Maratona e KQZ’së, të mërkurën përfundon rinumërimi i 530 kutive, pastaj numërohen ato me kusht

Autori:Gazeta Fjala

844C1E7C-8506-43C0-9E35-0B980A19E664_w1023_r1_s-1-600x360

Të mërkurën pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve, derisa po këtë ditë pritet të fillojë edhe procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi i ka thënë Gazetës Express se deri në orën 16:00 janë rinumëruar 352 vendvotime. Deklaron se rinumërimi i të gjitha vendvotimeve do të përfundojë të mërkurën.

Elezi ka thënë se pas rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të planifikuara do të fillohet me rinumërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

“Deri më tani (e hënë, 16:00) janë rinumëruar 352 vendvotime apo 66.54% nga 530 sa janë planifikuar. Pas rinumërimit do të fillojmë me numerimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Bazuar në rezultatin e deritashëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas VV’së, me numër më të madh të votave renditen Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.

Presidenti i Kosovës, pas shpërbërjes së Kuvendit në gusht, shpalli zgjedhjet për datën 6 tetor.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/maratona-e-kqzse-te-merkuren-perfundon-rinumerimi-i-530-kutive-pastaj-numerohen-ato-me-kusht/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala