Paraburgim për tre të rinjtë që u ndaluan me narkotikë dhe revole pa leje

Autori:Gazeta Fjala

paraburgim1-780x439-650x358-600x358

Gjykata Themelore në Mitrovicë, i ka caktuar tre të dyshuarve L.B., A.B. dhe B.H. nga Mitrovica, masën e paraburgimit prej një muaji për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së prokurorisë së këtij qyteti të dorëzuar në gjykatë, dyshohet se më 20 korrik  tre të dyshuarit bashkë me të dyshuarin tjetër G.B (i cili gjatë shoqërimit në polici ka arritur të ikë dhe gjendet në arrati), janë ndaluar nga policia, ku rezulton që të dyshuarit së bashku dhe pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike me qëllim shitje dhe shpërndarje.

“Të dyshuarit, pas ndaljes nga policia, duke e ditur që po transportonin substance narkotike, të njëjtit kanë filluar ta hedhin një sasi narkotikësh jashtë veturës me qëllim të fshehjes dhe mos diktimit nga policia, ku pas ndalimit policia ka gjetur një sasi substance narkotike me peshë të përgjithshme 64,37 gramë e llojit marihuanë, si dhe një revole me një karikator dhe një fishek, e cila është poseduar pa leje përkatëse”, njofton Prokuria e Mitrovicës.

Ndërkaq, bëhet e ditur se për të dyshuarin G.B i cili tashmë ndodhet në arrati me kërkesë të prokurorit është lëshuar urdhër arresti. ​

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/paraburgim-per-tre-te-rinjte-qe-u-ndaluan-me-narkotike-dhe-revole-pa-leje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala