Ministria e Bujqësisë dhe DRC-ja memorandum për përkrahjen e fermerëve të komunitetit pakicë

Autori:Zekirja Shabani

17.01.2019

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe  Këshilli Danez për Refugjat-Veprimi në Kosovë(DRC) kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, i cili ka për qëllim përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike të komunitetit pakicë, përmes dhënies së asistencës teknike në zhvillimin e veprimtarive bujqësore.

Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi, ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, ka treguar se ministria është duke u angazhuar përmes formave të ndryshme të përkrah veprimtaritë bujqësore të fermerëve në vend.

“Memorandumi i mirëkuptimit me DRC-në, është një nga format e mbështetjes së fermerëve të komunitetit pakicë në Kosovë, përmes së cilës synojmë që të përkrahim fermerët në zhvillimin dhe avancimin e veprimtarive të tyre bujqësore, duke iu ofruar kështu trajnime dhe asistencë teknike përmes DRC-së”, ka thënë ai.

Krahas kësaj, ministri ka theksuar se përmes memorandumit të mirëkuptimit, DRC-së i krijohen mundësitë që të ofrojë trajnime dhe përkrahje për fermerët e vegjël, përpunuesit dhe tregtaret, ku përmes kësaj ai theksoi se synojnë edhe krijimin e lidhjeve të këtyre fermerëve në tregjet më të mëdha bujqësore.

Ndërkaq, Kristen Stec, drejtoreshë e DRC-së në Kosovë, ka vlerësuar nënshkrimin e këtij memorandumi dhe ka theksuar se gjatë kësaj periudhe, do të angazhohen në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike së komunitetit pakicë, duke iu ofruar atyre trajnime dhe përkrahje profesionale në sektorin e bujqësisë.

Ajo ka treguar se ky memorandum është bërë edhe duke pasur parasysh marrëveshjen e DRC-së me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar(SIDA) për zbatimin e  projektit “Mbështetja e ndërmarrësisë shoqërore dhe promovimi e fuqizimi social-ekonomik tek komuniteti pakicë në Kosovë”, projekt ky i financuar nga SIDA.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ministria-e-bujqesise-dhe-drc-ja-memorandum-per-perkrahjen-e-fermereve-te-komunitetit-pakice/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala