Nga kontrabanda në Veri elita politike e Prishtinës e merr një pjesë të fitimit

Autori:Gazeta Fjala

Lufta-e-Ftohte-ne-Kosove-600x360

Magazina e njohur amerikane që trajton tema të politikës së brendshme amerikane dhe të asaj ndërkombëtare, ka shkruar një artikull për Veriun e Kosovës me autor gazetarin Alexander Clapp. Në shkrim thuhet se Veriu i Kosovës është një zonë e kontestuar por edhe fitimprurëse për elitat në Prishtinë dhe Beograd, të cilat sipas FP “bëjnë shfaqje sikur e urrejnë njëra-tjetrën, por në fakt vetëm e kalojnë fitimin nga një anë në anën tjetër”.

 Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e Foreign Policy.

Aktrimi i Luftës së Ftohtë në Kosovë

Ballkani është skenë qendrore për tensione të reja mes Rusisë dhe Perëndimit, por sa të vërteta janë veprimet?

Mitrovicë, Kosovë – Është vështirë që qyteti i Mitrovicës të mos shihet si fronti më i dukshëm i asaj që disa e kanë quajtur “Lufta e Ftohtë e re” mes Rusisë dhe Perëndimit. Njësoj si kjo luftë e re, bllokada aktuale e qytetit u krijua nga rënia e komunizmit dhe dështimi i tij për ta përshtatur veten me ndonjë rend të ri politik ose ekonomik. Mitrovica dikur ishte zonë lufte, por njësoj si Lufta e Ftohtë e re, tash është bërë një teatër i qelbur me spektakle zgjedhore, ndërhyrje ndërkombëtare e mashtrime të medieve. Dhe ngjashëm si Lufta e Ftohtë e re, qyteti ofron një pengesë mashtruese përballë tërë kësaj – një të tillë që është aq e përshtatshme për aktorët e saj të ndryshëm politikë, saqë po të mos ekzistonte, ata do të ishin të detyruar ta krijonin.

Nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, në Mitrovicë shkohet përmes një rruge rudimentare. Gurët e bardhë e të zinj të varreve të atyre që luftuan për pavarësinë e Kosovës duken në të dyja anët e rrugës. Tendat e Kombeve të Bashkuara janë shndërruar në serra. Keni hyrë në Mitrovicë kur e kaloni zonën e njohur si Trepça – një kompleks i madh industrial i fabrikave dhe 60 minierave, të cilat, në kohën e tyre më të mirë nën pushtetin e Titos, ishin zona më e madhe industriale e Jugosllavisë, ku ishin të punësuar rreth 23 mijë serbë e shqiptarë. Sot, minierat janë kryesisht të mbyllura. Papunësia në këtë rajon ka shkuar në 40 për qind.

Mitrovica është qytet i ndarë. Në bregun jugor të lumit Ibër, shqiptarët i përdorin eurot. Flamujt amerikanë shihen nëpër rrugë. Aty gjenden një restorant i “KFC”-cë, një xhami shumë e madhe dhe një sistem i tërë i organizatave humanitare. Në veri të lumit Ibër, ku shkohet përmes një ure të bllokuar në dy skajet e saj nga veturat e blinduara të karabinierëve italianë, mbishkrimet kthehen në alfabetin cirilik. Serbët i përdorin dinarët. Qyteti bëhet qartazi më i ndotur. Rrugët e vjetra janë të mbushura me lokale të lojërave të fatit që kanë xhama të zinj. Aty mund të shihen edhe flamujt rusë. Posteret e Putinit janë të vendosura nëpër ndërtesat e banimit. “Krimea për Rusinë është si Kosova për Serbinë”, shkruhet në një mbishkrim të madh me shkumës. Burrat me xhaketa të zeza rrinë në kafenenë “Gavrilo Princip”.

Në mëngjesin e hershëm të së martës, në Mitrovicë u zgjova nga tingëllima e sirenave të sulmeve ajrore. “Serbët kanë ardhur për ta marrë përsëri Kosovën”, mendova. Sidoqoftë, këto sirena tregonin se kishte filluar një operacion policor në veri të qytetit, pak kilometra larg kufirit me Serbinë. Në fakt, këto sirena e sinjalizonin të kundërtën e një sulmi serb. Ato sinjalizonin se Prishtina, e cila kurrë nuk e ka kontrolluar veriun e Kosovës si duhet, ishte duke e bërë një shfaqje të rrallë të autoritetit të vet në enklavën e vet serbe. Së paku 12 automjete të blinduara, bashkë me disa vetura të ushtrisë amerikane dhe Kombeve të Bashkuara, kishin hyrë në këtë zonë për t’i arrestuar trafikantët në një fshat të Zubin Potokut. Brenda dy orëve, 19 zyrtarë policorë u arrestuan, përfshirë komandantin e policisë së këtij qyteti dhe dy punëtorë të Kombeve të Bashkuara, në mesin e të cilëve ishte edhe një rus që më vonë u lirua.

Veriu i Kosovës nuk është vetëm tokë kufitare. Është tokë bandash. Do të ishte vështirë të mbivlerësohet përhapja e tregut të saj të zi në jetën e përditshme. Trafikimi nuk është thjesht një tjetër vepër e turpshme për t’u mbrojtur nga përshtypja e mungesës së mbrojtjes dhe tejkalimi i pushtetit nga ana e shqiptarëve. Ai është mbështetje për zonën më të varfër të shtetit më të varfër të Evropës, duke i mbajtur me çmime të lira të gjitha prodhimet kryesore – gazin, prodhimet e qumështit dhe mishin. Rrugët e veriut të Kosovës janë të mbushura me pompa të benzinës që shesin karburante me çmim dyfish më të lirë në krahasim me pjesën tjetër të Kosovës. Shitësit e duhanit ofrojnë disa nga cigaret më të lira në Evropë. Javën e kaluar, gjatë vozitjes afër qytetit të Leposaviqit dhe manastirit të famshëm të Vraçevos, udhëzuesi im bëri me shenjë kah rrugët nëpër të cilat kalojnë në mënyrë rutinore kamionët 18-rrotësh dhe kamionçinat e bardha. “Këto i quajmë rrugë alternative”, tha ai. Të paktën pesë prej tyre kalojnë nëpër kodrat e Kopaonikut, duke u gjarpëruar brenda dhe jashtë territorit të Serbisë paralelisht me sistemin legal të rrugëve. Pothuajse gjithçka që konsumon veriu i Kosovës, nga sapuni për enë deri te gjedhet, vjen përmes tyre, të gjitha pa taksa. Disa policë u dukën në rrugën tjetër. Të tjerët e thyen rrugën.

Prishtina humb miliona euro nga tregu i zi çdo vit. Pse e toleron atë? Nuk është thjesht që autoritetet shqiptare e dinë se trafikimi është duke ndodhur dhe se janë të pafuqishme për të bërë ndonjë gjë për këtë. Nuk është fshehtësi që elita e tyre politike e merr një pjesë të fitimit. Kosova veriore, njësoj si zona tjetër kufitare e Transnistrisë (territor mes Ukrainës dhe Moldavisë), është një vend i kontestuar, por edhe fitimprurës, një zonë shkëmbimi për elitat në Prishtinë dhe Beograd, të cilat bëjnë shfaqje sikur e urrejnë njëra-tjetrën, por në fakt vetëm e kalojnë fitimin nga një anën në anën tjetër.

Pse operacioni dhe pse tash? Gjatë vozitjes drejt kufirit serb, gjëja më e qartë ishte se trafikuesit kishin qenë të informuar më herët për kryerjen e këtij operacioni. Ata kishin pasur kohë të mjaftueshme të mbështeten në kufirin serb dhe të vendosnin barrikada në rrugën që të çon në veri. E kalova një mur me goma që ishin djegur deri në fund, duke e lënë një erë të pakëndshme në ajër. Një ndalesë e vogël autobusi ishte hedhur në rrugë. Në rrugë kishte edhe pako me Coca-Cola dhe Fanta. Drurët e prerë ishin shpërndarë gjithashtu në rrugë. Barrikadat bëheshin më të dukshme sa më shumë që i afroheshim kufirit me Serbinë. Policia e kishte larguar me forcë një kamion të portokalltë dhe e kishte hedhur poshtë rrugës. Rreth mesditës, një kolonë me së paku 12 vetura të blinduara kaluan përballë meje përderisa po shkonin në Mitrovicë. Pranë tyre, disa trupa me uniforma të kaltra tundnin armët automatike dhe buzëqeshnin para gazetarëve.

Afër fshatit të zymtë të Zubin Potokut, dëshmitë e të shtënave që lanë katër policë të plagosur filluan të bëhen më të qarta. Xhamat e pasmë të dy veturave ishin të thyer. Në qiell, një helikopter ushtarak sillej pranë majave të maleve dhe nganjëherë lëvizte drejt kufirit me Serbinë, ku presidenti Aleksandar Vuçiq thotë se e ka përgatitur ushtrinë në rast të ndonjë provokimi tjetër. Serbët e qytetit qëndronin duke përdorur telefona dhe duke shitur video të të shtënave. “A e di tregimin për zemrën serbe në Gjermani”, u përgjigj njëri kur i kërkova ta përshkruante përleshjen. “Harroji të shtënat. Disa vjet më parë, një terrorist shqiptar e qëlloi një serb dhe ia shiti zemrën – zemrën!- në tregun e zi të Gjermani”, tha ai. Për shumicën e fshatarëve, operacioni i policisë është pak më shumë se ndërhyrja tipike e shqiptarëve në punët e tyre.

Por për të tjerët në Kosovë, është e qartë se ky aksion ishte vetëm një spektakël tjetër që u bë për komunitetin ndërkombëtar. Për një kohë të gjatë, Prishtina nuk ka bërë asgjë për fenomenin e dukshëm të trafikimit. Vitin e kaluar, kur u vendos taksa 100 për qind për të gjitha prodhimet e importuara nga Serbia, trafikimi vetëm u rrit – dhe prapë, asgjë. Por këtu ishte një përpjekje – e vogël dhe kryesisht simbolike – për t’iu treguar Berlinit, Brukselit dhe Uashingtonit se Prishtina është duke bërë diçka për luftimin e trafikimit. Sa u përket serbëve, qoftë të Beogradit apo të Mitrovicës, atyre u është dhënë mundësia të duken të tronditur dhe t’i tmerrojnë votuesit me ndërhyrjen e paparalajmëruar në territorin e tyre.

Pasdite, gjatë kthimit nga Zubin Potoku, taksisti devijoi nga rruga kryesore dhe hyri në një rrugë të paautorizuar. “Regjistrimi im është i pavlefshëm”, tha ai duke i rrudhur krahët. “Por këndej nuk ka policë për të më kapur”./Përktheu: Nasuf Abdyli/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/nga-kontrabanda-ne-veri-elita-politike-e-prishtines-e-merr-nje-pjese-te-fitimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala