Ministria pa ministër, integrimi zvarrë

Autori:Gazeta Fjala

vizat

Koalicioni qeverisës ka disa muaj që nuk po arrin ta zëvendësojë Bekim Çollakun në postin e ministrit të Integrimeve.

Mungesa e ministrit të Integrimeve po e zvarrit edhe procesin integrues e në veçanti MSA-në. Edhe Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësimin e tij në raportin për Kosovën, lidhur me postin vakant të ministrit të IE-së

Lënia e Ministrisë së Integrimit pa ministër do të ndikojë negativisht në proceset e Kosovës, veçmas në zbatimin e mirëfilltë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Kështu kanë paralajmëruar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë.

Sipas tyre, lënia vakant e këtij posti e bën gati të pamundur koordinimin e procesit të MSA-së, pasi që, siç shprehen ata, MIE-ja është institucioni kryesor që merret me koordinimin e të gjitha institucioneve të tjera për zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim.

Përderisa përfaqësues të Qeverisë thonë se ministri në këtë dikaster do të emërohet atëherë pasi koalicioni do ta propozojë një kandidat, opozita thotë se në kohën kur do të duhej të punohej më shumë për integrim Qeveria e ka lënë dikasterin e integrimeve fare pa udhëheqës.

Parlamenti Evropian, i shqetësuar për postin vakant të kreut të MIE-së

Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësimin e tij në raportin për Kosovën, lidhur me  postin e zbrazët të ministrit të Integrimeve Evropiane.

Sipas këtij raporti, i cili pritet të lexohet të hënën, lënia bosh e këtij posti ndikon në efikasitetin dhe në koherencën e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim.

Draftin e Raportit për Kosovën e ka përgatitur zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ministria-pa-minister-integrimi-zvarre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala