Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kapet mat në një jaht multimilionësh në Budvë

Autori:Gazeta Fjala

shpend ahmeti - jaht

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte udhëtuar të premten për në Shkodër, për ta përcjellë nga afër Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Por, siç dëshmon kjo fotografi, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, pas Shkodrës, ka udhëtuar për në qytetin bregdetar të Budvës në Mal të Zi.

Fotografia e siguruar nga gazetametro.net tregon se Ahmeti gjatë vizitës së tij në Budvë ka qëndruar në një jaht luksoz të quajtur ‘Megalodon’.

Ndërkohë,  nuk është bërë e ditur nga Ahmeti apo nga Lëvizja Vetëvendosje se çfarë karakteri ka pasur vizita e tij në Budvë, apo me kë është takuar atje.

Fotografitë e Ahmetit i ka siguruar portali gazetametro.net të cilat janë shkrepur rreth orës 20 e 30 të natës së 25 marsit.

Pas publikimit nga gazetametro.net të dy fotografive ku Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shihet në një jaht luksoz në Budva të Malit të Zi, në redaksi kanë arritur informacione edhe për pronësinë e jahtit në fjalë.

Këto burime i kanë thënë Gazetës Metro se jahti është pronë e Blerim Devollit, pronarit të kompanisë Devolli.

Jahti, sipas këtij burimi, ka qenë pronë e biznesmenit Qazim Osmani, i cili i ishte shitur Blerim Devollit.

Por vet Shpend Ahmeti tha se nuk ka shëtitur me kurrëfarë jahti dhe se po i kalon pushimet së bashku me familjen e tij.

Në një bisedë me Periskopin, Ahmeti tha se mbrëmë ishte në Shqipëri për ta parë ndeshjen e futbollit mes Kosovës dhe Islandës, ndërsa sot, së bashku me familjen e tij, ka vazhduar pushimet në Mal të Zi.

“Me kurrëfarë jahti nuk kam udhëtu. Jam me grua e me fëmijë për vikend në pushim pas lojës së mbrëmshme”, ka thene ai duke refuzuar të komentojë më tej për këtë çështje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kryetari-i-prishtines-shpend-ahmeti-kapet-mat-ne-nje-jaht-multimilionesh-ne-budve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala