Ky është raporti për shkëmbimin e territoreve

Autori:Gazeta Fjala

1399933794visegrad-support-for-serbia-kosovo-dialogue

Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë një raport të hartuar nga gjashtë ekspertë serbë dhe të përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, në të cilin paraqiten skenarët për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky raport në mënyrë të detajuar flet për efektet ekonomike, demografike e sociale dhe për ide të ndryshme për normalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve. Propozohet që Kosova ta marrë vetëm Preshevën, ndërsa Serbia katër komunat veriore të vendit, me ç’rast përmenden përfitimet nga ky skenar prej 2.7 miliardë eurosh për shtetin fqinj.

Serbia dhe Kosova mund të arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e territoreve, ku Kosova mund ta marrë vetëm komunën e Preshevës, pa Bujanocin dhe pa Medvegjën, përderisa katër komunat veriore (Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore) do t’i bashkëngjiteshin shtetit fqinj.

Kështu rekomandojnë gjashtë ekspertë serbë nëpërmjet një raporti me titull: “Efektet ekonomike, demografike e sociale dhe skenarët e ndryshëm për normalizimin e raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës”, i botuar në prill të vitit 2018 dhe i përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”.

Raporti prej 90 faqesh i përgatitur nga autorët: Miladin Kovaçeviq, Dushan Gavrlioviq, Dragan Popoviq, Milena B. Stevoviq, Liljana Sekuliq dhe Katarina Stançiq, të cilin e posedon “Zëri”, i shtjellon në mënyrë të detajuar dy skenarë për normalizimin e marrëdhënieve: normalizimi i raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës, ku përfshihen edhe skenari për shkëmbimin e territoreve, edhe skenari pa shkëmbim të territoreve, por me zbatim të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe skenari i Status Quo-s, i cili nënkupton mosnormalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve.

Ditë më parë politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë alarmuar se presidenti Hashim Thaçi, i cili po flet haptas për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës, nuk guxon të arrijë marrëveshje parciale për Luginën, e cila nënkupton mundësinë që Presheva t’i bashkëngjitet Kosovës ashtu siç rekomandon raporti, ndërsa Bujanoci dhe Medvegja t’i mbeten Serbisë, pasi që, sipas tij, kjo do të shkaktonte tragjedi humanitare.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe zëvendëskryeministri, Ivica Daçiq, po flasin hapur për zgjidhjen e çështjes së kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve.

Mirëpo, ka qenë kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila gjatë një takimi ditë më parë me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, ka deklaruar se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan.

Image
Image
Image
Image
Image
Image
ImageImage

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ky-eshte-raporti-per-shkembimin-e-territoreve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala