Kufiri shtetëror Kosovë-Mali i Zi në 6 harta topografike (Dokument)

Autori:Gazeta Fjala

demarkacion

Në një raport konfidencial të siguruar nga burime të KosovaPress-it brenda Qeverisë së Malit të Zi, bëhet e ditur se përkufizimi i kufirit mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës ka qenë një punë jashtëzakonisht komplekse, e filluar në nëntor të vitit 2012 nga komisionet e të dyja shteteve, në drejtim të harmonizimit të vijës kufitare, përshkrimit të saj, paraqitjes në hartën topografike në përmasa të caktuara, si dhe përgatitjes së aktit juridik të marrëveshjes.

Sipas këtij raporti, pritet takimi final, në të cilin parashihet përafrimii gjithë dokumentacionit rreth kufizimit, si dhe përmbyllja e marrëveshjes rreth kufirit shtetëror në mes të dy shteteve.

I tërë kufiri shtetëror është paraqitur në 6 harta topografike, sipas të dhënave kryesore të kadastrit, me regjistrin e koordinatave të të gjitha pikave kufitare kruciale, nga tre zona Mali i Zi – Republika e Kosovës – Republika e Shqipërisë, deri tek tre zona Mali i Zi – Republika e Kosovës – Republika e Serbisë.

Komisionet përkatëse për kufirin e Malit të Zi dhe Kosovës, do të formojnë trupin punues të përbashkët, i cili do të jetë përgjegjës të bëjë përcaktimin e kufirit, sipas marrëveshjes në terren, të kompletojë dokumentacionin e kufirit të përbashkët shtetëror dhe të definojë mënyrën e përcaktimit të tij, mbarëvajtjes, si dhe të përcaktojë pozitat e konfirmuara të shenjave kufitare.

Në këtë raport, përshkruhet edhe dinamika e zhvillimit të bisedimeve në mes të komisioneve të dy shteteve, sipas së cilës janë mbajtur gjithsej 15 takime, duke filluar që nga takimi i parë më 7 nëntor 2012 dhe deri më 27 shkurt 2015.

Emrat kryesorë të anëtarëve të komisioneve të cilët kanë udhëhequr bisedimet janë, nga Mali i Zi, M. Paunoviq, A. Vukçeviq, R. Sekuloviq, V. Femiq dhe përkthyesi E. Lucaj, kurse nga Kosova, M. Meha, S. Ukshini, T. Basha, D. Krasniqi, R. Murati dhe E. Xani, ndonëse ka edhe emra tjerë, të cilët janë përfshirë herë-herë, varësisht nga temat që janë diskutuar gjatë takimeve.

Në bazë të këtij raporti për marrëveshjen kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës, përcaktohen edhe disa detaje të kësaj marrëveshje, të cilat janë përfshirë në 12 pika.

Vlen të theksohet pika 4, e cila mes tjerash thotë se kufiri shtetëror në mes të palëve në marrëveshje do të shënohet në afat prej dy vitesh nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshje, pastaj Pika7, ku thuhet veç tjerash se varësisht nga rrethanat gjeografike, ekonomike etj. trupi i përbashkët punues gjatë shënimit të kufirit, ka mundësinë që në pajtim të dyanshëm, të bëjë korrigjime të balancuara, si dhe pika 9 e cila precizon se kontestet eventuale, do t’i zgjidhin Qeveritë e këtyre dy shteteve përmes rrugëve diplomatike.

“Marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet, do të jetë në tre kopje, në gjuhën shqipe, malazeze dhe në atë angleze, ndërsa për ndonjë mosmarrëveshje apo keqkuptim eventual në përkthim, valid do të jetë dokumenti në gjuhën angleze”, thuhet në raport.

Në fund të këtij raporti, përmes hartave topografike precizohen edhe detajet më të hollësishme të brezit kufitar, duke filluar që nga tre zona Mali i Zi – Shqipëri – Kosovë, ndërsa emrat që përmenden në kuadër të këtij brez i janë: ‘Bogicevic, Cakor, Vrelo Ibra, Rozaje, Rugovska Klisura dhe Kalicane’.

KosovaPress po e publikon të plotë raportin e siguruar, përderisa një të tillë Qeveria e Kosovës ende nuk e ka dorëzuar/prezantuar të plotë për mediat dhe opinionin e gjerë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kufiri-shteteror-kosove-mali-i-zi-ne-6-harta-topografike-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala