Nis rritjen prodhimi “Made in Albania”

Autori:Zekirja Shabani

shqiperia

Grupet e mallrave si, “tekstilet e këpucë”, të “materiale ndërtimi”, “ushqimet, pijet, duhani” kryesojnë rritjen e eksporteve shqiptare në 7 muajt e parë. Sipas statistikave të INSTAT, në fund të 7-mujorit, eksportet arritën në rreth 153 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 7.6% me bazë vjetore.

Grupi “tekstilet e këpucë”, pas vitesh rënie ka shënuar rritje, duke mbajtur peshën kryesore me ndikim në masën 90% të performancës pozitive të rritjes për 7-mujorin.

Biznesi fason i tekstileve e këpucëve shënoi ecuri shumë të mirë, me mbështetjen nga qeveria për të nxitur sektorin përmes një pakete të veçantë masash dhe nga rritja e porosive nga partnerët italianë, që janë rikthyer drejt Shqipërisë pas largimit nga zonat e Lindjes së Mesme dhe Kina, duke shfrytëzuar avantazhet që ofron vendi ynë si afërsia gjeografike, aftësi për të punuar me porosi të vogla, korrektesë në afatet, e mbi të gjitha, kosto të ulët të punës, krahasuar me vendet si Rumania e Bullgaria.

Eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 21.6 miliardë lekë, duke u zgjeruar me rreth 10% për 7-mujorin. Grupmallrat e tjerë, ndonëse me një peshë të vogël në totalin e eksporteve, shfaqin ecuri pozitive, si grupet “ushqimet, pijet dhe duhani”, që janë rritur me 13% dhe “prodhime druri dhe letre”, që u zgjeruan me 27%.

Rritje kanë pësuar dhe eksportet për grupin “prodhime të drurit e letrës”, pasojë e shtimit të aktivitetit të kompanisë në Berat “Center shqiptare”, që prodhon çanta letre për tregjet e huaja dhe që sipas të dhënave nga Doganat, ka rritur ndjeshëm eksportet sivjet.

Ulje ka shënuar me 7% grupi “minerale lëndë djegëse energji”, që në vitet 2011-2013 udhëhoqën shitjet jashtë vendit, kanë shënuar ulje, edhe pse vijojnë të jenë në vendin e parë.

Por ndërsa kompania “Bankers Petroleum” me ndikim kryesor në rritjen e eksporteve për këtë grup në 6-mujorin e parë rriti me 20% më shumë eksportet, ndikim negativ duket se dha energjia si dhe frenimi i shitjeve të kromit. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra nga 41% në korrik 2013, në 35% në korrik 2014.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/nis-rritjen-prodhimi-made-in-albania/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala