Meta: Marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën janë ngritur në nivel më cilësor

Autori:Gazeta Fjala

ilir meta

Sot në Tiranë është mbajtur Konventa Kombëtare Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste për Integrim. I pranishëm nga Kosova ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

E në fjalën e tij, kryetari i LSI-së, njëherësh i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta foli edhe për Kosovës. Ai vuri theks te dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Koha.net.

“Ne mbështesim avancimin edhe pse të vështirë të dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë duke inkurajuar angazhimin konstruktiv të gjithë aktorëve politik, si në Prishtinë, edhe në Beograd për të ecur më shpejt në këtë drejtim duke mirëpritur marrëveshjen e fundit e arritur për Kodin Telefonik, ne inkurajojmë që të përshpejtohet puna për zbatimin e të gjithë marrëveshjeve të tjera të dakordësuara më parë”, tha Meta, duke shtuar se kanë qenë gjithmonë, si Shqipëri, të angazhuar dhe përkrahës të marrëdhënieve të hapur e bashkëpunuese me Serbinë.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, ai i sheh në një nivel më të lartë, ndërsa liberalizimin e vizave për Kosovën, për Metën, është e drejtë që e meriton Kosova prej kohësh.

“Me Kosovën marrëdhëniet tona të shkëlqyera vëllazërore janë ngritur në një nivel më cilësor bashkëpunimi institucional në interes të konsolidimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit, në dobi të perspektivës evropiane të saj. Ne besojmë se liberalizimi pa vonesë i regjimit të vizave të qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen, është një e drejtë që ata e meritonin prej kohësh”, shtoi Meta.

Ai tha se do të vazhdojnë të kontribuojnë në përkrahjen e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

“Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për rritjen e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe aderimin e saj në të gjithë organizmat rajonal dhe ndërkombëtar”, përfundoi Meta.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/meta-marredheniet-vellazerore-me-kosoven-jane-ngritur-ne-nivel-me-cilesor/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala