Kosova mbushet me barut

Autori:admin

mjetet-piroteknike-241211-679294_4370-660x336

Qytetarët e vendit më të varfër në rajon planifikojnë ta “kallin” Kosovën për Vitin e Ri. Vetëm deri më 19 dhjetor të këtij viti në vend kanë hyrë afro 22 mijë kilogramë barut.

Kaq është sasia e fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike, me të cilat kosovarët kanë vendosur që ta festojnë ndërrimin e motmoteve, shkruan Gazeta Fjala.

Për gjithë këto deri më tani janë shpenzuar më shumë se 36 mijë euro.

Së paku kështu tregojnë  edhe statistikat e importit të këtyre produkteve që ka siguruar Gazeta Fjala, nga Dogana e Kosovës.

Madje, sipas të dhënave të Doganës vetëm në dy vitet e fundit në Kosovë kanë hyrë afro 100 mijë kilogramë fishekzjarrë dhe mjete të tjera piroteknike, që u kanë kushtuar qytetarëve më shumë se 150 mijë euro.

“Gjatë këtij viti deri me datë 19 dhjetor kishim rreth 22.000 mijë kilogramë me vlerë prej 36.000 mijë euro, ndërsa gjatë vitit 2016 kishim rreth  74 mijë e 000 mijë kilogram me vlerë prej 116,000 mijë euro”, thuhet në përgjigjet e zëdhënësit të Doganës, Adriatik Stavilecit drejtuar Gazetës Fjala.

Ramadani: Keni kujdes për fëmijët

Por, njohës të sigurisë importimin e një numri kaq të madh të mjeteve piroteknike po e konsiderojnë si të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Burim Ramadani nga Qendra Hulumtuese për Politikat e Sigurisë thotë se importimi i madh i mjeteve piroteknike është një tregues për domosdoshmërinë e kujdesit të madh të aspektit të sigurisë.

Sipas tij, për këtë duhet të shtohet kujdesi ndaj fëmijëve pasi që ata nuk janë të vetdijshëm për rrezikun që iu kanoset.

“Kjo sigurisht lidhet me mundësitë e rrezikimit të gjymtyrëve apo jetëve të njerëzve në Kosovë. Kujdesi më i madh duhet të jetë tek fëmijët, të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që mund t’i kanoset atyre”, ka thënë Ramadani për Gazetën Fjala.

Ramadani apelon që të rritet kontrolli dhe masat ndëshkimore ndaj përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike, sidomos në sheshe dhe në hapësirat ku qarkullojnë më shumë njerëz.

Ai ka thënë se ndonëse tani ka rënë intensiteti i përdorimit të këtyre mjeteve, ato prapë mbeten një prej rreziqeve për festat e fundvitit.

“Në tërësi, megjithëse ka rënë intensiteti i përdorimit të tyre, sërish mjetet piroteknike janë një prej rreziqeve të mëdha të festave të fundvitit”, ka thënë Ramadani për Gazetën Fjala.

Vushtrria ndalon përdorimin e mjeteve piroteknike

Për të rritur sigurinë në qytet dhe pas ankesave të qytetarëve, Komuna e Vushtrrisë, e cila udhëhiqet nga Xhafer Tahiri e ka ndaluar shitjen dhe përdorimin e mjeteve piroteknike në këtë komunë.

Këtë vendim e ka bërë të ditur vetë Kryetari Tahiri, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në rrjetin sociale Facebook, shkruan Gazeta Fjala.

Në këtë postim thuhet se qytetarëve u ndalohet shitja dhe përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike në sheshin kryesor të qytetit të Vushtrrisë dhe në vendet e tjera publike, si tregje, rrugë dhe sheshe.

Urdhëresë për ndalimin e përdorimit të produkteve piroteknike në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe, ka nënshkruar edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ndalesa që ka vënë Komuna e Prishtinës vlen nga data 30 dhjetor 2017 deri më 3 janar 2018, ndërsa kushdo që e shkelë këtë urdhëresë do të gjobitet në shumë deri në 100 euro.

“Kjo ndalesë vlen për periudhën nga data 30 dhjetor 2017, deri më 3 janar 2018. Ata që veprojnë në kundërshtim me urdhëresën, do të gjobiten në shumën prej 100 eurosh”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës, shkruan Gazeta Fjala.

Në këtë njoftim, thuhet se për zbatimin e urdhëresës do të kujdeset Drejtoria e Inspekcionit.

Policia me plan operativ për festat e fundvitit

Ndërkohë, që për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës edhe këtë vit Policia e Kosovës ka përgaditur planin operativ “Fund-viti 2017/2018”.

Nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës kanë thënë për Gazetën Fjala se për festat e fund vitit do të ketë shtim të prezencës policore në lokacione dhe ambiente të hapura, në sheshe ku do të mbahen festa, si dhe në trafik për orientim dhe mbarëvajtje të trafikut rrugor.

“Me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti të mundshëm, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të bashkëpunojnë dhe të informojnë institucionet e sigurisë për çfarëdo parregullsie apo informacioni të dyshuar, duke përfshirë edhe informacionet apo parregullsitë e mundshme në trafik”, kanë thënë nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës për Gazetën Fjala.

Nga Policia bëjnë apel tek prindërit që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse.

“Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme gjatë festimeve të fundvitit”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kosova-mbushet-me-barut/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala