Mehmeti: Kamatat në kredi mund të bien edhe vitin tjetër

Autori:Zekirja Shabani

thumbnail_05.12.2018-1-1-852x460 (1)

Normat e interesit në kreditë bankare kanë shënuar rënie drastike nga viti 2008 e këndej, që kur Kosova shpalli pavarësinë. Por, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, vlerëson se ka hapësirë që kamatat në kredi të zvogëlohen edhe vitin tjetër

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, thotë se gjatë vitit 2018 bankat komerciale në vend kanë performuar me rezultate financiare pozitive, ku për herë të parë në historinë e këtij sektori të gjitha bankat kanë arritur të shpërndajnë dividentë, përveç degëve të bankave të huaja. “Këtu përfshihen  edhe bankat vendore që tashmë paraqesin një storie suksesi”, thotë guvernatori Mehmeti, duke shtuar se gjatë periudhës janar-tetor 2018 bankat kanë realizuar fitim të pastër në vlerë prej 70.2 milionë euro.

I pari i BQK-së ka bërë të ditur se kreditë në sektorin bankar kanë arritur në rreth 2.7 miliardë euro, përderisa depozitat mbi 3.250 miliardë euro.

Ndonëse normat e interesit në kredi kanë shënuar rënie nga viti në vit, Mehmeti shprehet i bindur se gjatë vitit të ardhshëm të njejtat do të zvogëlohen edhe më tej.

Bazuar në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së kredive, si dhe planifikimet e bankave për të vazhduar me rritje të kredive, vlerësojmë që normat e interesit në kredi do të kenë hapësirë të zvogëlohen edhe në vitin e ardhshëm. Në këtë kontekst duhet të kemi parasysh faktin që edhe normat e interesit në depozita janë duke shënuar rritje duke arritur në 1.37% në shtator 2018, që paraqet rritje të theksuar në krahasim me 0.95% në shtator 2017’, ka pohuar Mehmeti.

Guvernatori i BQK-së ka folur edhe për trendet globale të digjitalizimit, të cilat po i përcjellë edhe sektori bankar i Kosovës, duke investuar në platforma elektronike të bankingut, me anë të ofrimit të shërbime për klientët e vet 24/7. Ai thotë se digjitalizimi i shërbimeve nuk e ka zvogëluar numrin e puntorëve në sektorin bankar, pasi që, sipas statistikave të Bankës Qendrore, numri i të punësuarëve është i njejtë në katër vitet e fundit, ku në vitin 2015 kanë qenë 3375 të punësuar, ndërsa aktualisht janë 3374 punëtorë.

Mbi 3.2 miliardë euro depozita, rreth 2.7 miliardë euro kredi

  1. Guvernator jemi në përfundim të vitit 2018, si e vlerësoni performancën e sektorit bankar gjatë këtij viti?

Mehmeti: Performanca e sektorit bankar gjatë vitit 2018 ishte pozitive duke qenë lart mbi treguesit e caktuar rregullativ, ku siç kemi thënë shumë herë deri në tani vazhdon të jetë stabil, me likuiditet të  mjaftueshëm dhe mirë të kapitalizuar. Asetet e sektorit bankar në tetor 2018 gjithsej ishin rreth 3.877 miliardë euro, ku kreditë paraqesin vlerën prej 2.696 miliardë euro dhe depozitat shënojnë vlerën prej 3.251 miliardë euro. Shikuar në kontekst vjetor, si kreditë e po ashtu edhe depozitat, shënuan rritje vjetore prej 11.6%, respektivisht 6.4%. Në kuadër të strukturës së aseteve dominojnë kreditë me pjesëmarrje prej 69.5%, ndërsa depozitat në kuadër të detyrimeve me pjesëmarrje prej 95.7%.

Sektori bankar ka vazhduar të performojë me rezultate financiare pozitive edhe në këtë vit, duke realizuar fitim në vlerë prej 70.2 milionë euro deri në muajin tetor 2018. Me këtë rast duhet theksuar që gjatë vitit 2018, për herë të parë në histori të sektorit bankar në Kosovë, të gjitha bankat kanë arritur të shpërndajnë dividentë (përveç atyre që janë të licencuara si degë të bankave të jashtme). Këtu përfshihen edhe bankat vendore që tashmë paraqesin një storie suksesi.

IBANK-NR17_Update-ALB_UPDATE-11-copy-768x816

Trendi i përmirësimit të cilësisë së kredive në vitin 2017 ka vazhduar edhe përgjatë vitit 2018. Treguesi i kredive joperformuese në muajin tetor 2018 ka rënë në 2.7%, nga 3.1% sa ishte në muajin dhjetor 2017. Ky tregues në tetor 2017 evidentohej 3.6%. Rezervat për humbjet nga kreditë mbulojnë kreditë joperformuese në nivel të kënaqshëm prej 154.9%. Krahasuar me shtetet e rajonit Kosova vazhdon të ketë nivelin më të ulët të kredive joperformuese.

Kreditë joperformuese 2.7%

Viti 2018 është karakterizuar me norma më të ulëta të interesit në kredi, si dhe zvogëlim të përqindjes së kredive joperformuese. A priten rënie të kamatave në kredi edhe në vitin 2019?

Mehmeti: Cilësia e kredive në sektorin bankar ka shënuar përmirësim të vazhduar përgjatë vitit 2018. Treguesi i kredive joperformuese në muajin tetor 2018 shënon normë prej 2.7%, i cili në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar evidentohej 3.1%. Ngjashëm, edhe normat e interesit në kredi kanë vijuar me trendin e rënies. Norma mesatare efektive e interesit për kreditë e reja në muajin shtator 2018 përllogaritej 6.99%, ose nëse e marrim mesataren e periudhës janar – shtator 2018 ajo ishte 6.76% (6.85% krahasuar me horizontin kohor të njëjtë me vitin e kaluar).

Bazuar në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së kredive, si dhe planifikimet e bankave për të vazhduar me rritje të kredive, vlerësojmë që normat e interesit në kredi do të kenë hapësirë të zvogëlohen edhe në vitin e ardhshëm. Në këtë kontekst duhet të kemi parasysh po ashtu faktin që edhe normat e interesit në depozita janë duke shënuar rritje duke arritur në 1.37% në shtator 2018, që paraqet rritje të theksuar në krahasim me 0.95% në shtator 2017.

Dekada e përgjysmimit të kamatave në kredi

Nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2008, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, sa kanë rënë normat e interesit në kredi përgjatë dekadës së parë të pavarësisë?

Mehmeti: Krahasuar me vitin 2008 kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në përgjithësi ka zhvillime shumë pozitive në sektorin bankar në Kosovë e në veçanti tek normat e kamatës. Para se të cekim normat e kamatës, më lejoni të theksoj që edhe qasja jonë si rregullator dhe mbikëqyrës të sektorit financiar është shumë më proaktive dhe më kërkuese. Janë zhvilluar manuale dhe standarde të tjera mbikëqyrëse që mundësojnë fokusimin tek rreziqet që ndodhin në sektorin bankar në Kosovë. Ndër të tjera, kjo ka bërë që sot të flasim për sektor bankar shumë më konkurrues, konkurrencë e cila është shfaqur edhe në uljen substanciale të normës së interesit në kredi. Për më shumë, gjatë vitit 2008 norma mesatare e interesit në kredi të reja shënonte nivel shumë të lartë prej 14.73%, ku niveli mbi 14% normë të interesit ishte i aplikuar për vite të tëra dhe që ishte shumë më i lartë se sa vendet e rajonit.

Falë zhvillimeve që janë cekur më lart, sot flasim për norma të interesit të krahasueshme me vendet e rajonit e në pika të caktuara (kreditë hipotekare) ndoshta edhe më të ulëta. Siç është cekur më lart, niveli prej 6.35% paraqet mesataren e periudhës së caktuara, përderisa për produkte të caktuara (kreditë hipotekare) ato sillen në nivel prej rreth 5.24%.

Nëse statistikat dëshmojnë për një ulje drastike të kamatave në kredi për dhjetë vite, çka ka ndodhur me normat e interesit në depozita, si kanë lëvizur përgjatë kësaj periudhe kohore?

Mehmeti: Në vitin 2008 norma e interesit në depozita të reja shënonte normë prej 4.21%, në periudhën kur ato në kredi ishin mbi 14% e ku diferenca e normave të interesit në depozita dhe kredi ishte mbi 10 pikë përqindje. Sot bankat operojnë me diferenca shumë më të ulëta që vjen si pasojë e rritjes së vazhdueshme të konkurrencës, kjo e shtytur edhe nga infrastruktura legjislative dhe mbikëqyrja më e përafërt.

Në shtator 2018 norma në depozita (siç është cekur më lart) është 1.37%, ndërsa në afatizime më të gjata se një vit ka norma të interesit me nivel mbi 3%. Ajo që duhet cekur me këtë rast dhe që është diçka shumë pozitive është se përkundër faktit që bankat në Evropë në të shumtën e rasteve aplikojnë norma negative të interesit, kjo asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovë, përkundrazi, depozitarët janë joshur që kursimet e lira t’i afatizojmë me norma atraktive të interesit.

Sa po kotribuon sistemi bankar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës?

Mehmeti: Sektori bankar vazhdon të jetë ndër kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Faktori kryesor që ta themi këtë janë kreditë e sektorit bankar ndaj ekonomisë vendore, ku rreth 75% janë të drejtuara tek bizneset. Kreditë kanë shënuar trend të rritjes ndër vite, e sidomos dy – tri vitet e fundit (që nga viti 2016) duke shënuar nivele dy shifrore të rritje së kredive. Kreditë e përgjithshme në tetor 2018 kanë shënuar rritje vjetore me 280.1 milion euro ose 11.6%, përderisa rritja vjetore e gjithsej kredive në tetor të vitit 2017 me vitin paraprak ka qenë 234.4 milion euro ose 10.7%. Kjo për përkrahje e theksuar financiare po që tregon ndikimin e sektorit bankar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë.

Po e bëmë pyetjen, nëse bankat janë duke u rritur shumë shpejtë dhe a ka hapësirë akoma për rritje, përgjigja sigurisht se është pozitive. Indikatori që ne përdorim për të matur shpejtësinë e rritjes është ai i ndërmjetësimit financiar në raporti me prodhimin e brendshëm bruto në Kosovë. Në këtë kontekst, ky tregues në qershor 2018 u rrit në 39.8% krahasuar me 33.8% sa ishte në vitin 2015, duke shënuar kështu rritje graduale por të qëndrueshme. Kjo për dallim nga vendet e rajonit që në të shumtën kanë nivelin e njëjtë ose rënie për shtete të caktuara. Me këtë rast duhet cekur që mesatarja e vendeve të rajonit në kontekst të shkallës së ndërmjetësimit financiar është rreth 55%.

Përpos rritjes së kreditimit për ekonomitë familjare, rritje të kreditimit bankar është shënuar edhe për bizneset. Në cilët sektorë të ekonomisë janë të përqëndruara kryesisht kreditë bankare?

Mehmeti: Aktiviteti kreditues vazhdon të jetë i orientuar drejt kreditimit të sektorit të tregtisë, pjesëmarrja e të cilave në gjithsej portofolin kreditor të sektorit bankar evidentohet 31.9% në shtator 2018 nga 31.6% sa ishte në dhjetor të vitit 2017. Kreditë individuale-konsumuese kanë shënuar trend të njëjtë, pesha e të cilave në gjithsej kreditë shënon rreth 36 % në tetor 2018. Gjithashtu, rritje ka shënuar edhe pjesëmarrja e kredive të dhëna për prodhimtari në 8.2% nga 8 %, atyre për ndërtimtari në 6.1% nga 5.5%, si dhe kredive për patundshmëri në 0.5% nga 1.3%.

IBANK-NR17_Update-ALB_UPDATE-9-copy-725x1024

 

Sa po përkrahen bizneset prodhuese nga bankat komerciale nëpërmjet kredive, në mënyrë që të ndikohet në rritjen e prodhimit vendor dhe zvogëlimin e importit?

Mehmeti: Bankat komerciale gjatë viteve kanë vazhduar t’i mbështesin bizneset të cilat kanë paraqitur plane investive të mira në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke i kushtuar një vëmendje edhe kreditimit të sektorit të prodhimit.

Bankat në vazhdimësi janë duke i përkrahur bizneset të cilat po investojnë në sektorët e prodhimit, prirje e cila po vazhdon të ketë një trend  me rritje të theksuar të kreditimit, e cila rritje vërehet që nga shtator 2016 që ishte 166.1 milion euro, në shtator 2018 arrin shumën prej 209.9 milion euro. Vitet e fundit vërehet një ngritje e vetëdijesimit të bizneseve, me anë të prezantimit tek bankat të planeve investive ambicioze në prodhim. Rritja e kreditimit ne sektorin e prodhimit, me anë të përkrahjes së bizneseve ndikon direkt edhe në rritjen e prodhimit vendor dhe zvogëlimin e importit.

Normat e interesit në kredi janë më të ulëta për kreditë hipotekare. Sa janë kamatat mesatare në kreditë hipotekare, sa është vlera e përgjithshme e kredive hipotekare në Kosovë, si dhe sa është shuma e përgjithshme e pronave që janë në hipotekë?

Mehmeti: Norma e interesit në kreditë e reja hipotekare në muajin shtator 2018 është 6.11%, krahasuar me 5.88% sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Nëse ndalemi në komponentë të caktuar brenda kredive hipotekare, shohim se kreditë hipotekare me maturitet mbi 10 vjeçar shënojnë normën prej 5.11% në horizontin kohor janar – shtator 2018, krahasuar me 5.18% të vitit të kaluar.

Trendin e rritjes së gjithsej kredive në sektorin bankar të Kosovës e kanë ndjekur edhe kreditë hipotekare. Në muajin shtator 2018 kreditë hipotekare shënojnë nivel prej rreth 370.0 milion euro, të cilat kanë shënuar rritje vjetore me 45.0 milion euro ose 13.8% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Depozitat e sigurta

Edhe depozitat e klientëve në banka kanë arritur rekordin prej rreth 3.2 miliardë euro, mjete këto shumë më të mëdha se buxheti vjetor i Kosovës. Sa janë të sigurta depozitat e klientëve në bankat komerciale?

Mehmeti: Depozitat kanë vazhduar të jenë burim kryesor i financimit për bankat e sektorit bankar të Kosovës, të cilat kanë shënuar rritje të vazhdueshme edhe në vitin 2018. Bankat e sektorit janë shumë stabile dhe posedojnë volum të mjaftueshëm të mjeteve likuide për tu mbrojtur nga rreziku i likuiditetit. Ato evidentojnë norma më të larta të treguesve kryesorë të likuiditetit krahasuar me normat e kërkuara rregullative. Përveç kësaj, bankat janë anëtare në Fondin për Sigurimin e Depozitave, ku çdo klientit në çdo bankë i sigurohet shuma deri në 5.0 mijë euro. Pra, marrë në përgjithësi, depozitat e klientëve janë të sigurta, ku bankat në baza të rregullta periodike ekzaminohen nga BQK-ja, trendet janë stabile, si dhe nuk parashikojmë ndonjë zhvillim jo të zakonshëm. Me këtë rast duhet cekur që bankave çdo vit iu kërkohet që të dorëzojnë në BQK projeksionet financiare në bazë të të cilave përcillet edhe zhvillimi i tyre përgjatë vitit.

Bankat në Kosovë tashmë kanë digjitalizuar shumë shërbime, duke përcjellë kështu trendet globale të digjitalizimit në këtë sektor. Por, a ka ndikuar digjitalizimi në zvogëlimin e numrit të punëtorëve në sektorin bankar?

Mehmeti: Bankat komerciale gjatë viteve të fundit kanë vazhduar të orientohen  në zhvillimin e kanaleve elektronike të komunikimit i cili paraqet një trend botëror të orientimit të shërbimeve të bankingut. Sektori bankar në Kosovë është duke përcjellë trendet globale të dixhitalizimit, duke investuar në platforma elektronike të bankingut, me anë të ofrimit të shërbime për klientët e vet 24/7. Investimet e bankave në kanalet elektronike të komunikimit si rrjedhojë e strategjive të bankave kanë reflektuar edhe në numrin e punëtoreve.

Megjithatë, gjatë viteve vërehet një trend stabil i numrit të punëtorëve në sektorin bankar, e cila ka rezultuar me anë të lëvizjeve së punëtorëve ne kuadër të sektorit bankar, e që mund të shihet nëse krahasohet: dhjetor 2014 prej 3,507 punëtorë, dhjetor 2015 prej 3,375 punëtorw, dhjetor 2016 prej 3,375 punëtorw; dhjetor 2017 prej 3,319 punëtorw dhe  shtator 2018 prej 3,374 punëtorw në sektorin bankar./Gazeta inFokus/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/mehmeti-kamatat-ne-kredi-mund-te-bien-edhe-vitin-tjeter/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala