Kryeministri flet për monopolin

Autori:Gazeta Fjala

mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, siç është bërë zakon përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me fatin tonë nuk duhet të eksperimentojnë të tjerët dhe nuk meritojmë të mbesim të ngujuar.

Ai ka shkruar se zhvillimi ekonomik është një prioritet të cilin duhet ta arrijmë.

“Kemi shumë punë për të bërë, na nevojitet përkrahje nga të gjithë. Duhet ta luftojmë korrupsionin, monopolin e disa kompanive publike dhe private dhe të krijojmë hapësirë të barabartë për çdo biznes. Nuk mund të lejojmë që të ngulfaten bizneset e vogla”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka shkruar se të gjithve do tu hapim mundësi dhe do të krijojmë kushte të barabarta për konkurrencë, nga licencat, doganat, kontrolli i cilësisë, regjimi i çmimeve, sistemi i prokurimit.

“Krahas kësaj do ta bëjmë të qartë se ngujimi ynë me regjim të vizave na bënë shumë të kufizuar të kontaktojmë dhe të konkurrojmë me ekonomitë e vendeve evropiane. Në këtë situatë ne bëhemi konsumatorë të produkteve të të gjithëve, por produktet tona dhe puna jonë do të mbesin çështje vetëm e “pashallëkut tonë”, prandaj edhe ato duhet të marrin vizën evropiane dhe të konsumohen edhe nga të tjerët”, ka shkruar kryeministri.

Isa Mustafa ka shkruar se ne do ta ndërtojmë fatin tonë me përgjegjësinë, nuk do të eksperimentojmë me te. Por poashtu, nuk duhet që me fatin tonë të eksperimentojnë as të tjerët, duke na vënë kushte çdo ditë, sepse nuk meritojmë që ne të mbesim popull i ngujuar në Evropë. “Askush nuk mund të merr si pretekst ikjen e qytetarëve tanë, për të argumentuar prolongimin e liberalizimit të vizave. Kjo lëvizje jonë është e panatyrshme, por nuk është çështje e panjohur se drejt vendeve perëndimore lëvizin çdo vit edhe qytetarët e vendeve të Shengen-it dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka shkruar kryeministri në faqen e tij në FaceBook.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kryeministri-flet-per-monopolin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala