Kosovës i mungon kuadri profesional për zhvillimin e turizmit

Autori:Gazeta Fjala

liqenati-rifat-elshani-780x439 (1)

Numri i njerëzve të kualifikuar në fushën e hotelerisë dhe turizmit në vendin tonë, është i vogël, ndërsa kërkesat e bizneseve të kësaj fushe janë të mëdha.

Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Ruzhdi Kurtishaj, tha për Radio Kosovën se në vendin tonë nuk ka kuadro të mjaftueshme sa i përket hotelerisë e turizmit. Ai tha se në komunikim me hotelet dhe restorantet e ndryshme të vendit, stafi punues nuk ka kualifikimin e duhur për këtë fushë.

“Programet dhe shkollat që janë, janë shumë të pakta karshi me kërkesat e tregut të punës, përkatësisht kërkesat për t’u punësuar direkt, qoftë në hotele apo restorante, qoftë në agjenci turistike. Kjo si kategori, e cila mund të gjejë punë menjëherë në Kosovë, është në mungesë”, tha Kurtishaj.

Menaxheri i hotelit Suiss Diamond në Prishtinë, Skender Kunushevci, tha se një muaj para se të hapej ky hotel është trajnuar stafi, ndërsa ka qenë sfidë përzgjedhja e stafit të kualifikuar.

“Kjo ka qenë sfidë në vete, për arsye se në vitin 2011 ka pasur shumë pak persona të kualifikuar në hoteleri apo në hotele me pesë yje. Departamenti i burimeve njerëzore e ka pasur shumë të vështirë që në mesin e mijëra aplikimeve të përzgjedhë një numër të konsiderueshëm për intervistë. Problem në vete të stafi i përzgjedhur është edhe njohja e gjuhës angleze në nivel të lartë të komunikimit”, tha Kunushevci.

Azem Hasanaj, menaxher i Restorantit Lion, tha se kuadrot e kualifikuar në këtë restorant janë kuzhinierët. Ai tha se vështirësitë për përzgjedhjen e stafit janë të mëdha,pasi nuk ka mjaftueshëm në vendin tonë.

“Vështirësitë janë shumë të mëdha për të gjetur kuadro, pasi në vendin tonë janë dy ose tre shkolla te gastronomisë. Më shumë hasim probleme në përzgjedhjen e kuzhinierëve, e cilët duhet t’i plotësojnë kushtet…”, tha Hasanaj.

Udhëheqësja e Divizionit për Arsim dhe Aftësim Profesional në Ministrinë e Arsimit, Valbona Fetiu-Mjeku, tha për Radio Kosovën se në kuadër të programeve në 68 shkolla profesionale ka edhe profile të fushës së hotelerisë e turizmit.

“Në Qendrat e Kompetencës në Prizren e kemi si lëmi të veçantë. Po ashtu kemi edhe 11 shkolla në rajonin si Prishtinë, Prizren, Pejë, Deçan, Junik, Mitrovicë, Lipjan, Ferizaj e Shtime, ku ofrohen profilet për hoteleri e turizëm”, Fetiu-Mjeku.

Sipas statistikave, në vitin shkollor 2017/2018, numri i nxënësve për asistent të hotelerisë është 270, ndërsa për asistent restoranti është 104 nxënës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kosoves-i-mungon-kuadri-profesional-per-zhvillimin-e-turizmit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala