Pacolli: Qeveria, Presidentja dhe Opozita po gabojnë

Autori:Gazeta Fjala

Pacolli-Behxhet

Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka thënë se Qeveria e Isa Mustafës, Presidentja Atifete Jahjaga dhe Opozita kanë zgjedhur rrugën e gabuar për t’i sqaruar problemet politike të bllokadës institucionale.

Ai ka thënë se Presidentja duhet t’i ftojë liderët e partive për të gjetur një zgjidhje për të tejkaluar këtë krizë.

Ndërsa, për Opozitën, Pacolli ka thënë se duhet t’i shterojë rrugët politika para se të përdorë gazin lotsjellës.

Lexojeni të plotë reagimin e Pacollit

Unë vazhdoj t’i mbahem pikëpamjes se qeveria aktuale nuk ka kurrfarë perspektive dhe nuk ofron asnjë lloj vizioni apo angazhimi qoftë dhe minimal në kryerjen e detyrimeve politike dhe administrative. Ka boll fjalë të urta popullore që na përkujtojnë këtë pamje të qeverisë sot: dielli duket që në mëngjes; fillimi i mbarë, gjysma e punës, etj, etj. Me këtë qeveri s’kemi as diell, dhe as fillim të mbarë.

Qeveria, opozita, Presidenca megjithatë po gabojnë me sjelljen e tyre në krizën aktuale.

Qeveria do duhet të ofrojë rrugën e dialogut për t’u sqaruar me opozitën për marrëveshjet.

Opozita duhet të shterrojë gjithë rrugët politike, para se të zgjedhë rrugët policore të gazit lotsjellës që të imponojë dëgjimin e zërit të vet.

Por edhe Presidentja nuk mund të rrijë më duarkryq. Një President me autoritet në të dy krahët, do duhet t’ i kishte ftuar palët në një tryezë bisedimesh të pandërprera derisa të gjendej një zgjidhje.

Në kushtet kur asnjëra palë s’kryen detyrën e vet, Kosova po identifikohet në botë, në të gjithë skajet e globit, me pamjet e gazit lotsjellës jo në sheshe protestash, por në Sallën që ka debatin si mjetin kryesor. Kjo është mendjelehtësi e pafalshme! Kjo është vdekje e politikës dhe vijim i sheshit në sallat e politikës!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/pacolli-qeveria-presidentja-dhe-opozita-po-gabojne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala