MTI paralajmëron masa për shitësit e derivateve që nuk i vendosin çmimet në tabela

Autori:Gazeta Fjala

KK

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk do të tolerojë mosrespektimin e udhëzimit administrativ, i cili obligon pikat shitëse të derivateve të vendosin çmimet në tabelat përkatëse në hyrje të tyre.

Kështu ka deklaruar sot, zëvendësministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Arbëreshë Krasniqi, gjatë kontrolleve në pompat e benzinës dhe naftës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij udhëzimi administrativ. Krasniqi tha se obligohen të gjitha pikat shitëse që t’i vendosin tabelat me qëllim që konsumatori t’i ketë sa më të qarta çmimet.

“Ne po bëjmë punën më të mirë. Inspektorati po vazhdon që të përcjellë këtë gjendje. Udhëzimi administrativ duhet të respektohet. Përndryshe ne e dimë që nëse nuk respektohet ka edhe pasoja. Kështu që unë ju bëjë thirrje të gjitha pikave të karburanteve që të respektojnë udhëzimin administrativ, i cili është nxjerrë nga MTI në krye me z.Shala… Udhëzimi administrativ është i mbështetur në ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe MTI në kontinuitet ka interesim të veçantë për mbrojtjen e konsumatorëve”, u shpreh ajo.

Ajo tregoi edhe të gjeturat e këtij kontrolli, ku tha se janë të pakta raset që nuk kanë zbatuar udhëzimin përkatës.

“Në disa vizita që bëmë, ka disa raste, më pak, që nuk janë të vendosura tabelat mirëpo menaxherët e pikave shitëse kanë dhënë premtim që aty ku nuk janë të vendosura që aty ku nuk janë të vendosura do të vendosen në vazhdimësi, dhe shumë shpejt do të vendosen”, tha ajo.

Krejt në fund, zëvendësministrja u shpreh se kontrolle të ngjashme do të ndodhin në të gjitha pikat shitëse të karburanteve. Ndërsa theksoi se udhëzimi administrativ është në interes të qytetarëve, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/mti-paralajmeron-masa-per-shitesit-e-derivateve-qe-nuk-i-vendosin-cmimet-ne-tabela/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala