Lazarati i Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

petrit_rrahmani_KEK_33208

Shipitulla është Lazarati i Kosovës. Ky krahasim i bërë nga një zyrtar i lartë i KEK-ut po del të ketë qenë i saktë. Jo vetëm për shkak të dështimit të shtetit për të pasur qasje në këtë fshat, por edhe për implikimin e pushtetarëve në krimin e bërë me ndërtimet me qëllim të zhvatjes së shtetit.

Ashtu siç kishte në Lazarat, edhe në Shipitullë ka njerëz të pushtetshëm që janë duke i fërkuar duart për të zhvatur ndonjë milion nga procesi i shpronësimit.

Fshati modern i Shipitullës e ka një histori disavjeçare dhe nuk është ndërtuar për një ditë siç po krijohet përshtypja nga reagimet e shumta të bëra ditëve të fundit në ‘Facebook’.

Për skandalin e Shipitullës është shkruar dhe është folur edhe në të kaluarën, mirëpo asnjëherë nuk kishte arritur të bëhet temë e debatit, ani pse ishte paralajmëruar se shteti dhe qytetarët do të humbin miliona euro.

Historia e shkurtë e Shipitullës do të ishte kështu: KEK-u e kishte të domosdoshme zgjerimin e mihjeve pasi mihjet e vjetra (Mihja e Bardhit dhe ajo e Mirashit) po shteronin. KEK-u kishte nisur zhvendosjen e banorëve të Hades. Zhvendosja e Hades ishte bërë duke u shkelur rregullat e Bankës Botërore dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë. Nuk ishte shpërngulur i gjithë fshati përnjëherë, por zhvendosja, që në disa raste ishte e dhunshme, ishte bërë në disa pjesë. Kjo ndarje në lagje kishte bërë që banorët e lagjeve që ishin ende në pritje për t’u shpërngulur t’i mbushnin oborret me shtëpi të reja. Sot, pothuajse secili oborr në Hade i ka nga 2, 3 e më shumë shtëpi që ngjajnë në kulla për shkak të kuadraturës së madhe.

Në një moment, KEK-u kishte vendosur që të ndërronte pak kahun. Ishte shmangur Hadja, ndërsa mihja ishte drejtuar kah Shipitulla. Ka pak informata për arsyeshmërinë e këtij vendimi.

Por, tashmë është vërtetuar se për dikë “informacioni (se mihja do të shkojë në drejtim të Shipitullës) ka qenë flori”. Me marrjen e vendimit nga KEK-u (që nuk dihet nëse është i shkruar) për të drejtuar mihjen kah Shipitulla, fillimisht kishte pasur një kërkesë në rritje për blerjen e tokave të kësaj ane. Dikush kishte blerë tokë dhe kishte ndërtuar ‘shtëpi’, e dikush tjetër nga shitja e tokës bëri “Cash” sa për të ndërtuar edhe ndonjë shtëpi tjetër.

Fajtorët

Një pjesë e banorëve që kishin qasje në informata kishin filluar ndërtimet qysh në vitin 2010. Banorët thonë se gisht në ndërtimin e shtëpive kanë edhe disa zyrtarë e ish-zyrtarë të KEK-ut.

Pjesa më e madhe e ndërtimeve ishin bërë në mes të vitit 2013 dhe 2015. Në pjesën e dytë të vitit 2014, kur Kosova ishte në krizë institucionale, përnjëherë kishte filluar ndërtimi i shtëpive në Shipitullë, sikur të ishin postblloqe për mihjen. Mbi 100 shtëpi ishin ndërtuar për më pak se 3 muaj (sipas banorëve të Shpitullës), kryesisht në fund të vitit 2014. Tashmë nuk ka një shifër të saktë për numrin e shtëpive që janë ndërtuar nga viti 2009, kur ishte rishpallur kjo pjesë e komunës së Obiliqit si ‘Zonë e Interesit’.
Një është e sigurt se në Shipitullë faji nuk është jetim.

Korporata Energjetike e Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik janë fajtorët kryesorë për Shipitullën dhe Haden.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka pasuar Ministrinë e Energjisë dhe të Minierave e cila që nga viti 2005 e ka nisur projektin e “Kosovës së Re” (Kosova C), i cili parashihej të kishte ndikim shumë të madh social, duke i detyruar të zhvendoseshin disa fshatra.
Zonat e interesit ishin shpallur, por ashtu siç nuk eci përpara projekti edhe ato zona u harruan. Dinamika e nxjerrjes së qymyrit ishte shumë më e ulët se sa planifikimi fillestar me “Kosovën C” me kapacitet prej 2100 megavatësh në sistem. Kjo kishte krijuar komoditet për KEK-un duke i neglizhuar zonat e interesit të shpallura në vitin 2004 dhe të rikonfirmuara në vitin 2009. Për mosveprimin e KEK-ut faji i bie edhe MZhE-së (dikur Ministria e Energjisë dhe Minierave), sepse në kuadër të kësaj ministrie është një zyrë që e monitoron këtë ndërmarrje.

Një nga shtëpitë e ndërtuara në Fshatin ShipitullëProcesi i shpronësimit ishte zvarritur aq shumë saqë edhe arsyetimi i banorëve se ‘kanë nevojë për ndërtim të shtëpive sepse ballafaqoheshin me rritje të familjeve’, në disa raste edhe ishte i arsyeshëm. Sa për sqarim, kur shteti e shpall një zonë me interes të veçantë, aty më nuk mund të ketë ndërtime. Mirëpo, faji bie edhe mbi vetë institucionet e shtetit nëse me një vendim për shpallje të zonës së interesit e mbanë peng qoftë edhe një familje për më shumë se 10 vjet, ndërkohë që nuk ndërmerr hapa për shpronësim dhe as nuk e zhvleftëson vendimin për zonë të interesit. Është shkelje e të drejtave të njeriut që banorët të mos kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen për shkak të neglizhencës apo mospunës së Qeverisë, siç ishte rasti në zhvendosjet e bëra nga KEK-u.

Gisht në skandalin e Shipitullës ka edhe Komuna e Obiliqit. Kjo e fundit lejoi shitblerjen e tokave në zonën e interesit. Por, një prej lëshimeve më të mëdha të kësaj komune ishte lejimi i parcelizimit të tokave në zonën e interesit, pra krijimin e disa trojeve nga një sipërfaqe e vetme. Kjo u ka hapur rrugën banorëve që të ndërtojnë më shumë shtëpi në tokat e tyre. Për më tepër, Komuna e Obiliqit nuk i ndaloi asnjëherë ndërtimet pa leje që po bëheshin në Shipitullë, që nuk ishte fshat i rëndomtë por një zonë e interesit.
Bashkëfajtor me KEK-un ishte edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila ishte përgjegjëse për mbikëqyrjen e zonës së Interesit dhe dhënien e ndihmës Komunës për të parandaluar ndërtimet në këtë zonë. Ajo për më tepër është përgjegjëse për procesin e shpronësimit dhe e ka pasur barrën kryesore për mbikëqyrjen e pjesës që me iniciativën e saj ishte shpallur zonë e interesit.

Zhvatësit

Fajtorë janë edhe banorët të cilët e kanë shfrytëzuar dobësinë e shtetit për të përfituar në kurriz të qytetarëve të tjerë. Ndërtimi i shtëpive në stil të kullave vetëm sa për të zhvatur shtetin është po aq i dëmshëm sa edhe hajnia nëpër tenderë që mund të bëjë një politikan. Edhe veprimi i tyre është vjedhje klasike e shtetit dhe qytetarëve.
Veprimi i zyrtarëve të KEK-ut apo e ndonjë zyrtari nga ministri të caktuara që kanë pasur qasje në informata është vepër kriminale. Fjalët e banorëve se në ndërtim të shtëpive është investuar edhe nga zyrtarët e KEK-ut, të Komunës apo të ndonjë ministrie duhet t’i hetojë Prokuroria.

Neglizhencën e institucioneve më së miri e shpjegon privatizimi i disa dhjetëra hektarëve tokë që shtriheshin në kuadër të Zonës së Interesit nga AKP-ja. Gazeta “Jeta në Kosovë” kishte gjetur se 54 hektarë tokë janë shitur për 75 përkatësisht 65 euro për ari. Toka e shitur është në kuadër të Zonës së Veçantë për Mihjen e re. Nga shitja e këtyre pronave shteti ka përfituar 370 mijë euro. Por, do të paguajë shumë herë më shumë për këtë tokë. Nëse të gjitha këto toka në të ardhmen shpronësohen nga KEK-u, kjo ndërmarrje do të detyrohet të paguajë hiç më pak se 2 milionë e 800 mijë euro, nëse kalkulohet çmimi minimal për tokë bujqësore prej 500 euro ari.

Gjithë ky dështim i shtetit në Shipitullë e Hade do të ketë një kosto prej dhjetëra miliona euro. Këta miliona nuk do të vijnë nga buxheti i shtetit, por do të vijnë direkt nga xhepi i qytetarëve të Kosovës. Kosto e shpronësimit futet në tarifa të energjisë elektrike, të cilat në fund i paguan qytetari.

Për neglizhencën totale të Qeverisë për këto dy vjet karshi bllokadës së zhvendosjeve në Shipitullë ka një fature tjetër që po ashtu e paguan qytetari. Ndalja e prodhimit do të thotë se KESCO do të importojë rrymë të shtrenjtë që futet në tarifa dhe që përkthehet në fatura më të shtrenjta. E nëse për shkak të importit bilanci i energjisë tejkalohet për 5 për qind, bordi i ZRrE-së mund të bëjë një rishikim më të hareshëm të tarifave, pra do të paguajmë më shtrenjtë qysh në shtator. E ka rastisë që Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të jetë jofunksional pasi nuk është plotësuar me 3 anëtarë për shkak të pazareve politike.

Për Shipitullën nuk mjafton një auditim, siç ishte bërë në vitin 2009 për zhvendosjen e Hades, por duhet të ketë hetim penal nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/lazarati-i-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala