Lekaj: Autostrada s’lëshohet këtë vit, s’e dimë a do ta gjobitim Bechtel-Enkan

Autori:Zekirja Shabani

78

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, përfundimisht ka konfirmuar se autostrada “Arbën Xhaferi” nuk ka gjasa të lëshohet për qarkullim brenda këtij viti, ashtu siç është e paraparë në kontratën e Qeverisë me Bechtel-Enkan.

Qytetarët që frekuentojnë rrugën Prishtinë-Shkup edhe për një kohë do të udhëtojnë nëpër rrugët e tejzgjatura, pasi autostrada nuk është e gatshme për t’u lëshuar për qarkullim. Në të kundërtën, autostrada shkurton distancën mes dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Shkupit.

Ministri, Pal Lekaj, thotë se i tërë segmenti i rrugës ka përfunduar përveç urës. Ai beson se autostrada do të jetë shumë shpejt e qarkullueshme, ndërsa për vonesat e shkaktuara të këtyre punimeve do të shikohet kontrata me Bechtel-Enkan, e cila edhe mund të gjobitet.

“Sa i përket autostradës “Arbën Xhaferi” kontrata është e nënshkruar që punimet të përfundojë për vitin 2018, sipas disa parashikimeve shihet se autostrada nuk do të lëshohet për përdorim. Tërë segmenti i rrugës është përfunduar përveç urës. Sa i përket urës janë punët specifike nuk guxojmë të rrezikojmë projektin”, tha Lekaj, të martën për Gazetën Express.

Më tej Lekaj, tha se nuk mund të përcaktojnë ndonjë gjobë pa u shikuar kontrata dhe pa u siguruar se ku ka shkelje. Ministri theksoi se kontrata e Qeverisë me Bechtel-Enkan do të respektohet në përpikëri.

“Do të shikojmë kontratën në pikë e presje dhe do të respektohet në përpikëri. Gjithë ajo që përfshihet në kontratë do ta implementojmë në përpikëri. Nuk mendoj që do të ketë shumë zgjatje të punimeve, varet prej kohës”, përfundoi Lekaj.

Muaj më parë konsorciumi turko-amerikan “Bechtel & Enka”, e ngarkoi Qeverinë Haradinaj me një faturë prej 53.1 milionë euro, për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve ose thanë se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar.

Pas kësaj Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh, për të cilin thuhet se nuk është paguar ende.

Pritjet janë që kjo autostradë të shkurtojë largësinë në mes të dy kryeqyteteve (Prishtinë-Shkup) dhe të ndikojë në rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes më të lehtë të njerëzve nga të dy vendet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/lekaj-autostrada-sleshohet-kete-vit-se-dime-a-do-ta-gjobitim-bechtel-enkan/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala