Liburn Aliu: Masakra në burgun e Dubravës, një nga krimet më të dokumentuara

Autori:Gazeta Fjala

w

Kuvendi i Kosovës sot po e mban një seancë të veçantë në 20 vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha në Kosovë që është kryer nga regjimi serb.

I mbijetuari i kësaj masakre, deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, në foltoren e Kuvendit ka rrëfyer për përjetimet e tij në këtë ngjarje të rëndë.

“Këtyre muajve po shënojmë 20 vjetorin e shumë ngjarjeve dhe masakrave të cilat i paraprinë çlirimit të Kosovës. Është e rëndë të flasësh për masakrat dhe vuajtjet e popullit tonë në rrugën e tij për çlirim”.

“Është e rëndë të përshkruash vuajtjen dhe humbjen e jetëve të të rinjve të shumtë në këto beteja dhe masakra. Rrëfimin tonë e bën më të lehtë krenaria që ndjejnë për guximin,vullnetin dhe vendosshmërinë e atyre djemve që ranë”.

“Masakra në burgun e Dubravës për nga tmerret dhe mizoritë nuk dallon nga masakrat e tjera dhe vuajtjet e popullit tonë, jo vetëm në luftën e fundit, por edhe në luftërat e mëhershme gjatë viteve të shekullit që shkoi”.

“Të veçantë këtë masakër e bën vendi dhe mënyra se si ndodhi ajo – masakër në burg ndaj të burgosurve të paarmatosur dhe të mbyllur në një hapësirë katrore prej 12-13 hektarë në cepet e të cilit janë Kullat e Vrojtimit”.

“Kjo hapësirë rrethohet me mur që është 4-5 metra i lartë. Brenda kësaj hapësire gjendeshin 1000 të burgosur të cilët në këto ditë maji të vitit ‘99 u goditën dhe u gjuajtën nga katër anët”.

“Cilindo lëvizje në përpjekje për t’i shpëtuar gjuajtjeve të vazhdueshme nga serbët, prapë gjendeshim para njërës nga Kullat e Vrojtimit nga të cilat gjuhej vazhdimisht”.

Aliu ka thënë se për këtë masakër ka shumë fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të gjallë.

“Të gjithë këta të burgosur kanë qenë të regjistruar në dokumente zyrtare. Të gjithë kanë pasë fletë-arreste, aktakuza ose kanë qenë të dënuar”.

“Shumica prej tyre janë vizituar dhe regjistruar nga organizata ndërkombëtare e “Kryqit të Kuq”. Gjatë tërë kohës deri në ditën e masakrës është bërë numërimi dhe rinumërimi i të burgosurve nga organet zyrtare, sipas procedurave të parapara”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/liburn-aliu-masakra-ne-burgun-e-dubraves-nje-nga-krimet-me-te-dokumentuara/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala