“Kryeministrat po mundohen ta mbulojnë turpin në Vlorë”

Autori:Gazeta Fjala

foto

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë e jo në Mitrovicë, është turp, të cilin po mundohen ta mbulojnë kryeministrat kosovarë.

Sipas tij, nëse kryeministrat në bisedimet e Brukselit, kanë hequr dorë nga një pjesë e territorit, ku as të vdekurit nuk mund të varrosen siç është rasti me rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit, këta “kryeministra” duhet t’ia tregojnë popullit, e jo këtë turp të përpiqen ta mbulojnë me Vlorën, me Ismail Qemalin dhe 10 Qershorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Këto fjalë ai i shkroi në rrjetin e tij social Facebook. Lexoni opinionin e plotë të Krasniqit:

“Jam mirë kur asht mirë Shqipnia…”, po
tani a është mirë Shqiptaria?

Sulltan Abdyl Hamiti, në prag të Kryengritjeve të Mëdha Shqiptare, derisa përpiqej ta joshte e mbante afër vetes Isa Boletinin, në sarajet plot salltanet të Stambollit, Isa pa hezitim do t’i përgjigjej: “Në vend të sarajeve të Stambollit, pëlqej jetën në malet dhe shkambijtë e Boletinit”. Nesër nisem për Mitrovicë.” Dhe ashtu ndodhi! Të nesërmen me trenin e parë do të niset për në Kosovë. Isa e donte jetën dhe vdekjen në atdheun e tij, në fshatin ku lindi dhe u burrërua, duke u bërë Robin Hudi i Shqipërisë.

Kur Eduar Grei, në prill të vitit 1913, e pati pyetur Isa Boletinin se ku i binte vendi i tij i lindjes, për të shprehur pastaj keqardhje për mospërfshirjen e tij në kufijtë e Shqipërisë, Isa i qe përgjigjur: “Zotni, nuk kam ardh’ këtu për vendin tim të lindjes, por për gjithë Shqipninë”. Ndërsa, kur korrespodentët e huaj e pyetën për vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, Isa qe përgjigjur: “Vendimet e Konferencës së Londrës për kufijtë e Shqipnisë janë krejt të padrejta, meqenëse gjysma e kombit iu dha anmiqve. Por, besa-besën e shqiptarit, unë nuk do të rri në prehje sa kohë që vllaznit e mij do të jenë nën zgjedhe t’anmikut”. Dhe vërtet, Isa Boletini nuk mbeti për asnjë moment i qetë, derisa pjesë të mëdha të saj mbaheshin nga ushtri të huaja. Isa Boletini i qëndroi besnik deklarimit të tij: “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblim për veti. Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”. Ndonëse, në historiografinë shqiptare ka pasur përpjekje për të hedhur baltë mbi këtë personalitet të përpjekjes shqiptare për liri e pavarësi, ai mbeti Robin Hudi modern i shqiptarëve. Mbeti personalitet me integritet të lartë, se i lartë ishte qëllimi i luftës së tij për Shqipërinë. Atij në pabesi e në pusi iu mor jeta, por mbeti i pavdekshëm në historinë e Shqipërisë. Një anonim me inicialet “K.L.V.”, shkroi: “Isa Boletin të qofsha falë!/ Qënke në botë një trim i rrallë./ Nderon shqiptarët se qënke burrë -/ Emri mos t’u harroftë kurrë! Kështu, zemra dhe mendja u këndonte shqiptarëve të kohës për Isa Boletinin, shtatlartin e kryetrimin e Shqipërisë.

I (ri)solla këto momente e parafrazime historianësh, diplomatësh, publicistës, gazetarësh apo udhëpërshkruesish për të kujtuar Isa Boletinin, i cili kudo që rivarroset në trojet shqiptare është vendi i tij dhe i jep nder. Natyrisht, vendi e do, dhe koha e kërkon që ai të varroset aty ku është vendlindja e tij, Kulla e tij, simboli i patjetërsueshëm i tij, aty ku edhe është përgatitur varri për rivarrimin, aty ku i janë kënduar ninullat e para nga e ëma, Ajshja. Nëna Ajshe “kishte lindur trima që luftojnë me pashallarë”. E thoshte këtë sa herë që Isa luftonte në Kullat e Boletinit.
Nëse kryeministrat tanë, në bisedimet e Brukselit, kanë hequr dorë nga një pjesë e territorit, ku madje as edhe të vdekurit nuk mund të varrosen siç është rasti me rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit (një Isë jo dosido, sepse, pos tjerash, kemi të bëjmë me personalitetin ndër më të shquarit e luftës për Pavarësi të të gjitha trojeve shqiptare!), këta “kryeministra” duhet t’ia tregojnë popullit ketë, e jo këtë turp të përpiqen ta mbulojnë me Vlorën, me Ismail Qemalin dhe 10 Qershorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qyqarllëkun e qeveritarëve tanë nuk mund ta mbulojnë dot as përvjetorët e mëdhenj të historisë, nuk mund ta mbulojë as Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rivarrimi i heronjve të Kosovës deri në qershorin e vitit 1999 mund të ketë pasur ndonjë kuptim, por pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kjo nuk ka më kurrfarë kuptimi.

Heronjtë e Kosovës duhet të varrosen në Kosovë!

Pse qeveritarët tanë nuk thonë hapur se s’është momenti politik që Isa Boletinin ta rivarrosim në Boletin, se atje nuk mund të shkojë FSK-ja, se bisedimet e Brukselit na kanë detyruar që të heqim dorë nga sovraniteti i asaj pjese, që sot qeveriset nga Lista serbe dhe Serbia, se nuk u lejohet shqiptarëve ta shndërrojnë Boletinin vend të pelegrinazhit. Ndërsa ata nëpër Kosovë vendosin shtatoret e Millutinit e të Pavlit, madje emërtojnë edhe rrugë me emrin e kasapit Millosheviq! Andaj, po të thoshin këta “kryeministra” se duhet të kërkojmë një zgjidhje tjetër dhe zgjidhja tjetër pse të mos ishte Mitrovica? Aty ku varri i Isa Boletinit do të freskohej me flladin e shkëmbinjve të Boletinit? Përse u dashka të mbulohet me patriotizmin mashtrues disfata e kryeqeveritarëve tanë në bisedimet me palën serbe, duke i dërguar eshtrat e Isës në Vlorë. Këtij akti qyqar të kryeqeveritarëve tanë përse duhet t’i vijë në ndihmë “jorgani” Edi Rama?! Se kjo vepër është pasojë e Marrëveshjeve të Brukseli, nuk ka asnjë dyshim! Por, shtrohet pyetja e thjeshtë: edhe sa marrëveshje të tilla kanë ndodhur e që ne ende nuk i dimë?

Kryeqeveritarët tanë vazhdojnë të na i mbajnë të fshehura… Derisa populli nuk di gjë.

Armiqtë jo pak herë u përpoqën që ta shkëpusin Isa Boletinin nga Kosova. Por, atë që nuk e arritën për të gjallë të tij, sot në Kosovën e lirë, pas pothuajse 100 viteve (më 2016) “rrugëtimi” drejt Boletinit…, armiqtë e Shqipërisë e të Isa Bolitinit po tentojnë, duke pasur aleate edhe paburrninë e qeveritarëve tonë, ta shkëpusin Kolosin e Kryengritjeve Shqiptare nga Boletini e Kosova!

Kjo nuk duhet lejuar. Ndryshe, eshtrat e tij do të jenë (le të më falë Ismail Kadare) pikërisht si metafora e eshtrave të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kryeministrat-po-mundohen-ta-mbulojne-turpin-ne-vlore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala