Panair libri apo dyqan i madh mallrash?

Autori:Gazeta Fjala

Gezim-Zilja

Në javën e dytë të nëntorit do të zhvillohet panairi i përvitshëm i librit, që organizohet në Pallatin e Kongreseve, ndoshta më i madhi në trevat shqiptare, nën kujdesin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Duhet thënë se pjesëmarrja e shtëpive botuese (ato e quajnë panairin një rast të artë) ka si qëllim të vetëm fitimin: të shiten sa më shumë libra nga të gjitha zhanret, nga të gjithë autorët, nga të gjitha shtetet dhe kontinentet. Kjo është e drejta e tyre e natyrshme. Bëhet dhe një konkurs letërsie, por është i vakët, i varfër dhe me shumë mangësi. Një çmim i dhënë apo i marrë nuk kthehet në një festë apo takim të krijuesve. Në panair të mbyt libri i huaj dhe reklama për dy apo tre autorë vendas, që tash sa vjet e kanë marrë me “tapi” Panairin. Shkurt, mënyra si është organizuar deri tani, i ngjan një dyqani gjigant, ku secili mburr e shet mallrat e tij.

Hyj në ata njerëz që ndjek me vëmendje zhvillimet, botimet dhe kritikat (e pakta) për letërsinë shqiptare dhe artin në përgjithësi. Krahasuar me letërsinë e huaj (duke filluar pas vitit 1990) në poezi ose në prozë, nga një hulumtim i pjesshëm që kam bërë në shtëpitë botuese, del se raporti arrin tridhjetë me një. Më shkoqur, nga 30 libra të botuar në gjuhën shqipe, 29 janë të autorëve të huaj dhe vetëm një nga autorët shqiptarë. Ky raport sa vjen e venitet nga panairi në panair. Thënë ndryshe, është si drita e qiriut, (botimet shqip) kundrejt projektorëve të aeroplanmbajtëses (botimet e huaja). Kuptohet që letërsia shqiptare do të jetë më e pakët në numër, në krahasim me atë të huaj, për “njëqind arsye” në sasi dhe në cilësi. Dhe nëse në këto panaire do të tregtohen libra me qëllim të vetëm fitimin, do të vijë dita që autorët shqiptarë do të jetë të mbytur (me përjashtim të dy-tre musketierëve shqiptarë) në oqeanin e botimeve të huaja. Ne nuk mund të kufizojmë botimin e autorëve të huaj, por kemi në dorë që të ndryshojmë organizimin e panaireve në disa raste, duke përkrahur e vënë në dukje krijuesit shqiptarë. Ka ardhur koha, të paktën një herë në vit të organizohet një panair vetëm me krijues shqiptarë, nga të gjitha vendet ku ata jetojnë e punojnë. Unë e përfytyroj këtë lloj panairi si një festë të madhe të librit shqiptar. Madje mirë do të ishte të organizohet aty nga fillimi i pranverës, kur çel gjethi e kthehen dallëndyshet dhe nuk është e thënë vetëm në Tiranë. Aty do të jenë të renditura në rafte e stenda: Formula e Pagëzimit , Fjalori i Fon Harfit, Perikopeja e Ungjillit të Pashkës deri te Marin Barleti, Meshari i Gjon Buzukut, e me radhë Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Lekë Matrënga, Jul Variboba, bejtexhinjtë e ndikuar nga letërsia orientale, me Hasan Zyko Kamberin, Nezim Frakullën, Zenel Bastarin, Muhamet Çami Kyçykun etj.

Letërsia e Rilindjes, ku spikatin: Jeronim de Rada, Gavril Dara, Zef Skiroi, Francesk Anton Santori, Zef Serembe, Filip Shiroka e më vonë poeti kombëtar Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Faik Konica, Asdreni etj. Letërsia pas pavarësisë me Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Fan Nolin, Lasgush Poradecin, Ali Asllanin, Vinsent Prenushin, deri te romanet e N. Nikajt F. Postolit, Z. Arapit, Haki Stërmillit, S. Spasses e më tej Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Migjeni, Petro Marko, Dhimitër Xhuvani, Nonda Bulka. Letërsia e sotme me Dritëro Agollin, Jakov Xoxën, Ali Abdihoxhën, Kasëm Trebeshinën, Ismail Kadarenë, dhe një numër i konsiderueshëm krijuesish që zë fill pas viteve ‘90 dhe që janë më pak të publikuar. Një letërsi që do të veçoja është ajo e quajtur “Letërsi e Burgut”, e përfaqësuar nga krijimet e Pjetër Arbnorit, At Zef Pëllumbit, Fatos Lubonjës, Astrit Delvinës, Visar Zhitit, Bedri Çokut, Henrik Gjokës e dhjetëra të tjerëve.

Sigurisht duhet të ketë stenda ku të publikohet Letërsia për Fëmijë, që në fillesat e saj. Ndoshta do të kuptojmë me këtë rast sesa borxhli janë krijuesit e pas viteve ‘90 ndaj kësaj letërsie (për fëmijë) që po mpaket nga dita në ditë, duke u zëvendësuar nga autorë të huaj të sotëm, shpesh pa kurrfarë vlere e jo rrallë të dëmshëm. Rendita me emër një pjesë të korifenjve të letërsisë shqipe, për të theksuar, sesa pak bëhet për njohjen e tyre, të kuptojmë, që një herë në vit kjo letërsi e meriton një panair apo festival të tërin për vete. Të paktën pas njëzet apo tridhjetë vjetësh, që ky panair zhvillohet (meraku im) në ekranet e hyrjes, te Pallati i Kongreseve apo gjetkë, të mos na përplasen në fytyrë (sidomos për fëmijët e të rinjtë e shkollave) ballinat e romaneve rozë: “Dashnorja e babait”, “Ylli i pasarelave”, “Dashnori misterioz”, “Bija e prostitutës” etj., por fytyrat e dashura të Naim Frashërit, Pashko Vasës, Andon Zako Çajupit, Gjergj Fishtës, Mitrush Kutelit, Petro Markos, Fan Nolit, Faik Konicës, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, At Zef Pllumbit etj. etj. Kjo duhet të ndodhë për një mijë arsye. Për kozmopolitët dhe ata që predikojnë lirinë e pakufizuar do t’u thosha shkurt: E para është gjuha shqipe dhe shqiptarët.

Dhe së fundi pyetja, që rri gjithmonë pezull e vërtitet herë si top futbolli e herë si patate e nxehtë: A duhet të ketë politika kombëtare në botimin dhe propagandimin e letërsisë shqipe? Nëse po, atëherë Ministria e Arsimit apo e Kulturës le të bëjnë detyrën e tyre. Nëse jo, pra politika dhe propaganda për librin është barabar si për autorët e huaj edhe për ata të vendit, të na i shpjegojnë pse? Mendoj që po kërkohet fare pak. Edhe në mos pastë takat, dëshirë dhe kohë ta organizojë Ministria e Arsimit apo Kulturës në bashkëpunim me katedrat përkatëse të universiteteve publike, këtë mund ta marrë përsipër fare mirë një ose disa universitete private. Në panair nuk duhet të mungojë një stendë e veçantë e Bibliotekës Kombëtare me botime e dokumente të rralla. Teknikisht është fare e thjeshtë. Mund të bëhen promovime, të ndahen çmime jo nga juri fantazma, të bëhen diskutime për prozën, poezinë, madje edhe dramën shqipe, që realisht ndodhet në fund të pusit. Teknikisht është fare e thjeshtë. Panairi i nxjerr vetë lekët për organizatorët. Do të jetë një festë e madhe dhe e bukur për dashamirësit e librave dhe nxënësit e shkollave. Keni për ta parë! Sigurisht do të bëhet dhe biznes dhe fitimi nga shtëpitë botuese do të jetë i kënaqshëm.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/panair-libri-apo-dyqan-i-madh-mallrash/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala