Koreja e Veriut dhe rrënjët e urrejtjes ndaj SHBA-ve

Autori:Gazeta Fjala

korejaveriore-640x300

Propaganda e Koresë së Veriut i injekton popullit që prej gjashtë dekadash urrejtje ndaj SHBA. Kjo funksionon, sepse kujtimi për luftën e Koresë është ende i gjallë. Mendërisht, vendi ka ngecur në vitet 1950.

Në Korenë e Veriut ka shumë gjëra që mungojnë. Por, një gjë ky vend e ka: një makineri efektive të propagandës. Që në kopshte dhe në librat e shkollës ushqehet urrejtja ndaj SHBA, e lidhur me frikën prej “agresorit imperialist nga Washingtoni”. Propagandën e ndihmon fakti që mund të bazohet në përvojën kolektive të Luftës së Koresë. Kjo luftë lë gjurmë në botën e njerëzve sot, edhe sepse ajo nuk ka marrë fund. Nuk ekziston një marrëveshje paqeje. Që prej më shumë se gjashtë dekadash, në paralelin 38 sundon vetëm një armëpushim.

Kjo luftë – për ta thënë qartë – nisi nga vetë Koreja e Veriut. Trupat e Koresë së Veriut ishin ato që e kaluan në 25 qershor 1950 paralelin e 38-të. Me forcën e armëve Pheniani donte të impononte ribashkimin e gadishullit të ndarë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, kur presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kërcënon tani me zjarr, zemërim dhe me pushtet të pafrenuar dhe lë të kuptohet se Koresë së Veriut “do t’i ndodhnin gjëra, të cilat nuk i ka konsideruar kurrë të mundura”, atëherë kjo përshtatet si me historitë që tregon Pheniani, ashtu edhe me përvojën historike. Kur ministri i Mbrojtjes, James Mattis, e paralajmëron udhëheqjen e Koresë së Veriut për rrezikun e “asgjësimit të popullit”, trauma nacionale që ushqehet vazhdimisht rigjallërohet nga propaganda. Sepse asgjësim koreanoveriorët kanë përjetuar – midis viteve 1950 dhe 1953.

Për tri vjet me radhë u mbulua atëherë Koreja e Veriut me bombardime mbi sipërfaqen e vendit nga avionët luftarakë të SHBA. Pa e ruajtur fare popullatën civile, siç shkruan historiani i SHBA, Bruce Cumings. Cumings e karakterizon këtë si krim lufte.

Në këtë kohë mbi Korenë e Veriut u hodhën më shumë bomba dhe napalm se sa u hodhën kundër Japonisë në hapësirën e Paqësorit në të gjithë Luftën e Dytë Botërore. Vlerësohet se jetën e humbën prej tyre 20 përqind e popullatës.

Ish-ministri i Jashtëm i SHBA, Dean Rusk – që në kohën e luftës së Koresë qe përgjegjës për Azinë Lindore në Ministrinë e Jashtme – deklaroi se “midis paralelit 38 dhe kufirit kinez ne kemi bombarduar çdo tjegull, që qëndronte mbi një tjetër, gjithçka që lëvizte. Ne kishim epërsi të plotë ajrore dhe e bombarduam rëndë Korenë e Veriut”.

Në të vërtetat e pakëndshme historike, që harrohen në Perëndim, por kujtimi i të cilave mbahet gjallë në Korenë e Veriut bëjnë pjesë edhe masakrat. Të tilla si masakra e No Gun Ri, e kryer nga ushtarët e SHBA vetë. Nën një urë, u vranë qindra civilë që kishin marrë arratinë, siç u bë e ditur në vitin 1999.

Edhe më të këqija qenë spastrimet antikomuniste të forcave të armatosura të Koresë së Jugut. Menjëherë pas fillimit të luftës, në jug u ekzekutuan simpatizantë të vërtetë ose të supozuar të Veriut, me dijen dhe në sytë e oficerëve të SHBA. Për to u akuzua Koreja e Veriut. /DW/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/koreja-e-veriut-dhe-rrenjet-e-urrejtjes-ndaj-shba-ve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala