Ndëshkimi fizik i fëmijëve nga prindërit, krim në Francë

Autori:Zekirja Shabani

104551512_de27-852x460

Dackat, ulërimat dhe shpullat për fëmijët, tani përbëjnë krim në Francë, vend në të cilin ato janë praktika që përdoren shpesh nga prindërit.

Ligji i sapomiratuar për ndëshkimin fizik përcakton që autoriteti prindëror duhet ushtruar pa dhunë, të asnjë lloji, përfshirë atë fizike, verbale apo psikologjike.

Edhe qeveritë e mëparshme kishin tentuar të ndërhynin në këtë pikë, por ishin ndeshur me rezistencën e konservatorëve.

Në vitin 2016, një ligj u bllokua nga Gjykata Kushtetuese, sepse ishte miratuar në formë amendamenti ndaj një ligji me një tjetër objekt. Asambleja Kombëtare votoi tekstin me vetëm një votë kundër, ajo e një deputeteje të zgjedhur nga ekstremi i djathtë, sipas të cilës ligji i privon prindërit nga të drejtat e tyre.

Një numër deputetësh kanë abstenuar po ashtu. Ligji ishte prezantuar nga një deputet i qendrës, i mbështetur edhe nga qeveria. Deri më tani, ndëshkimet e fëmijëve ishin përcaktuar “dhunime edukative normale”, për t’i diferencuar kështu nga keqtrajtimet e vërteta, por me ligjin e ri ato ndalohen tërësisht.

Franca bëhet kështu vendi i 55-të që ndalon ndëshkimet trupore të fëmijëve, nismë kjo e aplikuar për herë të parë në Suedi në vitin 1979. Aktivistët thonë se, rreth 85 për qind e prindërve në Francë aplikojnë ndëshkimin fizik.

Javën e kaluar madje, 4 pjesëtarë të një familjeje u arrestuan, pasi një nëntëvjeçar u rrah për vdekje në qytetin lindor Mulhouse. Zyrtarë të policisë thanë se djaloshi kishte refuzuar të bënte detyrat e shtëpisë dhe ishte goditur me shkopin e një fshese. Sipas studimeve, fëmijët vuajnë nga çrregullime mendore nëse rrihen.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ndeshkimi-fizik-i-femijeve-nga-prinderit-krim-ne-france/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala