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala