Pakistan, çlirohen pengjet me fëmijë në robëri

Autori:Gazeta Fjala

1507818652_93045079_kidnap

Ushtarët pakistanezë çliruan një familje me 5 pjesëtarë nga Amerika e Veriut, që mbaheshin peng nga talebanët afganë prej 5 vitesh.

Ata u shpëtuan pas informacioneve të dhëna nga Shtetet e Bashkuara dhe një operacioni perfekt ushtarak të zhvilluar në afërsi të kufirit afgan.

Mediet raportojnë se bëhet fjalë për familjen e përbërë nga shtetasi kanadez, Joshua Boyle, gruaja e tij amerikane, Caitlan Coleman, si dhe 3 fëmijët e tyre.

Çifti dhe fëmija më i madh u rrëmbyen në Afganistan në vitin 2012, e dy fëmijët e tjerë, ata i patën ndërsa ishin në duart e talebanëve.

Ushtria pakistaneze konfirmoi lirimin e familjes dhe tha se, operacioni u bë i mundur pasi agjencitë e inteligjencës amerikane informuan kolegët pakistanezë, se pengjet ishin dërguar brenda territorit pakistanez.

Çlirimi i tyre u përshëndet nga Ambasada e SHBA-ve në Islamabad. Talebanët kishin publikuar disa herë video të familjes në internet dhe kërkonin lirimin e disa militantëve të burgosur në Afganistan, në këmbim të tyre.

Detajet e operacionit ushtarak nuk bëhen të ditura, por mediet lokale raportojnë se ushtria eliminoi disa militantë që ruanin familjen, për të mundësuar shpëtimin e tyre./TCh/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/pakistan-clirohen-pengjet-me-femije-ne-roberi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala