Nuk votohet vendimi i Qeverisë për privatizimin e Telekomit

Autori:Gazeta Fjala

telekomi

Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk e ka votuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Nënkryetari i Komisionit, Dardan Sejdiu, ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës të kësaj pike me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar raporti hetues për Telekomin.

“Të shohim raportin përfundimtar hetimor nga Komisioni parlamentar për Telekomin, pastaj të shohim. Përndryshe, unë nuk marr pjesë në votim”, tha Sejdiu.

Anëtari tjetër i komisionit Memli Krasniqi u shpreh kundër heqjes së kësaj pike nga rendi i ditës, por shtoi se nëse nuk merr pjesë deputeti Sejdiu në votim, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër.

“Nuk duhet me lënë në gjendje aq të keqe në të cilën është Telekomi. Vetëm privatizimi e kishte shpëtuar Telekomin. Mendoj se duhet votohet ky vendim, s’e edhe ashtu i gjithë procesi i privatizimit nuk mund të ndodhë para dy vjetësh. Nëse nuk merr pjesë Dardan Sejdiu, propozoj mos me e qitë në rend dite, kështu që vetëm bartet nga mbledhja në mbledhje”, tha Krasniqi.

Komisioni me shumicë votash miratoi kërkesën e Sejdiut për heqjen nga rendi i ditës së vendimit qeveritar për privatizimin e Telekomit.

Ndryshe, Komisioni për Zhvillim Ekonomik sot ka shqyrtuar dhe miratuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale – KPMM për vitin 2018, për të cilin ka raportuar Musa Shabani, kryetar i Bordit i KPMM-së.

Po ashtu, komisioni miratoi edhe Raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2017.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/nuk-votohet-vendimi-i-qeverise-per-privatizimin-e-telekomit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala