Luli “në luftë” me Gjarprin për krimet serbe

Autori:Gazeta Fjala

auto_auto_thaci-veseli14853272191507566891-850x460 (1)

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, para tri viteve mori iniciativën e formimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Me këtë komision, i pari i shtetit tentoi të vë në pah të vërtetën e asaj që ngjau në Kosovë gjatë dhe pas luftës. Por qëllim kryesor i kësaj iniciative, siç ka deklaruar Thaçi ishte pajtimi i shqiptarëve e serbëve.

Derisa këtë ide e promovoi çdo dit Presidenti i vendit më të varfër në Evropë, nga ish partia e tij erdhi një iniciativë tjetër.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli po insiston në krijimin e një mekanizmi të ri që dënon krimet serbe në Kosovë.

Ai ka propozuar që të themelohet Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë.

Edhe pse publikisht Presidenti Thaçi ka përkrahur iniciativën e Veselit duket se kjo ka nisur një “luftë” mes tyre.

Njohësit e rrjedhave politike vlerësojnë se amoraliteti i lidershipit kosovar ka arritur maksimumin me tentimin e instrumentalizimit politik të temës së krimeve të luftës.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli i kanë një milion tema të tjera për t’u ballafaquar me qëllim të dëshmimit të pushtetit të tyre – përtej trajtimit të krimeve të luftës ndaj shqiptarëve, çështje për të cilën deri më tash s’kanë bërë asgjë substanciale dhe duket se as që kanë kapacitete profesionale, logjistike dhe politike të bëjnë në të ardhmen”, vlerëson analisti Artan Muhaxhiri për Gazetën Infokus.

Sipas tij është i pafalshëm synimi i politikanëve që të tentojnë të përfitojnë edhe në këtë nivel – me ide të papërpunuara dhe strategji të pakompletuara, duke krijuar edhe më shumë dëm dhe duke shkaktuar edhe më tepër dhimbje – ndaj viktimave, por edhe shoqërisë në përgjithësi.

“Injorimi njëzetvjeçar i kësaj dhimbjeje të madhe të qytetarëve kosovarë dhe yryshi sipërfaqësor me të cilin aktualisht mëtojnë t’i kompensojnë lëshimet e deritashme krijojnë zhgënjim fundamental shoqëror”, thotë Muhaxheri.

Iniciativat politike, lojë me fatin e viktimave

Edhe analisti Imer Mushkolaj, pohon se për Gazetën inFokus se këto iniciativa po bëhen për përfitime politike.

Por sipas Mushkolajt iniciativat e tilla janë jo serioze dhe andaj nuk ka vullnet politik që të funksionalizohen këto ide.

“Këto iniciativa janë më shumë për konsumim të brendshëm politik edhe për përfitimin e pikëve politike se sa që në të vërtet mund të zgjidhen rastet e vrasjeve të krimeve serbe në Kosovë. Natyrisht iniciativa të tilla është dashtë të merren shumë më herët qoftë nga Thaçi apo Veseli. Pikërisht kur këto iniciativa janë ndërmarrë e bën që këta njerëz nuk e kanë qëllimin e zbardhjes se krimeve por vetëm të përfitojnë politikisht, nuk erdhën këto iniciativa para se të themelohet Gjykata Speciale por më vonë që na len të kuptojmë se Gjykata Speciale hyn në këto kombinatorika sepse të dy tanimë janë të përkushtuar për themelimin e këtyre institucioneve”, thotë ai.

Mushkolaj thekson se kjo është një fyerje për viktimat dhe lojë me fatin e të dashurve të tyre tanimë të vrarë apo të zhdukur.

Ndërkohë, analisti Haki Abazi, ka vlerësuar se iniciativat e tilla nga presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli janë të planifikuara.

Sipas tij, viktimat dhe të vrarët gjatë luftës po përdoren për t’u rikthyer si pjesë e diskursit kombëtar.

“Është pjesë e një skenari të përbashkët e cila realisht rezulton në idenë e PDK-së që pas dialogut me Serbinë që i ka shkaktuar probleme te jashtëzakonshme vendit, me bo një hap para drejt njohjes së viktimave të serbëve në Kosovë dhe formës pa strategji në dialog. Duke parë disponimin e publikut ndaj PDK-së dhe për shkak kryesisht të dështimeve dhe të deficitit të plotë për interesat e qytetarëve iu kanë kthyer retorikës nacionaliste dhe po tentojnë t’i përdorin viktimat dhe të vrarët duke kthyer veten si pjesë të diskursit kombëtar në Kosovë. Përveç që nuk ka asgjë serioze këtu ka një mashtrim të madh dhe manipulim që nga krijimi i Komisionit të së Vërtetës ku nuk ka dal asnjë gjë”, ka thënë Abazi për Gazetën inFokus.

Abazi: Në Kosovë nuk gjinden arkiva me dëshmi të krimeve të Serbisë

Abazi tregon se ideja e themelimit të një Tribunali Ndërkombëtar nuk është e realizueshme.

Sipas tij në Kosovë nuk gjinden arkiva me dëshmi të krimeve të Serbisë.

“Inciativa e fundit e Kadri Veslit do pak koment sepse është  bazuar  plotësisht në një koncept jo të realizueshëm. Gjykatë ndërkombëtare, Tribunal Ndërkombëtar nuk mund të bëjnë shtetet e sidomos Kosova nuk është pjesë e OKB-së, e dyta Kosova nuk mundësi më ndjek njerëz po themeltare është që institucionet që përfaqësojnë Veseli dhe Thaçi nuk kanë bërë asnjë arkivim të vetëm që ka bërë Serbia në Kosovë e nuk mundesh me pretendu me ngrit Tribunal, Gjykatë e akuza kur nuk i ke të dhënat elementare të cilat e përbëjnë pjesën e krijimit të një intitucioni të tillë”, shtoi Abazi.

Lidhur me arkivimin e dëshmive të gjenocidit serb, deputetja Flora Brovina shpalosi në publik një fotografi, e cila doli se ishte e marrë nga një film pornografik në Irak.

Për këtë, Abazi ka thënë se ajo është shfrytëzuar duke e përdorur reputacionin e Brovinës.

“Përveç që ka qenë e orkestruar deri në fund ka qenë gjithashtu e përgatitur në momentin ku skenari derisa është diskutuar në parlament formimi, e kanë bërë që me u duk keq opozitën nëse kishin tentu me pas diskutim për këtë punë, e kanë bërë publike fotografinë ku iu ka dhënë ajo fotografi e kanë përdor duke menduar që një grua në moshë dhe gëzon një reputacion për të kaluar e saj mund me qenë imune ndaj marrëzinave që mundem me ndodh. Kjo është turp që luhet me kredibilitetin e institucionit e aq më teper hiprokizia që përdoret të viktimizohet ajo për të faluar atë që ka bërë duke harruar nivelin e përgjegjësisë si anëtare e parlamentit të Kosovës”, ka thënë Abazi.

Ndryshe, të hënën deputetët në Kuvendin e Kosoës diskutuan formimin e  Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë./Gazeta inFokus/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/luli-ne-lufte-me-gjarprin-per-krimet-serbe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala