Nga dy prokurorë në çdo komunë për ditën e zgjedhjeve

Autori:Gazeta Fjala

Partitë-politike-po-përgaditen-per-zgjedhje-650x358

Zyrtarët e Prokurorisë së Kosovës bëjnë të ditur se për ta ruajtur votën e qytetarëve më 22 tetor janë caktuar nga 2 prokurorë kujdestarë në 38 komunat e vendit gjersa prokurorët tjerë do të jenë në Dhomën Operative.

Kanë mbetur vetëm edhe 9 ditë deri në ditën e zgjedhjeve lokale, përderisa institucionet kompetente po i bëjnë përgatitjet e fundit që procesi të shkojë sipas planit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 32 mijë vëzhgues për zgjedhjet e 22 tetorit, përderisa janë caktuar edhe 100 prokurorë kujdestarë për këtë ditë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) me vëzhguesit e saj do të jetë e pranishme në komunat veriore të vendit, ku do të ofrojë ndihmë teknike, gjersa zyrtarët policorë thonë që i kanë marrë të gjitha masat për të ofruar siguri maksimale jo vetëm në komunat veriore, por në gjithë vendin.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka njoftuar se KQZ-ja ka akredituar 32 mijë e 500 vëzhgues, një pjesë e të cilëve do të angazhohen edhe në komunat veriore të Kosovës. Përveç tyre në veri njofton Daka se do të angazhohet edhe OSBE-ja.

Daka tha se roli i OSBE-së në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të jetë i kufizuar vetëm në komunat veriore dhe atë vetëm për ndihmë teknike.

“Vëzhguesit të cilët akreditohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë qasje në të gjitha qendrat e votimit në gjithë Republikën e Kosovës. Është çështje e tyre se ku do të vëzhgojnë procesin zgjedhor. Ndërkaq roli i misionit të OSBE-së në këto zgjedhje do të jetë i kufizuar, vetëm në komunat veriore dhe atë për mbështetje teknike në ditën e zgjedhjeve, njësoj si në zgjedhjet e 11 qershorit”, ka thënë ajo gjatë një interviste për gazetën “Zëri”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/nga-dy-prokurore-ne-cdo-komune-per-diten-e-zgjedhjeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala