Ndiheni përherë të uritur? Këto janë arsyet!

Autori:Gazeta Fjala

AAEAAQAAAAAAAAY3AAAAJDBjYmY2MzNlLWVkYmUtNGNkNi05NDUyLWE3MTE2MjIwYzEwYw

Uria është armiku më i madh për një person që ka nisur të mbajë dietë për të rënë në peshë. Nëse e ke anashkaluar një vakt, është normale të ndihesh i/e uritur, por nëse ke ngrënë dhe sërish ndjen uri, dije se nuk ke të bësh me diçka të lehtë. Ka një sërë arsyesh që mund të ndikojnë tek shëndeti yt duke të të shtuar urinë, ndaj është mirë t’i shmangësh ato për të parandaluar pasojat më të rënda për shëndetin tënd. Më poshtë do të keni mundësi të lexoni pesë nga arsyet më të shpeshta që çojnë në shtimin e ndjesisë së urisë.

Çrregullimet e gjumit

Personat që nuk flenë 7-8 orë çdo natë, mund të ndihen gjithë kohës të uritur. Një natë e kaluar me pak orë gjumë mund të rrisë sekretimin e hormonit grelinë, i cili stimulon oreksin dhe të ulë sekretimin e leptinës që e frenon oreksin. Rezultantja e të dy efekteve është shtimi më i lartë i oreksit. Nga ana tjetër, çrregullimet e gjumit mund të çojnë edhe në ndryshime të humorit, alterime të përqendrimit, vështirësi për të qëndruar zgjuar gjatë ditës dhe në shtim të peshës. Nis të bësh 7-8 orë gjumë çdo natë për të rifituar energjitë dhe për të rregulluar nivelet e hormoneve që lidhen me urinë.

Stresi

Nivelet e larta të stresit çlirojnë hormonin kortizol nga gjendra mbiveshkore. Ky hormon të shton urinë dhe dëshirën për të marrë ushqime të ëmbla, si dhe ushqime të pasura në yndyrna. Të ngrënët e tepërt nuk të bën ta reduktosh stresin, por të shkakton një shtim të peshës dhe një sërë problemesh të tjera që lidhen me shëndetin. Simptoma të tjera të lidhura me stresin janë nervozizmi, lodhja, dhimbja e kokës, problemet me gjumin, dhimbjet e stomakut etj, shkruan bota.al, transmeton Klan Kosova. Për ta luftuar stresin, duhet të merreni me ushtrime fizike si dhe të meditoni. Edhe dëgjimi i muzikës mendohet se ndihmon në reduktimin e stresit.

Problemet me tiroiden

Uria e tepërt mund të vijë edhe për shkak të hipertiroidizmit. Kur nivelet e hormoneve të tiroides janë të lartë, ngjarjet fiziologjike në trup përshpejtohen dhe shpenzohet më tepër energji se sa normalisht. Kjo gjë shton urinë për të rimarrë sasitë e humbura të energjive. Një nga shenjat më tipike të personave që vuajnë prej hipertiroidizmit, është edhe rënia në peshë, edhe pse mund të hanë ushqim, njësoj sa hanin më parë. Kjo vjen pikërisht prej shpenzimit të lartë të energjisë në organizëm. Mënyra e kurimit përfshin marrjen nga jashtë të hormonit tiroidien T4 në sajë të medikamenteve, si levotiroksina.

Nivelet e ulëta të sheqerit në gjak

Hipoglicemia ka të bëjë më rënien e nivelit të sheqerit në gjak. Një nivel i ulët i glukozës në gjak shton kontraksionet e stomakut, të cilat rezultojnë më pas në shtim të urisë. Nga ana tjetër, ulja e nivelit të glukozës bën që edhe truri “të vuajë” për energji dhe të japë sinjalet e duhura nervore për shtimin e oreksit dhe marrjen e ushqimeve. Simptoma të tjera të hipoglicemisë përfshijnë edhe djersitjen, ankthin, nervozizmin, tharjen e gojës, ndjesi diskomforti etj.

Diabeti

Si diabeti mellit tip 1, apo 2 çojnë në shtimin e nevojës për marrje të ushqimit. Normalisht sasia e sheqerit që marrim me ushqimet, shndërrohet në organizëm në një metabolit të vetëm, në glukozë. Glukoza hidhet në gjak për t’u shpërndarë në të gjitha indet e organizmit, në mënyrë që të sigurojë energjinë e nevojshme, në sajë të reaksioneve përkatëse biokimike. Në diabet, glukoza nuk kapet mjaftueshëm nga indet periferike dhe nuk siguron kështu sasinë e nevojshme të energjisë. Kjo gjë mund të çojë në shtim të urisë. Simptoma të tjera të diabetit përfshijnë edhe etjen ekstreme, humbjen e peshës, alterimet e shikimit, lodhjen etj. Mjekimi është farmakologjik me marrjen e insulinave, ose hipoglicemiantëve oralë, gjithmonë nën rekomandimin e një mjeku endokrinolog.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ndiheni-perhere-te-uritur-keto-jane-arsyet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala