Ministria e Administratës paguan për punën që nuk është kryer

Autori:Gazeta Fjala

gjykata - objekti

Jo rrallë herë dëgjohet të thuhet se zhvatje e konsiderueshme e parave po bëhet në projekte kapitale, qoftë nga komunat apo nga ministritë. Nganjëherë duke bërë pagesa edhe për punët që nuk po kryhen. Një gjë e tillë ndodhi edhe me ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelorë në Novobërdë, ku Ministria e Administratës Publike ka bërë pagesën për punët e pakryera, por që ishin deklaruar si të kryera. Këto gjetje i ka bërë Auditori i Përgjithshëm.

E gjitha kjo po raportohej në ditën kur zëvendësministri i MAP-it, Sami Hajdaraj me zyrtarë të ministrisë krenohej se janë kryer punët mirë dhe me mbikëqyrje të mirë. Nga këto fotografi shihej se aty puna e kryer është struktura e betonit dhe blloqet e murosura, raporton Ndërtimi.info

Ministria e Administratës Publike këtë projekt kapital të nisur dy vite më parë po e quan të mirë kontrolluar. Madje deklarohet se punimet janë afër përfundimit. Derisa ministria lavdërohet për projektin, lëvdata e tyre po bie në kundërthënie me realitetin që shpërfaq Raporti i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për këtë ministri, që mbikëqyrësit e saj kanë pranuar situacione të ndryshme si të kryera, teksa punët nuk ishin askund e paratë ishin derdhur në llogari.

Pronari i kompanisë punëkryese “Vizioni Project”, Shpend Musa i kontaktuar nga Media Ndërtimi.info ka treguar se përshkak disa problemeve që iu ishin paraqitur në fillim të punimeve gjatë ditës së djeshme kanë bërë kërkesë në ministri për zgjatje të afatit edhe për tre muaj.

“Kërkesa për shtyrje afatit po vjen pas disa problemeve që ishin shfaqur. Kemi dorëzuar një kërkesë në Ministrinë përshkak që kemi pas disa probleme në fillim të projektit dhe kemi kërkuar 3 muaj zgjatje të afatit. Diku në nëntor kryhet”, tregon ai.

Në ndërtimin e objektit të gjykatës punëkryesi kishte ndërprerë punimet për tre muaj, pasi që siç thotë Musa kanë pas dispropocion në përmasën e projektit me ministrinë.

“Ka pas dispropocion në paramanën e projektit derisa e kemi zgjidhur me ministrinë. Tre muaj nuk kemi punuar. Ka qenë një material i izoluar diçka që nuk kemi rënë dakord me ministrinë për me mbikëqyrë tani ka mbet si kontest mes kompanisë dhe ministrisë. Pastaj kemi bërë disa analiza për armaturë ku patëm fut armaturë për instalimin e pllakës dhe pas ardhjes së analizave kemi vazhduar punën me marrëveshje të dyanshme”, ka potencuar Musa.

Kurse, në emër të kontratës për ndërtimin e objektit të kësaj gjykate në 2017-tën ishte bërë pagesa prej 43 mijë e 931 euro për situacionin e katërt. Por, ekzaminimi i projektit në terren më 13 mars të këtij viti kishte vërejtur që në tri pozicione të cilat kishin të bënin për punimet e dyerve dhe dritareve nuk ishin kryer, ani pse ato ishin pranuar si të kryera dhe për to ishin dhënë para. Shuma e parave që është dhënë për to ishte 9 mijë e 440 euro.

Arsyetimi i pagesës sipas organit mbikëqyrës ishte se projekti ishte duke vazhduar dhe se operatori ekonomik deri në fund të vitit 2017-të do të përfundonte punët e pakryera.

Ndërsa pronari i kompanisë që kryen punët, Shpend Musa tha se pagesa është bërë meqë dritaret kanë qenë të prodhuara, por që nuk kanë mundur të montohen shkak i motit.

“Ato dritare kanë qenë të prodhuar, por për shkak që në atë kohë ka qenë fundi i vitit nuk i kemi pas montuar, por pas rregullimit të kohës i kemi montuar”, sqarohet Musa.

Kryerja e pagesës për punët të cilat janë ende të papërfunduara në raportin e auditorit të përgjithshëm është në kundërshtim me rregullat që po ashtu rritë edhe rrezikun përkundër pagesës punët që ishin paraparë të mos përfundojnë.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar ministrisë që duhet të siguroj mbikëqyrje dhe kontrolle adekuate mbi kontratat për projektet kapitale dhe mbi organet mbikëqyrëse të punëve.

Kurse në bazë të rastit të identifikuar nga auditimit, ministrisë i është kërkuar që menaxhmenti i saj të ngrisë mekanizmat për kontroll më të avancuar në mbikëqyrjen e kontratave dhe pagesave për projektet kapitale.

Në fillim kjo kontratë ishte parashikuar të kushtonte 350 mijë euro. Mirëpo pasi erdhen ofertat, tenderi iu dha kompanisë “Vision Project” me një çmim prej 412,464.20 euro. Atëbotë kishin aplikuar 17 kompani, 14 prej të cilave ishin të përgjegjshme. Gjithçka ishte nënshkruar dhe filluar më 17.06.2016. që i bie se për 2 vjet sa është planifikuar kontrata, objekti të lëshohej në përdorim më 17 qershor 2018, edhe 18 ditë nga dita e sotme (30 maj). Mirëpo fotografitë që ka siguruar Ndertimi.info, tregojnë se atje ka ende shumë punë.

E gjitha që shihet se është kryer është vendosja e profilëve të fasadës strukturale, kornizave të dritareve në pjesën ballore, e që fasada dhe inventarizimi shihen mjaft larg për t’u përfunduar.

Një përgjigje për gjithë këtë situatë ka munguar nga Ministria e Administratës Publike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ministria-e-administrates-paguan-per-punen-qe-nuk-eshte-kryer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala