Kujdesuni për mjedisin

Autori:Gazeta Fjala

agani

Në Ditën Botërore Ministri Agani bën thirrje për ruajtjen e mjedisit në Kosovë Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka thënë se Kosova ka mjaft pasuri të bukura natyrore, por ka bërë thirrje që të kujdesemi për këto pasuri. Ai tha se duhet ta ruajmë mjedisin, sikurse i ruajmë shtëpitë tona.

Në një aktivitet të organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, ku merrnin pjesë dhe nxënës të shkollave, Agani ka theksuar rëndësinë që ka mjedisi për cilësinë e jetës dhe shëndetin e qytetarëve, por edhe për rejtingun e Kosovës në mesin e familjes evropiane dhe ndërkombëtare.

Kurse, drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sfeçla, e ka pranuar se mjedisi në kryeqytet nuk është si duhet të jetë. “Është në gjendje shumë të rëndë për shkak të neglizhencës, për shkak të keqpërdorimeve apo për shkak të veprimeve jo të pahijshme të gjithë shoqërisë tonë dhe për këtë ne mendojmë që duhet një mobilizim gjithë shoqëror i të gjitha instancave që të ndalim këtë degradim dhe pastaj të pastrojmë dhe të rivitalizojmë mjedisin tonë”, tha Sfeçla.

Besim Hasani, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, organizatë që ka dhënë kontributin e saj për shënimin e kësaj dite, theksoi rëndësinë e nismave për gjelbërim. “Ne sot tubuam disa sportistë e nxënës të shkollave fillore, për të mbjellë lule, me qëllimin që ta kenë ndjenjën se po kontribuojnë për një mjedis më të pastër”.

Koordinatori i Iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, tregoi se me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, mijëra vullnetarë ndodhen në terren dhe po e pastrojnë vendin nga mbeturinat.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kujdesuni-per-mjedisin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala