Mustafa mesazh Vuqiqit: Presheva, Medvegja e Bujanoci janë të Kosovës…

Autori:Gazeta Fjala

isa mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar një mesazh të qartë homologut të tij serb Aleksandër Vucic. Ai ia ka bërë me dije shtetit të Serbisë se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë tri komunat e Kosovës Lindore.

Këtë mesazh ai e ka përcjellë tërthorazi duke takuar në Prishtinë, përfaqësuesit më të lartë të kësaj ane, shkruan Gazeta Fjala.

Në takim me kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberi, nënkryetarin  Preshevës, Xhelal Memeti, kryetarin e Forumit për Zhvillim Ekonomik, Muharrem Salihu, koordinatorin për Politikë të Jashtme, Aziz Aziri, si dhe Muharrem Zejnullahun, kanë biseduar për fuqizimin e koordinimit në funksion të zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, social dhe kulturor të tri komunave.

“Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për banorët, autoritetet lokale si dhe ndërmarrësit që veprojnë në këto tri komuna, me qëllim të avancimit të zhvillimit dhe fuqizimit të rolit të kësaj pjese të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.

Në këtë takim u fol për projekte konkrete të cilat do të ndihmonin në avancimin e proceseve dhe zhvillimin e gjithanshëm të këtyre tri komunave.

Kryeministri Isa Mustafa, para pak javësh në Gjilan, ka zhvilluar një drekë pune me përfaqësuesit e shqiptarëve të tri komunave të Kosovës Lindore, përkatësisht me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani, kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberi, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu dhe kryetaren e Kuvendit Komunal të Preshevës, Ardita Sinani, ku është biseduar për fuqizimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të banorëve të këtyre tri komunave./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/mustafa-mesazh-vuqiqit-presheva-medvegja-e-bujanoci-jane-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala