Ministria e Bujqësisë dhe USAID-i me marrëveshje për inkurajim të fermerëve

Autori:Gazeta Fjala

rikallo-852x460

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, dhe drejtoresha e USAID-it, Lisa Magno, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi dhe marrëveshje për Fondin e Mirëbesimit, që ka për qëllim avancimin e rritjes së sektorit të bujqësisë, konkretisht për zinxhirin e vlerave të frutave të imëta dhe bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë.

Ministri Rikallo tha se përmes strategjive dhe politikave zhvillimore të Ministrisë së Bujqësisë, do të inkurajohet prodhimi bujqësor dhe fermerët.

“Përmes strategjive dhe politikave zhvillimore të zhvilluara nga Ministria e Bujqësisë, ne jemi përqendruar në inkurajimin e prodhimit bujqësor, duke inkurajuar fermerët dhe duke krijuar mundësi të reja për ta”.

“Strategjitë e miratuara dhe politikat që implementojmë kanë për qëllim të ndihmojnë në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe shfrytëzimit efikas të burimeve natyrore që posedojmë”, shtoi ministri Rikallo.

Ministri u shpreh i lumtur për marrëveshjen e nënshkruar dhe për bashkëpunimin me USAID-in.

“USAID ka një vend shumë të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë dhe meritat e saj për rezultatet e shkëlqyeshme të cilat janë arritur viteve të fundit”.

Rikallo tha se me këtë kontratë do të ndihmohen prodhuesit bujqësorë për të bërë një hap të rëndësishëm në produkte.

“Kjo kontratë trevjeçare do të ndihmojë prodhuesit tanë bujqësorë që prodhojnë mjedrat dhe manaferrat, bimët mjekësore dhe aromatike për të bërë një hap të rëndësishëm në sasitë dhe cilësinë e produktit”.

Ai po ashtu tha se prodhuesit e këtyre produkteve do të subvencionohen së shpejti.

“Në zhvillimin e sektorit të mjedrave ndihma në këtë vit të rëndë po mundohemi të zgjedhim në shumë mënyra dhe kjo sot që kemi nënshkruar është një ndër ato mënyra dhe prodhuesit që merren me mjedra kanë për t’u subvencionuar së shpejti”.

Në pyetjen që iu bë ministrit për çmimin e produkteve, ai tha se këtë atë nuk e përcakton qeveria.

“Çmimin e prodhimit të këtyre produkteve nuk e cakton qeveria ose ministria, por e cakton tregtia”.

Drejtoresha e USAID-it, Lisa Magno, e cilësoi si shumë të rëndësishëm partneritetin me Ministrinë e Bujqësisë.

“Ky partneritet është jashtëzakonisht I rëndësishëm dhe do t’i vë në punë resurset tona të përbashkëta me nivelin më të lartë  të transparencës të ndikimit dhe efikasitetit në mënyrë që t’i japim një shtytje prodhimit bujqësor”.

“Ne jemi shumë të pasionuar për potencialin të jashtëzakonshëm bujqësor të Kosovës dhe ka shumë pasion në misionin tonë. Për këtë së pari jam shumë e lumtur që mund t’i shijoj dredhëzat dhe mjedrat që prodhohen në Kosovë”.

“Kosova ka një fat shumë të mirë që ka një tokë shumë të mirë dhe pjellore dhe që është në një lokacion strategjik dhe është një rast strategjik që t’i shfrytëzojnë këto potenciale dhe kemi arritur të ndryshojmë qëndrimet dhe praktikat bujqësore dhe kemi sjellë shumë kultura me vlerë të lartë të cilat japin rendimente të larta”, shtoi ajo.

Magno tregoi se kjo marrëveshje ka vlerë prej 3,8 milionë euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ministria-e-bujqesise-dhe-usaid-i-me-marreveshje-per-inkurajim-te-fermereve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala