Në Kosovë shitet kartoni i gjelbër jashtëligjshëm

Autori:Gazeta Fjala

BQK600

Kosova ende nuk ka të drejtë në kartonin e gjelbër. Kjo për shkak se Byroja Kosovare e Sigurimeve nuk është e anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtar të sigurimeve.

Megjithatë në mënyrë të jashtëligjshme kartoni i gjelbër po shitet në Kosovë, shkruan Gazeta Fjala.

Për këtë dukuri është njoftuar edhe Banka Qendrore e Kosovës, e cila ka alarmuar për qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është njoftuar se në Kosovë ka persona të cilët shesin kartona të gjelbër. Kartoni i Gjelbër është certifikatë e lëshuar nga ndonjë kompani e sigurimit e cila është anëtare e Byrosë kombëtare, që është anëtare e Këshillit të Byrove. Sistemi ndërkombëtar i sigurimit të automjeteve i menaxhuar nga Këshilli i Byrove me anë të kartonëve të gjelbër është një marrëveshje ndërkombëtare në mes të autoriteteve dhe institucioneve siguruese, i cili siguron mbrojtjen e policëmbajtësve nga dëmet në aksidentet rrugore të shkaktuara nga automjetet vizituese”, thuhet në një komunikatë për media të BQK-së.

Byroja Kosovare e Sigurimit akoma nuk është anëtare e Këshillit të Byrove, prandaj asnjë sigurues në Kosovë nuk ka të drejtë shitjen e kartonit të gjelbër. Ndërlidhur me këtë, BQK-ja nga rrjetet sociale ka vërejtur se disa persona, të paautorizuar dhe të palicencuar nga ana e BQK-së ushtrojnë veprimtari ndërmjetësuese në sigurime në mënyrë të paligjshme, duke u angazhuar në shitjen e kartonit të gjelbër.

“Për më tepër, asnjë kompani sigurimi, e pajisur me licencë nga BQK-ja, dhe asnjë person fizik apo juridik i jashtëm, nuk ka të drejtë të shes një produkt të tillë në Kosovë, derisa Byroja Kosovare e Sigurimit të bëhet anëtare e Këshillit të Byrove, apo pa lejen e Këshillit të Byrove dhe BQK-së”.
BQK njofton qytetarët se blerja e kartonit të gjelbër nga persona të palicencuar është me rrezik, derisa asnjë institucion nuk i mbikëqyr dhe kontrollon këta persona, dhe në rast të lindjes së ndonjë kontesti apo shkaktohet ndonjë humbje, BQK-ja nuk mund të marrë asnjë përgjegjësi lidhur me këtë. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ne-kosove-shitet-kartoni-i-gjelber-jashteligjshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala