Ministri Shala e kryeministri Haradinaj dakordohen për shtim të dinamikës së punës në mbledhjen e KKZHE-së

Autori:Zekirja Shabani

DBF_0886

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka kryesuar mbledhjen e nëntë të Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), ku u adresuan punët e këtij këshilli dhe u diskutua për hapat e ardhshëm.

Ministri Shala tha se që nga ri-funksionalizimi i këtij Këshilli, i cili kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, institucionet pjesëmarrëse së bashku me komunitetin e biznesit kanë qenë mjaft aktivë në punët e përbashkëta për të adresuar me prioritet e të gjitha sfidat kryesore dhe për të zbatuar reformat gjithëpërfshirëse që kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, eliminimit të barrierave, forcimit të ndërmarrjeve të Kosovës, tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vend.

“Duke u nisur nga fakti se Qeveria e Kosovës ka shpallur vitin 2019 si “VIT TË EKONOMISË” ne si institucione pjesëmarrëse në këtë forum publiko – privat do të japim kontributin tonë për të ngritur dhe diskutuar shumë çështje që do të ndikojnë pozitivisht në sferën ekonomike, në aktivitetin e shtuar të bizneseve, në rritjen e investimeve të huaja direkte në vend dhe në fund në përmirësimin e jetës së qytetarit të Kosovës”, ka thënë ministri Shala.

Ndërsa kryeministri, Ramush Haradinaj tha se ky vit do të jetë vit i zhvillimit ekonomik në vend.

Kryeministri ka kërkuar më shumë përkushtim nga vartësit e tij, sidomos në tërheqjen e investitorëve.

“Viti 2018 ka qenë më shumë i infrastrukturës ligjore, por viti 2019 do të jetë vit i ekonomisë. Edhe pse në Kosovë e kemi politikën tatimore më të volitshme në rajon ne duam do t’i inkurajojmë investitorët. Ne duhet t’i vazhdojmë së bashku reformat në fushën fiskale. Para nesh mbetet çështja e informalitetit dhe duhet të jemi bashkë që ta trajtojmë këtë temë. Ligji i Punës është miratuar dhe është përcjellë në Parlamentin e Kosovës dhe ajo që është e rëndësishme është se kemi gjetur formulën për lehoninë që nuk i ngarkon sipërmarrësit”, tha kryeministri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ministri-shala-e-kryeministri-haradinaj-dakordohen-per-shtim-te-dinamikes-se-punes-ne-mbledhjen-e-kkzhe-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala