Paknaqësitë e bizneseve kosovare

Autori:Mr. Lulzim A. Beqiri

lulzim-beqiri

Bizneset që veprojnë në Kosovë përballen me vështirësi të shumta dhe nga me të ndryshmet, si procedurat burokratike, konkurrenca jolojale moszgjidhja e shpejtë e kontesteve gjyqësore dhe shumë probleme tjera. Këto probleme dhe vendosja e arkave fiskale po ndikojnë që shumë biznese të ndërpresin veprimtarinë e tyre.

Numri i bizneseve që shuhen për një vit është shumë i madh dhe është shumë shqetësues për bizneset në përgjithësi dhe për ekonominë e vendit. Shuarja e bizneseve është një fakt që tregon se në Kosovë nuk ka kushte të favorshme për biznes dhe se bizneset nuk përkrahen sa duhet, pra nuk kanë lehtësime që do të duhej t’i kishin në veprimtarinë e tyre.

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë dy institucione nga të cilat varet edhe mbushja e buxhetit të shtetit. Kjo mënyrë e mbledhjes të të hyrave konsiderohet se nuk është njëra nga mënyrat më të mira, por që aktualisht është zgjidhja e vetme. Një prej objektivave kryesor të Doganës së Kosovës, është sigurimi i të hyrave për buxhetin e shtetit. Ky objektiv është më i rëndësishme, pasi që nga performanca e Doganës varet edhe vetë performanca e të gjitha institucioneve, të cilat financohen indirekt nga Dogana e Kosovës.

tabela

Në vitin 2009 dogana e Kosovës ka mbledhur rreth 635.08 milionë euro, dhe ka pas vazhdimisht rritje progresive.

Dogana e Kosovës për herë të parë që nga themelimi (17 vite më parë) ka arritur një rekord ku në vitin 2016 ka tejkaluar 1 miliard €. Derisa në krahasim me vitin e kaluar kemi mbi 99 milion më shumë.

Administrata Tatimore e Kosovës në vitin 2016 ka  realizuar të hyra prej 393 mil euro, që është 60.2 mil (apo 18%) më shumë se në vitin paraprak( 2015).

Me anë të njëqindedhjetë pyetësorëve janë anketuar ndërmarrje nga të gjithë sektorët dhe veprimtaritë ekonomike në Republikën e Kosovës, duke përfshirë këtu tri regjione të Kosovës (Prishtina, Mitrovica dhe Gjilani).

 Rezultatet e përfituara nga pyetësorët, do t’i paraqesim në vijim:

Në pyetjen: Si e vlerësoni përshkallëzimin e TVSH-së, nga gjithsej 22.73 % e respondentëve të anketuarve kanë shprehur mendim pozitiv, kurse 62.73% prej tyre e konsiderojnë këtë përshkallëzim negative për bizneset e tyre, ndërkaq 14.46%, kanë abstenuar në këtë pyetje.

Republika e Kosovës që nga shtatori i vitit 2015 ka filluar aplikimin e normës së re tatimore dhe përshkallëzimin e TVSH-së.

Në pyetjen e dytë: Si e vlerësoni përshkallëzimin e TVSH-së?, e cila është bërë me respondentët nga regjioni i i Prishtinës, nga gjithsej 30 afaristë të anketuar, 19 prej tyre, apo shprehur në përqindje 63.34% prej tyre, e kanë vlerësuar negativisht përshkallëzimin e TVSH-së, duke shprehur njëkohësisht shqetësimin e tyre për këtë ndryshime. Ndërsa, 30 % e përfaqësuesve të bizneseve në këtë regjion, kanë dhënë mendim pozitiv për këtë përshkallëzim, kurse vetëm 2 përfaqësues të bizneseve, nuk janë përgjigjur në këtë pyetje.

Ndërkaq, sa i përket regjionit të Mitrovicës, në të njëjtën pyetje si më lart, bazuar në përgjigjet e përfaqësuesve të bizneseve, vërehet se përshkallëzimi i TVSH-së, s’është pritur mirë nga bizneset e këtij regjioni, pasi 55% e afaristëve të anketuar, kanë deklaruar se ky përshkallëzim do të ketë pasoja negative për bizneset e tyre, kurse vetëm për 22.5% prej tyre, e kanë mirëpritur këtë vendim të Qeverisë për përshkallëzim të TVSH-së, kurse 9 përfaqësues të bizneseve, apo 22.5% prej tyre kanë abstenuar në këtë pyetje.

Pas regjionit të Mitrovicës, në radhë vjen ai i Gjilanit, dhe në pyetjen lidhur me përshkallëzimin e TVSH-së, nga gjithsej 40 përfaqësues të bizneseve të anketuar, apo 70 % prej tyre, e kanë konsideruar përshkallëzimin e TVSH-së si negativ, kurse 17.5% prej tyre e kanë mendim pozitiv për këtë risi në sistemin tatimor të Republikës së Kosovës, ndërkaq 5 afaristë kanë abstenuar të përgjigjen në këtë pyetje.

Nga 110 biznese të anketuara 79.1% prej tyre kanë thënë se tatimi mbi vlerën e shtuar nuk duhet të mblidhet në kufi, alternativat e dhëna nga të anketuarit mbështesin praktikat globale të vendeve të zhvilluara, ku TVSH-ja mblidhet brenda kufijve dhe vetëm pas operacionalizimit të investimit të dhënë. Ata mbështesin këtë lloji ideje që TVSH-ja, të jetë me rastin e regjistrimit të importit në dogana, e më pas vjelja e TVSH-së të bëhet brenda Kosovës, kur biznesi fillon përdorimin e importit të dhënë. Ndërsa vetëm 20.9 % nga të anketuarit mendojnë se më mirë është që TVSH-ja të mblidhet në kufi.

Amnistia fiskale vlerësohet tepër lart, pasi nga 110 ndërmarrës të anketuar, 66.36% prej tyre, janë të mendimit se është e domosdoshme që për disa ndërmarrje, të cilat ndodhen në prag të falimentimit, të ketë amnisti fiskale dhe, sipas tyre, ky veprim është një infuzion i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të mbijetuar, ndërsa vetëm 33.64 % e ndërmarrësve mendojnë se është tepër jetike kjo.

Të gjithë ndërmarrësit e anketuar shfaqin mendim pozitiv se arkat fiskale mund të konsiderohen si parandaluese të informalitetit, por të gjithë janë të mendimit se ka ngecje të mëdha në këtë drejtim, duke pretenduar se një pjesë e konsiderueshme e bizneseve nuk i kanë instaluar ende arkat fiskale. Arkat fiskale mund të kenë sukses vetëm nëse probabilitetit i auditimit nga administratorët tatimorë është i lartë dhe kjo gjendje i shtyn pronarët që patjetër t’i regjistrojnë aktivitetet e tyre, në të kundërtën ata do të ballafaqohen me gjobitje të rënda.

Ndërmarrësit e anketuara kanë mendim pozitiv sa i përket përshkallëzimit të TVSH-së nga 16% në 8%, e sidomos për shtresën e varfër të popullatës që në Kosovë ka shumë të tillë, 68.18% prej tyre këtë e shohin si hap pozitiv, ndërkaq pa ndryshime të mëdha këtë e shohin 27.28% prej tyre, kurse vetëm 2.73% kanë mendim negativ për këtë ndryshim. Në këtë pyetje kanë abstenuar 1.72% e anketuarve.

Uljen e pragut të TVSH-së 63. 63% e biznesmenëve të anketuar nuk e kanë pritur mirë, pasi që në këtë drejtim ata këtë e konsiderojnë si diçka negative për bizneset, kurse në anën tjetër këtë e vlerësojnë dhe pozitive për shtetin. Kurse, 20% e të anketuarve, 16.37% prej tyre kanë deklaruar se ulja e pragut të TVSH-së nga 50.000€ në 30.000€, është pozitive për biznese.

Pragun e uljes së TVSH-së për bizneset kosovare, afaristët nga rajoni i Prishtinës, Mitrovicës dhe Gjilanit e konsiderojnë si diçka negative për bizneset e tyre, 24 afaristë në regjionin e Prishtinës, këtë e konsiderojnë si negative për veprimtarinë e tyre, kurse pozitive për shtetin këtë e sheh vetëm 1 biznes nga gjithsej 30 sa janë anketuar në regjionin e Prishtinës dhe 5 afaristë të anketuar në regjionin e Prishtinës këtë ulje të pragut e shohin si pozitive për bizneset e tyre, ndërkaq në regjionin e Mitrovicës 21 biznesmenë të anketuar janë të mendimit se është negative një ulje e tillë, 10 prej tyre e shohin si pozitive për shtetin, ndërkaq 9 afaristë janë deklaruar se është pozitive për bizneset e tyre ulja e pragut të TVSH-së.

Në regjionin e Gjilanit 25 biznesmenë të anketuar nga gjithsej 40 janë të mendimit se kjo ulje e pragut do të dëmtojë bizneset e tyre, ndërsa 11 prej tyre këtë e shohin si pozitive për të hyrat e shtetit dhe vetëm 4 biznesmenë si pozitive për bizneset e tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/paknaqesite-e-bizneseve-kosovare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala