LDK i bën thirrje Shpendit të mos dalë në protestë

Autori:Zekirja Shabani

10947665-10203776097179304-1836253796-n

Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit që të mos dalë në protestën e së mërkurës.

“Kërkojmë me ngulm nga kryetari i Prishtinës që të japë shembullin e të parit të kryeqytetit  dhe së pari, ai vetë të mos jetë pjesë e protestave të dhunshme dhe t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim që edhe ata të mos jenë pjesë e dhunës dhe anarkisë së mundshme në kryeqytet”, thuhet në një njoftim për media të këshilltarëve të LDK-së.

Ata vlerësojnë se kreu i Prishtinës po përpiqet të nxjerrë në protestat e 4 shkurtit 2015, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të kryeqytetit, dhe kjo sipas LDK-së  përveçse është shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve, është politizim i hapur i arsimit dhe shkëputje nga procesi mësimor-edukativ, përveçse është e palejueshme që fëmijët nën moshën 18 vjeçare t’u nënshtrohen eksponentëve politikë për pjesëmarrje në protesta, po ashtu është e palejueshme dalja e tyre edhe për shkak të sigurisë që po i kanoset kryeqytetit dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, siç ndodhi në protestën e dhunshme të 27 janarit 2015.

“Kërkojmë me ngulm nga kryetari i Prishtinës që nesër, më 4 shkurt 2015, në kohën e protestave, të jetë në kryerjen e detyrave të tij të punës e të mos bëhet pjesë e një proteste të paparalajmëruar te organet e rendit të Republikës së Kosovës, të mos jetë pjesë e një proteste me qëllime politike dhe rrënuese të shtetit. Ndryshe, do të mbajë ai vetë përgjegjësi për sjelljet e tij nxitëse të dhunës dhe anarkisë. Kryeqytetin e ka detyrë për ta ndërtuar e jo për ta  rrënuar!”

Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Prishtinë kërkon nga Drejtoria e Arsimit, nga të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, këshillat e shkollave, kujdestarët e klasëve, këshillat e prindërve, këshillat e nxënësve dhe i gjithë personeli arsimor të shkollave të kryeqytetit, që të ushtrojnë autoritetin e tyre e t’i bindin nxënësit që të mos bien pre e manipulimit ekstrem politik të VV, t’i bindin për rrezikshmërinë e protestave të mundshme të eskaluara si ato të 27 janarit 2015.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ldk-i-ka-bere-thirrje-shpend-ahmetit-qe-te-mos-dale-ne-proteste/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala