Liverpooli e fiton në penallti trillerin me Arsenalin dhe kalon në çerekfinale të kupës

Autori:Gazeta Fjala

a03a30dfc7ab40ba96b0502d30b4f1ca6992f6c2-600x360

Liverpooli e ka mposhtur 5:4 në penallti Arsenalin në një ndeshje dramatike me plot gola në 1/8 e finales në EFL Cup, duke kaluar në rundin tjetër.

Divock Origi ishte heroi i skuadrës së Jurgen Kloppit, duke ia siguruar penalltitë me golin e tij në minutën e 94-të në barazimin 5:5 në kohën e rregullt të mërkurën në Anfield, raporton Gazeta Express.

Dani Ceballos e humbi penalltinë te Arsenali, ndërsa lojtarët e Liverpoolit ishin të gjithë të saktë dhe kështu të kuqtë kalojnë në çerekfinale të EFL Cup.

Në një ndeshje që i pati të gjitha, Arsenali luajti me Mesut Ozilin e padëshirueshëm titullar, por pa kapitenin Granit Xhaka pas zënkës së shqiptarit me tifozët e vet gjatë barazimit 2:2 me Crystal Palace në Premierligë në fundjavë.

Drama e golave në Anfield nisi me mbrojtësin shqiptar, Shkodran Mustafi, i cili shënoi në portën e vet për t’i dhënë epërsinë vendasve në minutën e 6-të.

Arsenali reagoi duke shënuar tri herë brenda 17 minutave, me Lucas Torreira në minutën e 19-të dhe Martinellin në minutat 26-të dhe 36-të.

James Milner e mbajti Liverpoolin në lojë duke shënuar nga penalltia dy minuta para përfundimit të pjesës së parë.

Niles e ktheu epërsinë e dyfishtë të vizitorëve duke realizuar në minutën e 54-të.

Chamberlain dhe Origi me dy gola të shpejtë në minutat 58-të dhe 62-të përkatësisht, e barazuan rezultatin për vendasit.

Joseph Willock e kaloi Arsenalin në epërsi për herë të fundit në takim, duke e shënuar golin e mbrëmjes nga largësia.

Ai e bombardoi portën e Liverpoolit me një goditje të fuqishme nga rreth 30 metra.

Por, heroi i Liverpoolit ishte Origi, i cili shënoi gol të bukur në minutën e 94-të.

Liverpooli tani pret ta mësojë kundërshtarin e radhës në kupë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/liverpooli-e-fiton-ne-penallti-trillerin-me-arsenalin-dhe-kalon-ne-cerekfinale-te-kupes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala