Makina, luks për shqiptarët

Autori:Gazeta Fjala

Vetura1

Një në 2 europianë mesatarë zotëron një makinë, thonë të dhënat më të fundit të publikuara nga zyra europiane e statistikave. Të dhënat nga Shqipëria ndërkohë tregojnë se, vendi ynë është shumë larg kësaj norme.

Ndërkohë që Eurostat raporton se, në Europë mesatarja fiksohet në 505 makina për çdo 1000 banorë, të dhënat nga ministria  e transporteve në vendin tonë flasin për 167 makina për çdo 1000 banorë, çka do të thotë se rreth 1 në 6 shqiptarë zotëron një makinë.

Në të dyja rastet të dhënat i referohen vitit 2016. Në Shqipëri raportohen se janë në qarkullim rreth 430 mijë automjete, por këtu duhet pasur parasysh se një pjesë e madhe e tyre janë jashtë funksionit çka bën që norma reale e automjeteve për banor të jetë edhe më e vogël.

Sido që të jetë, kjo normë e vendos Shqipërinë në vend të parafundit në Europë, ndër shtetet e marra në analizë nga Eurostat. Në Europë në vend të fundit sipas Eurostat është Turqia, me 142 automjete për 1000 banorë.

Sa i përket Bashkimit Europian ndërkohë, Rumania renditet në vendin e fundit, me 261 makina për çdo 1000 banorë, ose 1 në 4. Me një normë 3 herë më të vogël se mesatarja europiane e makinave për frymë, për shqiptarët, makina duket se vijon të jetë ende një luks.

Në Europë, Liechtensteini, Luksemburgu dhe Italia janë 3 vendet me normën më të lartë të automjeteve për banor, 773, 662 dhe 625 për 1000 banorë respektivisht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/makina-luks-per-shqiptaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala