“Mjeti që shkaktoi vdekjen e Deharit” ende gjendet në kantinat e burgjeve

Autori:Gazeta Fjala

astrit-dehari1-780x439_1480110512-8820264

Mjalti në shishe plastike vazhdon të shitet nëpër kantinat e burgjeve, edhe pse raporti i autopsisë e konsideroi një shishe të tillë shkaktare të vdekjes së Deharit.

Shishja e mjaltit që ishte mjeti me të cilin sipas autopsisë, Astrit Dehari u vetëvra, ende është i disponueshëm në Shërbimet Korrektuese të Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Drejtësisë, Orhan Hajrizi , mjeti në fjalë nuk ishte vlerësuar dhe as nuk vlerësohet si i rrezikshëm për t’u blerë në këto qendra.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po qëndronte si i akuzuar për terrorizëm.

Megjithëse në publik kjo vdekje u diskutua duke u cilësuar herë si vrasje, e herë si vetëvrasje, rezultatet finale të autopsisë e konstatuan si vetëvrasje nga asfiksia.

Sipas ekspertëve ligjorë dhe atyre të pavarur të angazhuar nga familja, vdekja e Deharit kishte ardhur si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga një shishe plastike e mjaltit që ishte blerë në kantinën e qendrës së paraburgimit.

Megjithatë, ky mjet sipas Hajrizit nuk kishte se si të konsiderohej i rrezikshëm, meqenëse është paketim plastik.

“Një gjë e tillë nuk është vlerësuar e rrezikshme meqë është paketim plastik dhe është në kantinë për të gjitha institucionet”, tha Hajrizi për KALLXO.com

Gjithashtu, ai deklaroi se një mjet i tillë vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë i qasshëm nëpër kantina të institucioneve.

“Po ky ushqim ende mund të gjendet nëpër kantinë për blerje, meqë mjalti nuk konsiderohet i rrezikshëm”, deklaroi Hajrizi.

Pas vdekjes së Deharit, Lëvizja “Vetëvendosje” ka organizuar disa marshe protestuese dhe ka kërkuar mbajtje të një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar vdekjen e Deharit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/mjeti-qe-shkaktoi-vdekjen-e-deharit-ende-gjendet-ne-kantinat-e-burgjeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala