Një asamblist i Kuvendit Komunal të Prizrenit revoltohet që gjatë seancës nuk u shërbye ujë

Autori:Gazeta Fjala

Asambeleja-Kuvendi-Myta-1-600x360

Kuvendi Komunal i Prizrenit, nuk ka ofruar ujë në seancën e cila është mbajtur gjatë muajit të Ramazanit. Gjatë kësaj seance, ka pasur reagime të ndryshme sa i përket mos-shërbimit të ujit për asamblistët.

Këtë çështje, i pari e ka ngritur asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ilir Baldedaj. Ai kishte kërkuar fjalën, dhe nga të pranishmit kishte kërkuar llogari se pse nuk është duke u shërbyer uji në këtë seancë, si në çdo seancë tjetër.

I kontaktuar nga Gazeta Express, Baldedaj tha se ai ka respekt për këdo që e mban ramazanin, por sipas tij, uji duhej shërbyer në seancë për ata që nuk agjërojnë.

“Seanca mbahet 1 herë në muaj, dhe në çdo seancë shërbehet uji, por në këtë seancë nuk është shërbyer. Unë kam respekt për këdo që e mban ramazanin dhe nuk jam kundër ramazanit” tha Baldedaj.

Ai shtoi se Kosova është shtet laik, dhe se Kuvendi Komunal nuk është institucion fetar por publik.

“Sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kosova është shtet laik, ne nuk jemi institucion fetar por jemi institucion publik” tha Baldedaj.

E kontaktuar nga Gazeta Express, kryetarja e grupit të grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, si dhe asambliste në këtë qytet, Sadije Osaj Jakupi, tha se  është e drejtë personale dhe e garantuar kërkesa për ujë, por ajo shtoi se kjo kërkesë është çështje etike e humane që të solidarizohemi me të tjerët.

“E drejta personale është e garantuar dhe çdo asamblist mund të kërkojë punë, por është çështje etike dhe humane që ne të solidarizohemi me njëri-tjetrin.”

Jakupi shtoi se reagimi i Baldedajt është i tepruar dhe se asamblistët janë aty për të ngritur shqetësimet e qytetarëve.

“Në aspektin etik dhe human, kërkesa është e tepruar. Ne jemi aty për të ngritur problemet e qytetarëve, dhe ndonjëherë edhe uji është problem. Andaj ngritja e problemeve reale është më e rëndësishme sesa krijimi i problemeve të reja” shtoi ajo.

Gazeta Express, ka tentuar që të kontaktojë edhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukën dhe kryetarin e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Artan Abrashi, por nuk i janë përgjigjur telefonatave tona.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/nje-asamblist-i-kuvendit-komunal-te-prizrenit-revoltohet-qe-gjate-seances-nuk-u-sherbye-uje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala