Kryeministri Mustafa ua shuan përfundimisht shpresat mësimdhënësve

Autori:Gazeta Fjala

mustafa

Lexoni të plotë mesazhin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa të bërë sot në Facebook, drejtuar qytetarëve të vendit:
Si Kryeministër e vlerësoj të drejtën për protesta, greva dhe forma të tjera të shprehjes së pakënaqësive qytetare, por zgjidhjen nuk e shoh duke vrapuar pas tyre, por duke parë shkaqet dhe duke kërkuar zgjidhjet.
E kam të qartë se nuk ndodh rastësisht asgjë, aq më pak që në muajin e parë të mandatit të ballafaqohem me kërkesa për rritje të pagave për 25%, me kërkesë për regjistrim edhe të rreth 1000 të rinjve në UP, me protesta për një deklaratë të ministrit Jabllanoviq, me një vendim të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili krijonte kushte që kombinati Trepça të kaloj në likuidim nga data 2 shkurt. Ndërkaq për këtë rrezik nuk isha informuar as nga AKP, as nga drejtoria e Trepçës dhe as nga njerëzit që kanë qenë përgjegjës për këtë në përbërjen e kaluar të Qeverisë, e tani po i shoh në media me deklarata populliste dhe zgjidhje imagjinare.
Për fat të keq, fjalori politik që përdoret sot, e që nuk është as i shumicës dhe as i pakicës, është me plotë vërejtje dhe papranueshmëri. Pa marrë para sysh se për kënd mendon, nuk është e pranueshme të quash njerëzit egërsira, por poashtu nuk është e pranueshme ta quash dikën fashist, ta quash kriminel, ta quash vrasës apo tu drejtohesh njerëzve me gisht në Kuvend se ju duhet të shkoni në burg. Për ti thënë këto, çdonjëri duhet të ketë argumente, fakte. Nuk qëndrojnë faktet në shfrytëzimin e familjarëve të të pagjeturëve dhe të tragjedisë së tyre, nuk qëndrojnë faktet as në shfrytëzimin e minatorëve për të mbuluar bizneset e paqarta që po zhvillohen me pasuritë e Trepçës. Këto biznese nuk mund të mbulohen vetëm duke e shpallur Trepçën kompani publike, ose duke montuar kushte që ajo të falimentoj dhe pastaj të zhduket çdo gjurmë. Gjërat duhet të sqarohen, dhe unë si njeri i parë i Qeverisë e kam detyrë që të angazhohem që ato ti sqaroj.
E kemi bërë shumë të qartë se buxheti nuk ka mjete për ti ngritur pagat dhe as për ndërhyrje tjetër në Kontratën kolektive, përpos aplikimit të përvojës së punës, prandaj nuk ka asnjë kuptim që fëmijëve tu privohet e drejta të mbajnë mësim të rregullt. Para tjera nuk ka përpos këtyre që janë në buxhetin e vendit. Por, poashtu, duhet ta them qartë dhe me zë, se pagat e sektorit publik këtu në Kosovën (më të varfër në Ballkan) janë më të mëdha sesa të vendeve tjera në regjion, të cilat e kanë Bruto produktin Vendor shumë më të lartë dhe buxhetin shumë më të lartë për kokë banori, por ata nuk po protestojne dhe nuk po orgnizojnë greva. Ne mund të bëjmë politikë me pagat, mund të bëjmë politikë me kompanitë publike, mund të bëjmë politikë me institucionet e arsimit, me emocionet për Trepçën, por kjo politikë na qon në falimentim të shtetit. Prandaj shtetin nuk do ta falimentojmë. Dhe, ruajtja e shtetit nga rreziku është detyrë e të gjithë neve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kryeministri-mustafa-ua-shuan-perfundimisht-shpresat-mesimdhenesve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala