Kosova së shpejti me shkresë zyrtare ndaj Serbisë për arrestimin e Thaqit

Autori:Gazeta Fjala

Nehat Thaçi

Institucionet e Kosovës pritet që së shpejti t`i dërgojnë një shkresë zyrtare qeverisë së Serbisë përmes së cilës do të kërkojnë lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi të Nehat Thaqit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, i cili tha se janë duke u bashkërenduar me Ministrinë e Jashtme dhe me atë të Drejtësisë për veprimet e mëtejme, e të cilat, sipas ministrit Hyseni, duhet të jenë të matura.

Hyseni tha se vendimi për paraburgimin prej 30 ditësh të drejtorit rajonal të policisë në Mitrovicë është marrë me rekomandim politik, dhe se kjo, sipas tij, është e papranueshme.

Ministri tha se po punojnë që Beogradit t`i drejtohet një shkresë zyrtare për të kërkuar lirimin urgjent të  Nehat Thaqit.

Hyseni tha se lirimi i oficerit policor mund të bëhet përmes veprimeve institucionale e jo përmes folklorizmave të tepruar. Ai tha se logjika e arrestimit të njerëzve që kanë marrë pjesë në luftën e fundit në Kosovë do të çonte në arrestime masive të serbëve dhe shqiptarëve.

Njohësit e rrethanave të sigurisë nga ana tjetër thonë së Kosova duhet të punojë që të ndërpritet kjo praktikë e njohur e shtetit të Serbisë.

Hyseni nga ana tjetër shprehet i bindur se Thaqi do të lirohet shpejt, derisa shpreson se kjo çështje nuk do të ketë nevojë të diskutohet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Drejtori rajonal i policisë në Mitrovicën e jugut, Nehat Thaqi, është arrestuar të mërkurën e javës së kaluar  në vendkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë.

Të premten autoritetet serbe i caktuan masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tani Nehat Thaçi gjendet në Qendrën e paraburgimit në Nish./rtk/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kosova-se-shpejti-me-shkrese-zyrtare-ndaj-serbise-per-arrestimin-e-thaqit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala