Pacientët me dializë në Gjilan detyrohen t’i sigurojnë vetë barnat

Autori:Gazeta Fjala

dializa

Musa Abazi tash e katër vjet vuan nga sëmundja e veshkave derisa tri herë në javë i duhet të bëjë dializën në repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjilanit.

Por para se të futet aty, atij i kërkohet që t’i blejë me mjetet e tij barërat dhe ampulat e nevojshme, raporton KTV.

Kjo për faktin se ky spital po përballet me mungesë të barnave, kryesisht të ampulës Eritropoetin, që është e domosdoshme për trajtimin e këtyre pacientëve.

Musa Abazi, i sëmurë me dializë, thotë se shumë herë i është rrezikuar edhe jeta për shkak se nuk ka pasur mundësi ta sigurojë këtë bar, pasi që vetëm një ampulë e saj kushton 15 euro.

Me këtë problem po ballafaqohen edhe 59 pacientë të tjerë të sëmurë nga veshkat. Ata ankohen se shumë herë nuk kanë pasur mundësi dhe kushte që barin ta blejnë, për çka familjarët janë detyruar të dhurojnë gjak.

Shefi i këtij reparti, Osman Ramadani, thotë se disa herë kanë bërë kërkesa në Ministri për t’i furnizuar me terapinë e nevojshme për këta të sëmurë por asgjë nuk ka ndryshuar.

Por zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë arsyetohen se rritja e numrit të pacientëve të prekur me këtë sëmundje ka bërë që të paraqiten mungesa të shumta.

Në këtë spital kryejnë dializën të gjithë pacientët e regjionit të Anamoravës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/pacientet-me-dialize-ne-gjilan-detyrohen-ti-sigurojne-vete-barnat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala