Nën pushtetin e ujit

Autori:Menderes Ibra

656X37337230menderes_ibra

1.

“Atëherë kur të keni prerë edhe drurin e fundit, të keni kapur peshkun e fundit, të keni ndotur edhe lumin e fundit, kur ajri që thithni do të jetë i neveritshëm e sëmundjesjellës….. atëherë do të kuptoni që paratë tuaja në banka  nuk mund t’i hani. Por, atëherë do të jetë shumë vonë!”. Këto fjalë i atribuohen një njeriu të menqur indigjen decenje më parë, kur kishte parë trendin e tmerrshëm të shfrytëzimit të resurseve natyrore pa kurrfarë kontrolli dhe me qëllim të vetëm profitin momental.

Dhe vërtetë, e shiquar nga perspektiva e sotme, duke parë gjithë këto fatkeqësi natyrore, ndryshime klimatike e rreziqe të panumërta për njeriun, nga mos ruajtja e mosrespektimi i harmonisë magjike të natyrës, ato tingëllojnë pothuajse profetike. Në shumë vende të botës furia e natyrës e shprehur në forma të nduarduarshme është duke e marrë tagrin e saj të rëndë, jo vetëm në formë të dëmeve natyrore, por edhe me jetë njerëzish. Disa e quajnë edhe hakmarrje të natyrës, mirëpo fundja pak ka rëndësi kjo krahasuar me pasojat dhe çmimin që po paguajmë sot e veçanërisht atë që do të paguajmë nesër. Duke parë këtë, para secilit prej nesh shtrohet pyetja: Sa jemi duke e mbrojtur e ruajtur natyrën e ambientin, e vetëvetiu edhe jetën tonë?!! Me këtë qasje të papërgjegjshme, të paplanifikuar dhe lakmitare deri në fund, a mos jemi duke e prerë përfundimisht degën ku jemi të ulur? A jemi duke e kuptuar këtë, apo edhe më keq, a është tashmë tepër vonë për të ndryshuar diçka?

 

2.

Kohëve të fundit globalisht shohim uragane, tajfune, tërmete, vërshime apo thatësira që janë duke kërcnuar seriozisht njerëzimin dhe duke shkaktuar dëme të pallogaritshme. Vetëm dy uraganet e fundit në SHBA p.sh. shkaktuan mbi 220 miliardë $ dëme materjale, (kurse për krahasim, mestarja vjetore globale e dëmeve ekonomike nga fatkeqësitë natyrore deri në vitin 2015 ishte mbi 300 miliardë $ në vit). Sipas të dhënave nga Banka Botërore çdo vit  nga dëmet nga fatkeqësitë elementare mbi 26 milion njerëz në botë ‘hyjnë’ në kontigjentin e të varfërve, kurse në aspektin e kostos në mirëqenje, këto fatkeqësi natyrore i kushtojnë ekonomisë globale mbi 520 miliardë $ në vit. Në tërë këtë më së shumti pësojnë shtetet e pazhvilluara, e ku më së shumti vuajnë komunitetet më të varfëra e lehtë të cënueshme, të cilat pësojnë goditjen kryesore me këtë rast.

Fatmirësisht, ne nuk prekemi nga emergjenca të tilla shkatërruese, mirëpo janë vërshimet (ose thatësirat) ato që kërcnojnë çdo vit edhe Kosovën e edhe Shqipërinë,(quditërisht e paradoksalisht uji – ky lëng i çmuar dhe i domosdoshëm për jetën na kërcnon në të dyja rastet, edhe kur mungon, e edhe kur vërshon). Gjatë këtyre ditëve dramatike të vërshimeve dhe përmbytjeve në Shqipëri vazhdoi beteja kundër pushtetit të ujit, që pamshirshëm goditi zona të tëra duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë publike, shtëpi e objekte banimi e dhjetëra mijëra hektarë tokë bujqësore. Këto skena të llahtarshme të përballjes me stihinë e papërmbajtshme të ujit lëre që nuk e lë asnjërin indiferent, por shkaktojnë një shqetësim e stres të madh te secili duke parë se si çdo gjë që ka krijuar njeriu shkatërrohet për pak qaste. Krahas atyre që drejtëpërsëdrejti luftojnë për të shpëtuar e forcave të organizuara që ofrojnë ndihmë, të tjerë shprehin keqardhje dhe bashkëndjehen me të goditurit duke u lutur që të mos ndodhë më e keqja.  Mirëpo, në përballje me një vërshim, përmbytje, tërmet apo çfarëdo emergjence tjetër natyrore, ajo që njeriut nuk i kryen shumë punë është lutja, sepse, moti, qysh moti, gjeniu popull ka thënë :“S’bëhet vreshti me lopata po me shata e lopata”!

3.

Doemos, pyetja që duhet shtruar jo vetëm para çdo individi por edhe si shoqëri është e thjeshtë: A jemi duke nxjerrë mësime të duhura nga dukuritë që përsëriten rregullisht, dhe a jemi duke bërë vetëm veprime reaktive për tejkalim momental të gjendjes? A jemi duke bërë gabime të njejta prej viti në vit, duke e ‘shuar zjarrin vetëm kur ai shpërthen, dhe jo duke planifikuar pengimin e shpërthimit të tij’? Si ndodhë që aq lehtë harrojmë se planeti ynë udhehiqet nga ligjet e  fizikës të cilat janë të pandryshueshme, e thyerja e të cilave ka konsekuenca të pallogaritshme. Si, e pse ndodhë që për një përfitim afatshkurtër e personal, të anashkalojmë pasojat afatgjate, dhe kështu të mos vërejmë dëmet që ‘presin te dera’.

4.

Është fakt se përveç infrastrukturës publike, shtëpive e objekteve të banimit, dëmet më të mëdha në të tilla raste i pëson sektori i bujqësisë. Një nga instrumentet më të rëndësishme që gjithandej në botë janë krijuar për të menaxhuar suksesshëm rreziqet nga faktorët natyror është edhe sigurimi i prodhimtarisë bujqësore nga këto rreziqe. Përmes këtij mekanizmi jo vetëm që përkrahet veprim i hershëm ndaj emergjencave natyrore, por edhe përshpejtohet rikuperimi nga dëmet e shkaktuara. Për më tepër sigurimet në bujqësi shërbejnë edhe për të ruajtur e kursyer buxhetin e shtetit, të cilit në mungesë të tyre i duhet që të intervenojë për zbutjen e ndikimit të dëmeve. Kur prodhimtaria bujqësore është e siguruar atëherë fermerët të paktën do të kompenzohen deri në një shkallë për dëmet. Sigurimet bujqësore janë shtyllë bazike në prodhimtarinë bujqësore, pa të cilën në kushtet e sotme pothuajse është e pamundur që të punohet në ‘fabrikën pa kulm’, dhe për këtë arsye atë e hasim sot në shumë e shumë shtete të botës. Por ende jo te ne. Për fat të keq Kosova dhe Shqipëria sot janë të vetmet vende në Evropë që nuk kanë sistem të sigurimit të prodhimtarisë bujqësore. Duke ndërtuar sistem të tillë institucionet publike përveç që plotësojnë një obligim të mandatit të tyre në funksion të zhvillimit dhe të së mirës së përgjithshme, në fakt u ndihmon atyre, dhe të jenë menaxhues efektiv të rreziqeve përmes politikave proaktive e jo vetëm atyre reaktive apo të marrjes me pasojat. Krijimi i sistemit të sigurimit të prodhimtarisë bujqësore sot vërtetë është domosdoshmëri, e si e tillë duhet të jetë prioritet i lartë nacional dhe që kërkon veprime imediate institucionale.

5.

Pra, nuk është se pas një përmbytjeje apo çfarëdo fatkeqësie natyrore mjafton që të përllogaritet vetëm vlera e dëmit në kosto financiare, pasi që ajo që pëson më së shumti me këtë rast është mirëqenja e njeriut. Në fakt për këtë arsye gjithmonë vlera totale e dëmeve në mirëqenjen e njerëzve është shumë më e lartë se sa ajo e përllogaritur dhe e raportuar për vlerën e dëmeve.

Sikurse në çdo gjë, edhe në përballjen me përmbytjet dhe fatëkeqësitë tjera natyrore ndryshimi i mentalitetit të përgjithshëm është i rëndësisë parësore. E në rastin tonë kjo ka të bëj veçanërisht me të kuptuarit e përgjegjësisë që të gjithë kemi rreth saj, në planifikimin me kohë dhe në krijimin e  masave preventive. Vetëm kur përballemi me stihinë e ujit ne kuptojmë se sa e rëndësishme është që shtrati i një lumi të mos jetë i dërmuar nga eksploatimi për inerte, që një kanal kullimi të mos jetë i bllokuar nga një person i pandërgjegjshëm, që një beden e argjinaturë mbrojtëse të jetë e ndërtuar si duhet dhe me kohë. Vetëm atëherë e kuptojmë se sa e rëndësishme është që të kemi planifikim urban e rural dhe shtëpitë të mos ndërtohen në mes arash e fushash bujqësore. Vetëm atëherë e kuptojmë qoftë edhe vlerën e një druri të vetëm që sado pak do të pengonte valën e ujit.

Të gjitha këto kërkojnë patjetër që planifikimi largpamës dhe puna në  menaxhimin e përgjithshëm të ujërave të bëhet prioritet i lartë, si dhe vlera  e investimeve publike në funksion të mbrojtjes nga përmbytjet dhe fatëkeqësitë tjera natyrore të rritet, sepse nuk ka asnjë kosto sado e lartë qoftë që e tejkalon nivelin e dëmeve.

Mentaliteti konsumues e lakmues ndaj shfrytëzimit shterrues të burimeve natyrore duhet të ndryshojë, sepse ashtu sikurse që ne nuk ishim gjeneratat e para të njerëzimit në këtë botë, po ashtu nuk do të jemi as të fundit. Resurset që kemi, e që janë të kufizuara duhet tua lëmë trashëgim fëmijëve e pasardhësve tanë, sepse bota dhe resurset natyrore janë edhe të tyret.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/nen-pushtetin-e-ujit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala