Mësoni për normat efektive të interesit

Autori:Gazeta Fjala

kredite-e-ndermarrjeve-650x325

Ka shumë lloje të normave të interesit në tregjet financiare dhe kjo mund të shkaktojë konfuzion tek konsumatorët.  Ky artikull shpjegon një lloj të normës së interesit – “normën efektive të interesit” (NEI). Kjo është një masë (matje) që konsumatorët duhet ta kuptojnë dhe ta shikojnë nga afër, kur negociojnë një kontratë kredie apo  depoziti  me një bankë ose organizatë mikro-kreditore.  Kjo u mundëson atyre matjen më të saktë të kostos së tyre reale për kredinë  e propozuar ose të kthimit real që do të marrin nga një depozitë. Kjo është edhe norma më e mirë e interesit për ta përdorë kur  duan që të krahasojnë lloje të ndryshme të kredive apo depozitave si dhe kur duan të krahasojnë kreditë apo depozitat në banka të ndryshme.

Çfarë është një normë efektive e interesit?

qëllimi i një norme efektive të interesit (NEI) është për të matur koston për një huamarrës ose kthimin te një depozitues pasi që të gjitha tarifat (pagesat) dhe kostot që lidhen me një kredi ose një depozitë të jenë përfshirë në llogaritjen e normës së interesit.

Përdorimet e Normave Efektive të Interesit

NEI-të janë të rëndësishme sepse ato u lejojnë klientëve të përcaktojnë sasinë dhe  lehtësisht të krahasojnë kostot e një produkti financiar të ngjashëm në kuadër të bankave të ndryshme ose për të krahasuar kostot ose kthimin mes produkteve që kanë taksa të ndryshme dhe kushte tjera.  Ata, pastaj do të jenë në gjendje për të marrë një vendim më të mirë në zgjedhjen e produktit financiar.  Për shembull, ata mund të krahasojnë koston efektive të një kredie që ka një normë nominale të interesit prej 10% dhe pa asnjë tarifë tjetër, kundrejt një kredie tjetër që ka një normë nominale të interesit prej 8 % plus një tarifë të caktuar prej 100 Euro dhe një tarifë (pages) tjetër për shërbime mujore prej 10 Euro.

BQK-ja ka specifikuar me rregullore mënyrën sipas së cilës bankat dhe organizatat  mikro-kreditore duhet llogaritur NEI-të për kreditë dhe depozitat e tyre.  Kjo është e rëndësishme, sepse ia mundëson  konsumatorit krahasimin e NEI-ve në organizata të ndryshme duke e ditur se ato do të duhej të kalkuloheshin në bazë të njëjtë.

Çfarë përfshihet në llogaritjen e NEI?

Në vijim janë pikat kryesore që përfshihen në llogaritjen e një NEI:

  1. Norma nominale e interesit. Kjo është norma që ceket nga banka si normë e interesit në kontratë.  Për shembull, banka mund të thotë se pagesa e interesit për një kredi është 10%.  Kjo është norma që bankat zakonisht e theksojnë në reklamat e tyre  dhe ajo që konsumatorët i kanë kushtuar më shumë vëmendje në të kaluarën.  Por sapo të përfshihen edhe shpenzimet e tjera që lidhen me një kredi, norma “efektive” e interesit që një klient do të paguajë për kredi mund të jetë tejet e ndryshme nga ajo që është deklaruar  si “normë nominale e interesit” e një kredie.  Janë disa shembuj më vonë në këtë artikull;
  2. Koha-orari i pagesave të interesit: për shembull NEI për një depozitë që ka një “normë nominale të interesit” prej 4%  ndryshon në mes të një depozitë që paguan interes vjetor në fund të vitit dhe asaj që paguan interes kuartal gjatë vitit.  Frekuenca e pagesave gjithashtu ndryshon NEI-në në një kredi.  Sa më shpesh që huamarrësi duhet të bëjë pagesat e interesit, aq më e lartë do të jetë NEI;
  3. Tarifat dhe ngarkesat që duhet të paguhen për të marrë kredinë ose për të depozituar;
  4. Të gjitha tarifat (pagesat), ngarkesat dhe  ndryshimet e çmimeve të parashikuara, në të ardhmen,  që  duhet të  paguhen gjatë kohëzgjatjes së kontratës.

Këto tarifa dhe pagesa mund të bëjnë një ndryshim shumë të madh në shumën që një konsumator do të duhet të paguaj për një kredi ose të fitoj nga një depozitë.  Prandaj është e rëndësishme që konsumatorët të zbulojnë se cilat janë tarifat dhe pagesat që ndërlidhen me një produkt.  Norma efektive e interesit konverton shumicën e këtyre tarifave në një bazë të përbashkët dhe përfshin ato në një numër të vetëm, në NEI në mënyrë që konsumatori mund të bëjë një krahasim të mirë dhe efektiv të kostove të produkteve të ndryshme.  Duke u mundësuar atyre që të marrin një vendim të mirëinformuar kur vendosin se cilën kredi apo depozitë do të zgjedhin, llogaritja NEI duhet t’ia shmangë konsumatorit marrjen e goditjeve të paparashikuara dhe të pakëndshme gjatë kohezgjatjes së një kredie, në rastet kur tarifa të cilën  nuk e kishte vënë re  (ose nuk është informuar për të) të bëhet e pagueshme.

Çka nuk përfshihet në llogaritjen e NEI?

Edhe pse bëhen përpjekje që llogaritjet e NEI -ve  të jenë sa më gjithëpërfshirëse që është e mundur, ka disa kosto që zakonisht nuk përfshihen.  Prandaj është e rëndësishme edhe për konsumatorët që të dinë  se cilat shpenzime nuk janë të përfshira në  llogaritjen e  NEI.  Ato më të rëndësishmet janë:

1. Shpenzimet që nuk janë të lidhura me kredi ose depozitë: kostot të cilat nuk  rrjedhin drejtpërdrejt nga kredia ose depozita zakonisht nuk janë të përfshira në llogaritjen e një NEI.  Për shembull, konsumatori do të duhej të paguante një tarifë për të regjistruar një pronë.  Kjo është një kosto e transaksionit të pronës dhe klienti duhet të jetë i vetëdijshëm për t’u siguruar se ka në dispozicion mjete të mjaftueshme  për të përmbushur këto shpenzime që janë të ndërlidhura me  pronën.  Por kjo tarifë duhet të paguhet edhe në qoftë se prona është blerë pa marrjen e një kredie.  Pra, kjo nuk trajtohet si një pjesë e NEI të kredisë.

2. Kostot dhe çmimet të cilat nuk janë të parashikueshme në kohën që kontrata është duke u negociuar: Është shumë e rëndësishme që një konsumator të kuptojë se vetëm kostot e ardhshme  të parashikueshme  janë të përfshira në një NEI, në momentin e negociimit të një kontrate.  Kjo është aq e rëndësishme për produktet e tilla siҫ janë kreditë me normë të ndryshueshme si dhe kreditë dhe depozitat në valuta të huaja, që  do t’i shpjegojmë  më tutje:

3. Kreditë me normë të ndryshueshme: në një kredi me normë të ndryshueshme, norma nominale e interesit nuk është fikse gjatë tërë kohëzgjatjes së kontratës, por  mund të varirojë nga banka ose organizata mikro-kreditore gjatë kohëzgjatjes së kredisë në bazë të kushteve të tregut financiar ose nga lëvizja e ndonjë indeksi financiar.  Kreditë me normë të ndryshueshme nuk janë të përhapura në Kosovë.  Në nëntor 2013 kanë përfaqësuar 8.4% të totalit të kredive bankare.  Por ato ekzistojnë dhe  mund të bëhen më të shpeshta në të ardhmen kështu që klientët duhet të kuptojnë se si funksionojnë ato.  Nëse një klient është duke konsideruar  zgjedhjen midis një kredie me normë fikse dhe një kredie me normë të ndryshueshme, duhet të jenë të vetëdijshëm për një ndryshim të madh në mënyrën e llogaritjes së  NEI në dy llojet e kredive.  Në një kredi me normë fikse, norma e interesit është e vendosur në fillim të kontratës dhe nuk do të ndryshojë gjatë  kohëzgjatjes së kontratës.  Pra të gjitha pagesat e interesit gjatë  kohëzgjatjes së kredisë janë të “parashikueshme” nga fillimi dhe do të përfshihen në NEI që i paraqitet klientit  para se të  dakordohen për  marrjen e kredisë.

Për një kredi me normë të ndryshueshme,  NEI që i jepet konsumatorit në fillim  nënkupton se norma e interesit fillestar nuk do të ndryshojë gjatë kohëzgjatjes së kredisë.  Por norma e interesit për një kredi me normë të ndryshueshme mundet, e sipas të gjitha gjasave do të ndryshojë  kohë pas kohe  gjatë kohezgjatjes së kredisë.  Nëse norma e interesit rritet nga banka, NEI në kredi do të rritet.  Nëse norma e interesit  ulet nga banka (dhe norma e interesit për një kredi me normë të ndryshueshme mund të lëviz në të dyja drejtimet), NEI në kredi do të bie.  Por banka nuk mund të përfshijë këto ndryshime të ardhshme në normën e interesit kur llogaritet   NEI, në kohën kur është duke u negociuar kredia me konsumatorin, pasi që banka nuk e di kohën apo drejtimin e ndryshimeve të ardhshme të normave të interesit.  Pra, ekziston një rrezik i shtuar për një huamarrës kur merr një kredi me normë të ndryshueshme, pasi  që niveli i pagesave të interesit të tyre të ardhshëm është i pacaktuar.

4. Kreditë në valutë të huaj:  kredi në valutë të huaj është ajo ku shlyerja e kredisë duhet të bëhet në një valutë të huaj.  Pasi që Kosova përdor Euron si valutë vendore,   kreditë në Euro nuk llogariten si  kredi në valutë të huaj në Kosovë.  Por kreditë në valuta tjera si franga zvicerane, funta britanike, apo dollari amerikan, janë kredi në valutë të huaj në Kosovë.  Vlera e euros kundrejt valutave që nuk janë -euro  si këto të lartpërmendura MUNDET DHE NDRYSHON DUKSHËM.  Por shkalla e këtyre ndryshimeve nuk  është e parashikueshme, kështu që llogaritja e NEI që  klientit i jepet nga banka gjatë negociatave për një kredi në valutë të huaj SUPOZON QË KURSI I  KËMBIMIT NUK DO TË NDRYSHOJË GJATË KOHËZGJATJES SË KREDISË.

Ky është një supozim shumë më i rrezikshëmm dhe serioz  për një huamarrës se sa në rastin e një kredie me normë të ndryshueshme.  Ndryshimet në disa prej këtyre kurseve të këmbimit janë të paparashikueshme dhe ato mund të jenë substanciale.  Keshtu që rritjet potenciale të NEI në një kredi në valutë të huaj,  janë shumë më të mëdha dhe të paparashikueshme se sa në kreditë me normë të ndryshueshme.

Për fat të mirë, kreditë në valuta të huaja aktualisht  janë shumë të rralla në sistemin bankar të Kosovës.  Deri në dhjetor 2013 ato përfaqësonin vetëm 0.3% të totalit të kredive bankare.  Kreditë në valuta të huaja kanë shkaktuar probleme të mëdha për klientet në disa vende të Evropës Lindore,   si Hungari, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.  Konsumatorët në Kosovë duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun e përfshirë nëse janë duke konsideruar këtë lloj kredie.  Për këtë produkt, llogaritja e NEI nuk e përfshinë rrezikun kryesor potencial,  ndryshimin në kursin e këmbimit, kështu që nuk është ndihmesë për  konsumatorin në vlerësimin e rrezikut apo në krahasimin e kostos së një kredie në euro kundrejt kostos së një kredie në valutë të huaj.

Shembuj të dallimeve në NEI

Strukturat e ndryshme tarifore: Shembulli i mëposhtëm bën llogaritjen e  NEI-ve të ndryshme për tri kredi që kanë të njëjtën normë të intresit nominal, maturitet dhe afat pagese, por kanë struktura të ndryshme tarifore:

  1. Një marrëveshje  kredie për një shumë totale të kredisë prej 6000 euro e pagueshme në 24 këste të barabarta mujore prej 274-11 euro pa tarifa  apo pagesa të tjera. NEI në këtë kredi është 9.4%;
  2. Një kredi për të njëjtën shumë dhe me 24 këste të njëjta mujore, por me një pagesë administrative prej 60 euro që duhet paguar me   nënshkrimin e kontratës.  Me shtimin e kësaj pagese administrative   NEI e kredisë rritet në 10.5%  (dmth. tarifa rrit NEI për 1.1%);
  3. Të njëjtat kushte si në b) dhe shtimit të kostos së sigurimit prej 5% të limitit kreditor, të shpërndarë në 24 këste mujore.  Kjo pagesë e sigurimit rrit NEI-në në këtë kredi në 15.5%. Kjo pagesë e sigurimit është e lartë, por  është përdorur për të ilustruar se si tarifat dhe ngarkesat e rrisin NEI-në mënyrë të konsiderueshme.  Në këtë shembull, NEI është mbi 60% më e lartë se NEI në kredinë e parë që nuk ka asnjë tarifë.

Shpalosje:

Rregullorja e BQK-së kërkon nga të gjitha bankat dhe organizatat mikro-kreditore në Kosovë që të llogaritin NEI në kreditë dhe të depozitat e tyre.  BQK-ja po ashtu kërkon t’ua  shpalosin këto NEI klientëve të tyre PARA SE TË NËNSHKRUAJNË KONTRATËN.  Bankat dhe organizatat mikro-kreditore janë gjithashtu të obliguara të vënë në dukje NEI të kredive dhe depozitave të tyre në degët dhe në reklamat e tyre.

Këto kërkesa për shpalosje janë të mira dhe shumë të dobishme për klientët duke iu mundësuar  atyre që më lehtë dhe më realisht të krahasojnë produktet financiare të ofruara nga institucione të ndryshme.  Kërkesa për institucione që të llogaritin dhe të shpalosin NEI-të e tyre ka hyrë në fuqi në qershor, 2013. Ekzaminerët bankarë të BQK-së janë aktualisht duke përcjellur zbatimin e saj gjatë  ekzaminimit të rregullt të bankave, për të siguruar se është duke u zbatuar në mënyrë konsistente nga të gjitha bankat.

Klientët gjithashtu mund të luajnë rolin e tyre këtu.  Kur flasin me një zyrtar bankar, ata duhet të sigurohen që u është ofruar një llogaritje e detajuar e NEI në kredi apo depozitë  të cilën janë duke e konsideruar para se të nënshkruajnë  kontratën.  NEI është një informacion i rëndësishëm për klientin, prandaj të gjitha bankat dhe organizatat   mikro-kreditore janë të obliguara me ligj që klientëve t’ju ofrojnë informacion, si dhe ta shpalosin atë në degët e tyre.  Nëse një bankë apo organizatë  mikro-kreditore nuk mundet ose nuk dëshiron të bëjë këtë, klienti mundet dhe duhet të bëjë ankesë zyrtare në BQK.  Kjo do t’i ndihmojë BQK-së të sigurohet që të gjitha bankat dhe organizatat mikro-kreditore në Kosovë janë duke përmbushur detyrimet e tyre për t’i informuar klientët e tyre mbi këtë normë të rëndësishme të interesit. (burimi BQK)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/mesoni-per-normat-efektive-te-interesit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala