Kosnett reagon për dorëheqjen e Haradinajt: Do t’ju vëzhgojmë si do të zgjidhet situata

Autori:Gazeta Fjala

Kosnett-600x360

Kosova për herë të parë pas pavarësisë po përballet me aktin e dorëheqjes së një kryeministri.

Akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt tashmë ka ngritur diskutime të shumta rreth asaj se si do të duhet të procedohet tutje për krijimin e institucioneve të reja.

Partitë politike kanë bërë thirrje që presidenti në përputhje me detyrimet e tij dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të thërrasë partitë politike për të caktuar datën e re të zgjedhjeve.

E gjithë këto zhvillime nuk kanë pasur se si të mos bien në syrin e Ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

Në një reagim në faqen zyrtare, Philip Kosnett ka thënë se do ta përcjellin për nga afër se si do të zgjidhet kjo situatë, duke specifikuar respektimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Duke vëzhguar me vëmendje se si Kosova ballafaqohet për herë të parë me dorëheqjen e një kryeministri. Si do të trajtohet kjo çështje, do të tregojë forcën e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për t’iu përmbajtur Kushtetutës dhe ligjeve”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Ambasada amerikanë që drejtohet nga Philip Kosnett.

Kosnett këtë herë ka lëshuar një reagim direkt për rastin e dorëheqjes së Haradinajt, pasi që javën e kaluar një ditë pasi ishte dorëhequr kreu i Qeverisë, kishte lëshuar një reagim ku bënte thirrje për vazhdimin e dialogut, ndërkohë nuk ishte marrë fare me aktin e dorëheqjes.

Para pak minutash ndërkohë ka përfunduar mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka obliguar Zyrën Ligjore të Kryeministrisë që t’i drejtohet me një pyetje Gjykatës Kushtetuese rreth asaj se a ka të drejtë të thërrasë mbledhje të Qeverisë, edhe pse ka dhënë dorëheqje.

Ndërkohë në një konferencë për media pas mbledhjes, ka thënë se presidenti Thaçi e ka shumë të lehtë të veprojë.

Sipas Haradinajt, atij i duhen vetëm pesë minuta kohë për t’u dakorduar me partitë politike për datën e zgjedhjeve, pasi një gjë të tillë e kanë kërkuar të gjitha, përfshirë edhe partnerët e koalicionit me të cilët ka bashkëqeverisur.

Presidenti i vendit dje ka marrë vendim që nga java e ardhshme të fillojë konsultimet me partitë dhe koalicionet politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kosnett-reagon-per-doreheqjen-e-haradinajt-do-tju-vezhgojme-si-do-te-zgjidhet-situata/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala