Liderët dhe grackat e sfidave

Autori:Menderes Ibra

menderes Ibra

“Kur një lider dështon që të nderojë  njerëzit, atëherë edhe njerëzit dështojnë ta nderojnë atë !” (Lao Tzu)

1.

Një gjë po bëhet evidente sot, gjithandej në shkallë të gjërë – një krizë e theksuar autoriteti e mosbesimi te liderët. Se a është kjo rezultat i rritjes së kërkesave e pritjeve të njerëzve apo tkurrje e cilësisë së liderëve, mbase edhe nuk është më e rëndësishme se sa efektet  e krijuara nga kjo. A nuk po e vërejnë këtë liderët, apo po e shohin por po e mashtrojnë vetëveten. Nëse është kjo e dyta, atëherë fati i njerëzve është vërtetë në fije të perit. Sepse liderët e mirëfilltë janë ata që e formësojnë shoqërinë, janë shtylla kurrizore e saj dhe themel i çdo gjëje. Janë ata që bëjnë dallimin në mes të mirës dhe të keqes.

Liderët, çfarëdo e kushdo qofshin kanë një punë të – të udhëheqin. Mirëpo, mënyrat se si e bëjnë këtë ndryshon. Disa udhëheqjen e marrin si qëllim të lartë e mision të shenjtë jetësor për t’ju shërbyer të tjerëve, kurse disa si përmbushje të ambicjeve personale meskine e glorifikimeve megalomane.Dhe kjo është gracka e parë ku bijnë këmbë e krye ata që udhëheqjen e përdorin ose në rastin më të mirë e ngatërrojnë me qëllimet personale, klanore a grupore. Popujt e pazhvilluar për shkak të urrejtjes apo kënaqësisë së revanshizmit   i gëzohen liderit të kurthuar, duke mos llogaritur se vetë do të paguajnë çmimin. Kurse popujt e zhvilluar nuk lejojnë që të vijë deri te kjo, duke e parandaluar atë përmes mbruajtjes së liderëve të mirëfilltë, dhe nxjerrjes së tyre në sipërfaqe gjithnjë në çastin e duhur.

Detyrë e liderit të mirëfilltë është që të ketë vizionin e qartë dhe të drejtë. Nuk ka se si të mos bijnë në grackë ata që vizionin afatgjatë  e përziejnë me qëllimet afatshkurtëra të ndërtuara ad-hoc. Liderë të mëdhenj gjatë historisë janë shembuj nga të cilët duhet të mësohet. Ish presidenti i SHBA-ve dhe njëri prej liderëve më të mëdhenjë që ka njohur bota  A.Linkoln në kohën kur ballafaqohej me luftën e armiqësitë në mes veriut dhe jugut kishte vizionin e paqes. Madje edhe në kabinetin e tij, kur paraqiti planin për paqe, e kritikuan dhe iu hakërryen, duke i thënë   se  armiqtë duhet zhdukur. Mirëpo, lideri i madh e ruajti qetësinë duke thënë fjalinë emblematike:”Vallë, a nuk zhduket armiku duke e bërë mik”!

Gjermania në së paku dy periudha tejet të rëndësishme të zhvillimeve të saj kishte liderë të mëdhenj si Bismarkun dhe Adenauerin që e orientuan drejtë në kohët më kritike. Franca, nën lidershipin e De Golit shpëtoi nga grushtshteti, i dha fund pushtimit të Algjerisë dhe hartoi kushtetutën e republikës së pestë. Margaret Theçër, kryeministrja e parë femër e Britanisë së Madhe udhëhoqi me largpamësi e vision në kohët e vështira  kur vendi po rrëshqiste në kaos total nga rënja ekonomike, dhe kur qeverisja dukej thuajse e pamundur. Në një rast ajo tha:”A e dini që një nga problemet madhore të kohës sonë është se ne qeverisemi nga njerëz, të cilët më shumë kujdesen për ndjenjat se sa për mendimet dhe idetë”!

Për Gandin, po ashtu në grupin e më të mëdhenjëve liderë të njerëzimit thuhet që:  Guximi është trashëgimia e tij; E vërteta është mësimi i tij; Dashuria është arma tij; Monumenti i tij është jeta e tij.

3.

Liderët e mëdhenjë manifestojnë cilësi të rralla që i bëjnë të veçantë. Fuqia e tyre nuk është mistike dhe nuk vjen nga jashtë, por nga brendësia e personalitetit dhe karakterit të tyre. Ata kanë kredibilitet të padiskutueshëm mbi të cilin edhe ngritet lidershipi dhe atributet tjera aq të nevojshme për një lider: Kompetencë, vetëbesim, përulësinë, mbajnë premtimet, marrin përgjegjësinë. nuk janë arrogantë, nuk janë hakmarrës e inatqinj,  nuk thonë gjysmë të vërteta, nuk iu shmangen temave të rënda, nuk fajsojnë të tjerët, nuk i përqmojnë të tjerët, nuk tentojnë që të marrin  për vete meritën e punëve të kryera, dhe në vend se të thonë ‘unë e bëra’, gjithnjë thonë ‘ne e bëmë’!

Lideri duke mos kufizuar diskutimin e hapur i jep kombit perspektivë, pikëpamje e botëkuptim të ri, të cilat përcaktojnë pozitën e tij në botë. Karakteri i liderëve të mëdhenj shihet në ofrimin dhe bindjen e njerëzve për të punuar së bashku, sepse e dijnë vlerën e të punuarit bashkë drejt qëllimit. Ata shkrijnë distancat në mes njerëzve, ndërtojnë ura e miqësi në mes tyre, sepse janë koshient për peshën e përgjegjësive që kanë. “Çmimi i madhështisë është përgjegjësia” ka thënë W.Churchill.

4.

Fati i njeriut është që lideri të udhëheqë në harmoni me parimet fundamentale të njerëzimit, dhe që ai të mos bie në kurthat e panumërta me apo pa qëllim, të ketë dije e menquri në vend të injorancës dhe të udhëhiqet nga qëllimet e larta në vend të atyre meskine. Lideri nuk ekziston për t’u pëlqyer nga të tjerët, por për të bërë gjërat e drejta dhe të duhura, dhe ai vlerësohet nga rezultatet e arritura e jo nga qëllimet e proklamuara. Një nga presidentët e SHBA-ve ka thënë se “Për një lider më e rëndësishme se sa që të bëjë gjërat drejtë, është të dijë se çka është e drejtë”. Liderë të ndryshëm megjithatë po bijnë në këtë kurthë, duke zgjedhur kënaqësinë sipërfaqësore e të qenurit të pëlqyer në vend të kënaqësisë përmbajtësore të të bërit të gjërave të duhura? Një parim në lidershipit thotë, që lideri i mirë i dërgojnë njerëzit atje ku ata dëshirojnë që të shkojnë, kurse lideri i madh i dërgon njerëzit ku ata duhet të jenë.

Në qaste të vendimeve të rënda ata nuk e humbin torruan por bëhen një me interesin e përgjithshëm, e duke sakrifikuar me vetëdije të plotë ato personale, dhe duke e vërtetuar katërcipërisht një nga postulatet kruciale të historisë së civilizimeve, se një komb ashtu si mund të prosperojë e arrijë majat e përparimit me liderë të mirë, po ashtu mund të rrëgjohet, degjenerohet e edhe zhduket fare në mungesë të tyre. Shtetet e suksesshme e të zhvilluara sot nuk do të ishin këto që janë  po të mos kishin në krye liderë të mëdhenjë. Ish presidenti R.Regan ka thënë:” Nuk është e thënë që lideri duhet të bëjë vetëm gjëra të mëdha,. Lider i madh është edhe ai që i mundëson popullit të bëj gjëra të mëdha”!

5.

Liderët bijnë në gracka në forma të ndryshme, por të gjithë dalin njejtë nga to – të gjymtë e stërkequr, dhe kurrë më ata që ishin më parë, por edhe duke shkaktuar dëme të pallogaritshme  pasuesve të tyre. Sepse, sekreti dhe magjia në udhëheqjen e një kombi ofron rrallë, shumë rrallë çastin e rastin vendimtar të orientimit e kahjes të duhur. Liderët e mëdhenjë nuk është se nuk kanë sfida dhe gracka, por i tejkalojnë ato duke gjetur çdoherë zgjidhjen më të mire. Kjo edhe i bënë të tillë, për dallim prej atyre që nuk mund t’u përballojnë problemeve, tundimeve  e telasheve dhe bijnë këmbë e krye në grackat e humnerave. Disa syresh edhe mund të dalin nga to dikur, por me një dallim të madh – jo më me aureolën e liderit të mirëfilltë, por nën petkun e liderthit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/lideret-dhe-grackat-e-sfidave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala